Albspirit

Media/News/Publishing

SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR NJË CAMERON

Arben MArben Manajanaj

Pas deklaratës së fundit të Metës, edhe publikisht, nuk ka më dyshim, se kush e do reformën, siç e duan amerikanët dhe evropianët dhe kush e do, siç e do dhe e ka bërë Berisha, pas rënies së komunizmit.

Shqipëria është në udhëkryqin më të madh politik të post-komunizmit dhe sot ndodhet rrezikshmërisht shumë më afër shkopit sesa karrotës ndërkombëtare, si kurrë më parë.

Dilema ekzistenciale bëhet më therrëse, pasi Shqipëria politike do duhet të vendosë këtë javë, dhe pse dukshëm e ka vendosur prej kohësh, të preferojë egoizimin, sigurinë dhe rehatinë personale dhe të familjeve të tyre, sesa të lëshojë privilegje pasurisjellëse, për të ndërtuar shtet.

Rama, edhe pse paradoksalisht, ndihet në pamje të parë më i pafriksuar nga reforma në drejtësi, tashmë do duhet të marrë vendimin e tij më të madh politik; atë të hyrjes në histori si “ataturk” i Shqipërise, apo të varros projektin e tij politik dhe personal.

Në tentativën e tij për të bërë shtet dhe ai fillon nga drejtësia, që i prek dhe prej të cilës kanë vuajtur dhe vuajnë financiarisht, psikologjikisht dhe shpirterisht, thuajse shumica dërmuese e shqiptarëve, ai po ndjek draftin euro-amerikan, i cili kundërshtohet nga ata që pseudo-konsensusin politik e vënë si gjethe fiku për të holluar deri në dhallë reformën në drejtësi, për t’ia hequr asaj dhëmbët e munguar deri me sot e për ta kthyer praktiksht në tigër pa dhëmbë, ndaj atyre që kanë shkelur ligjet e shtetit dhe janë pasuar padrejtësisht në kurriz të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Që në krye të herës, në shkrime të ndyrshme kam qenë kundër përfshirjes përcaktuese të politikës në reformën në drejtësi, pasi ajo do e përdhunonte atë, siç po ndodh.

Çdo përpjekje për ta futur sërish nën shalë këtë reform dhe ta qethin atë si delet në vathë, thjesht do e shpërfytyrojë atë projekt, që garanton më në fund, pastërtinë dhe moskorruptueshmërinë e atyre që japin drejtësi dhe ndëshkueshmërinë ndaj shkeljeve të ligjit prej kujtdo, me apo pa imunitet, suport dhe privilegj politik.

Nëse do duhet të shkohet në zgjedhje të reja, dhe nëse do duhet të humbë edhe pak pushtet, le të ndodhë, nëse vërtet u dhimbset e ardhmja e vendit, siç predikohet.

Nëse u dhimbset më shumë pushteti absolut politik dhe pasuria e vënë, apo mungesa e gjumit natën, damkën e historisë do kenë me vete, edhe pse nuk pyesin shumë për të.

Shqipëria ka nevojë për një David Cameron, që t’ia delegojë shqiptarëve, përfituesve më të parë, të merituar dhe të drejtpërdrejtë të reformës, si sovrani autentik, të drejtën për ta bërë këtë reformë, siç duan miqtë e Shqipërisë, dhe siç e urrejnë këtë reformë armiqtë e shqiptarëve.

Reformën sipas variantit euroatlantik do duhet ta miratojë vetëm sovrani dhe siç po bëhet e qartë nga “IS-izmi” politik shqiptar, kjo e drejtë i duhet deleguar atij, siç bëri Cameron me votuesit britanikë, si parim i patjetërsueshëm i demokracisë funksionale.

E nëse sovrani voton, siç e mendon ai të arsyeshme, ky do të jetë një vendim që ose do t’i gëzohen, siç i gezoheshin këto ditë turqit mposhtjes së grushtit të tyre të shtetit, ose do t’i rrinë sipër shqiptarët dhe vetëm ata, për të keqen e tyre.

Ndërkohë përpara se të ndodhë një gjë e tillë, edhe Uashingtoni dhe Brukseli zyrtar, që janë investuar aq shumë në këtë projekt, që do u marrë fytyrën ose lartësojë edhe ata vetë, e që njëkohësisht po nxjerr në dritë atë që e thonë shqiptarët nën zë dhe me zë, se cilët janë ata që i friksohen efekteve të reformës, do të duhet të artikulojnë qartazi dhe me forcë se cfarë avantazhesh dhe disavantazhesh do ketë Shqipëria, nga secili rezultat i referendumit të plebeut për këtë reformë.

Ata duhet të jenë më vokalë se kurrë se çdo të thotë shqip, një “albexit” dhe çfarë një “albentrance” në familjen e madhe të shteteve perëndimore, që nuk bëjne kompromise me vlerat më të arrira dhe më univerale të demokracisë.

Kjo do bërë edhe nëse, do duhet që shqiptarët e thjeshtë ta kuptojnë se mund të humbasin lehtësisht statusin e vendit kandidat apo lëvizjen e lirë, pasi pa një reformë të tillë në bazë të parametrave evropianoperëndimor, nuk ka më vend për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo më, në dhomën, por as në paradhomën, e klubit të madh të demokracive perëndimore.

Kjo do bërë edhe nëse do duhet që shqiptarëve t’u thuhet po aq hapur dhe me fakte dhe dosje, se përse konkretisht nuk e duan këtë reformë ata që do rreshtohen formalisht kundër saj dhe me gisht tregohen si të korruptuar dhe të rrezikuar.

Shqipëria është në këtë derexhe, sepse e la çdo vendimarrje të madhe në duart e po këtyre që sot duan t’i fusin duart sërish edhe reformës në drejtësi.

I vetmi ndryshim kësaj here është garancia e precedentë perëndimore, e cila nëse shkërmoqet dhe mposhtet në tavolinë nga bizantizmi politik i Tiranës, do të jetë gozhda e fundit në ëndrën e shqiptarëve se ky vend do mund të bëhet një ditë, e për më tepër, që shpresa për ta bërë Shqipërinë si Evropa dhe përtej Atlantikut të mos vdiste më në fund dhe e fundit me dakortësinë dhe impotencën e vetë përfaqësuesve të saj në Tiranë.

Please follow and like us: