SHBA & BE: Turqia të respektojë drejtat e njeriut
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se Turqia duhet të respektojë demokracinë dhe të drejtat e njeriut në përgjigjen e saj ndaj përpjekjes së dështuar për grusht shteti. Sot në një konferencë të përbashkët shtypi, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry dhe Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, u bënë thirrje autoriteteve turke që të respektojnë ligjet dhe kushtetutën gjatë masave që po marrin pas grushtit të dështuar të shtetit:
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini tha se në Turqi duhet të triumfojë sundimi i ligjit, në një kohë kur qeveria po bën arrestime masive të personave të dyshuar për organizimin e përpjekjes për grusht shteti.
“Bashkimi Evropian ishte i pari që theksoi rëndësinë e ruajtjes së institucioneve legjitime në natën tragjike të grushtit të shtetit dhe ne vazhdojmë ta theksojmë këtë, duke dënuar përpjekjen për puç ushtarak. Në të njejtën kohë, ne bëjmë thirrje për respektimin e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit në Turqi”.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin udhëheqjen në Turqi, por ai gjithashtu bëri thirrje për ruajtjen e qëndrueshmërisë në vend.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Turqisë që të ruajë qetësinë dhe qëndrueshmërinë në mbarë vendin dhe të zbatojë standartet më të larta në respektimin e institucioneve demokratike dhe ligjeve të vendit. Ne do të mbështesim sjelljen para drejtësisë të organizatorëve të grushtit të shtetit, por bëjmë thirrje për përmbajtje dhe që masat që merren të mos e tejkalojnë rendin demokratik”.
Zonja Mogherini dhe zoti Kerry i bënë komentet sot gjatë një konference të përbashkët shtypi, pas një takmi me Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian.