Albspirit

Media/News/Publishing

Rama, Basha dhe ambasadorët, pasdite në tryezën e Metës

Do të zhvillohet sot pasdite takimi mes liderëve kryesorë politikë në vend dhe ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për reformën në drejtësi. Kryeministri Rama, kryetari demokrat Basha dhe ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin pritet të takohen sot pasdite në orën 16:00 me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, në një bisedë të përbashkët për reformën në drejtësi.

Takimi u kërkua dje nga Meta.

Flekenshtajn: Mbështesim propozimin e Metës

Në përfundim të takimeve të zhvilluara paraditen e sotme me kryeministrin Rama, kreun e Parlamentit, Meta, dhe kreun e PD-së, Basha, ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, dhe raportuesi i Parlamentit Evropian, Knut Flekenshtajn, kanë folur rreth diskutimeve që janë zhvilluar lidhur me reformën në drejtësi.

Në një konferencë për shtyp, raportuesi i Parlamentit Evropian, Knut Flekenshtajn shprehu mbështetjen për propozimin e hedhur dje nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

“Jemi në Shqipëri për të krijuar një panoramë të situatës. Së bashku me Kukan kemi nxitur palët për kompromis. Në Bruksel është rënë dakord me propozimin e PD-së për vetingun. Është rënë dakord me propozimin e PD-së për mekanizmin 6+6. Ne mbështesim Metën në përpjekjet për të gjetur zgjidhje. Zgjidhje e pranueshme për palët mbi bazën e propozimit hibrid”, tha ai.

Flekenshtajn theksoi se drafti që do të hidhet për votim të enjten është i pranuar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, ndaj pret që Kuvendi ta votojë atë.

“Shpresojmë në një votë pro reformës dhe do të donim që liderët të gjenin një kompromis, qoftë edhe të minutës së fundit”, tha ai.

Në rast të mosgjetjes së konsensusit, pavarësisht përpjekjeve, Flekenshtajn tha se zgjidhja e fundit mbetet referendumi.

“Nëse politikanët nuk bien dakord, atëherë le të shkohet në referendum”, tha ai.

Please follow and like us: