Albspirit

Media/News/Publishing

TË DHËNA JO TË SAKTA PËR SHQIPTARËT NË BOTËN E JASHTME

Sipas një raporti  të publikuar  kohë më parë nga OKB, shqiptarë nga Shqipëria të cilët jetojnë jashtë vendit janë 1.12 milion, duke mos cekur fare shqiptarët nga hapësira e tyre etno-gjeografike nga shteti i ish-Jugosllavisë, e dhënë kjo e cila nuk prezanton gjendjen reale të emigrimit të shqiptarëve në botën e jashtme.

Dr.Nail  Draga

Nder dilemat e periudhës së kohës së pluralizmit, paraqet edhe prezantimi i saktë i numrit  të shqiptarëve  në botën e jashtme, që njihet emërtimin diasporë, e cila për nga koha e emigrimit të tyre ndahet në diasporën e vjetër  dhe në ate të re. Fakti se nuk kemi të dhëna të sakta sidomos  në lidhje  me emigrimin e shqiptarëve nga hapësira e tyre etno-gjeografike nga institucionet shtetërore, krion hapësirë për qasje jo profesionale e madje politizim të skajshëm të kësaj dukurie shqetësuese kombëtare.

Nëse deri në vitin 1990, në lidhje me numrin e shqiptarëve të emigruar  nga hapësira e tyre etnogjeografike e cila ishte ne kuadër të   ish-Jugosllavisë kemi pasur të dhëna të përafërta, pas shëmbjes së sistemit monist  dhe shkatërrimit të këti shteti të dhënat janë aproksimative, edhe pse institucionet e Kosovës, janë përpjekur vazhdimisht që të ofrojnë të dhëna të pranueshme. Ndërsa për shqiptarët  në Shqipëri, për periudhën e para vitit 1990, as qe mund të flitet sepse instalimi I diktaturës komuniste, kishte ndaluar  lëvizjën e popullsisë jashtë vendit e me këtë edhe emigrimin e shqiptarëve në botën e jashtme.

Kujtojmë me ketë rast emigrimin politik  të shqiptarëve të vendosur në ambasadat e huaja me 2 korrik 1990, e ,më pas, dukuri qe mori përmasa  biblike, duke kaluar në mënyrë ilegale kufirin nga toka e deti. Emigrantët e parë  ilegal u vendosën  fillimisht në vendet fqinje Greqi e Itali  e më pas edhe  në vendet tjera europiane dhe deri në Amerikë e Australi.

Diaspora shqiptare e kohës së re

 Pikërisht, në lidhje më çështjen e emigrimit të shqiptarëve në Qeverinë e Kosovës është themeluar Ministria e Diasporës, e cila profil pune ka  numrin e të emigruarëve dhe vendosjës së tyre në shtetet përkatëse. Pra kemi të bëjmë me diasporën qe ne aspektin kohor është e kohës së re, në krahasim me ate të mëhershmën qe quhet diaspora historike, e cila fillon nga Mesjeta e më pas.

Edhe pse ka qenë e udhës  që shteti amë i shqiptarëve –Shqipëria të formojë një institucion përkatës për numrin e shqiptarëve në botë, me keqardhje konstatojmë se  kjo çështje edhe në pluralizëm u anashkalu. Dhe nga një qendrim i tillë në Shqipëri nuk ekziston një institucion përkatës qeveritar edhe pse gjoja këtë resor e mbulon një dikastër në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Veprimet e tilla nuk janë as serioze e as profesionale, që për shumë çka të kujton kohën e monizmit, ku diaspora shqiptare nuk është  trajtuar si pjesë e popullit shqiptarë, por me qasje ideologjike  dhe utilitare.

Rreth 40% të shqiptarëve nga Shqipëria në emigrim(!?)

 Pikërisht në lidhje me këtë çështje  në javën e parë të qershorit të këtij viti mediat elektronie njoftuan  një informatë me burim OKB, që ka të bëjë më numrin e shqiptarëve  që jetojnë jashtë  vendit të tyre. Kemi të bëjmë me një informatë me numrin e shqiptarëve  nga Shqipëria të cilët janë të vendosur në shtete të ndryshme të botës, numër ky qe arrin shifrën  1.120.000  shqiptarë, të lindur në Shqipëri.

Duke marrë parasysh të dhënat nga regjistrimi i fundit të popullsisë  në Shqipëri të mbajtur në vitin 2011, të dhëna të publikuara  nga  INSTAT-i, del se popullsi rezidente  në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend. Një e dhënë e tillë dëshmon qartë emigrimin e popullsisë e me këtë edhe gjendjen sociale e ekonomike të Shqipërisë, qe nuk meriton ndonjë hulumtim të veçantë. Nëse këtij numri i shtojmë edhe fëmijet e tyre të cilët nuk kanë lindur në Shqipëri, del qartë se kjo shifër duhet të jetë më e lartë.

Nga të dhënat e publikuara del se tre  janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e bashkuar 10 mijë etj.

Sipas informacioneve nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), pjesa më e madhe e emigrantëve kalojnë kufijtë për arsye ekonomike dhe mundësi më të mira sociale.

Nga të dhënat e bëra publike nga OKB dhe me përpunimin e Pew Research Center është hartuar harta globale e origjinës dhe destinacioneve të emigrantëve kudo në botë.

Kjo përqindje ka gjasa të rritet edhe më shumë në periudhën në vijim, pasi  në vitin 2015 u shënua një rritje e valës së emigracionit, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Europian por dhe SHBA-ve. Sipas të dhënave të Eurostat-it, numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar një rritje të frikshme në vitin 2015. Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë.

Ndërsa dukuri shqetësuese për vitin 2015 në Shqipëri paraqet e dhëna se për lotarinë amerikane kanë aplikuar 200 mijë qytetarë shqiptarë, nga del se emigrimi i popullsisë nuk paraqet me dukuri por proces i cili nuk ka të ndalur, qe do të jetë me pasoja të mëdha kombëtare.

Duke marrë parasysh se këto të dhëna kanë të bëjnë vetëm për shqiptarët e lindur në Shqipëri, këto të dhëna nuk janë të sakta sepse këtij numri duhet shtuar edhe numrin e shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës e Mali I Zi,. Pasi nuk kemi të dhëna të sakta numerike por duke marrë parasysh se nga këto mjedise emigrimi I shqiptarëve ka qenë dukuri konstante nga viti 1960  e më pas nuk ka dilemë se ky numër  duhet të jetë mbi  dy million shqiptarë, e dhënë kjo shumë shqetësuese  dhe plagë  kombëtare  e pa shëruar.

Regjistrimi i diasporës obligim shtetëror

 Në lidhje me këtë çështje i mbetet detyrë parësore Ministrisë së Diasporës së Qeverisë së Kosovës, ne bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë për të hartuar një program pune të përbashkët për regjistrimin e shqiptarëve në botën e jashtme, pavarësisht se nga cili shtet janë sepse ata kudo qe janë janë shqiptarë. Andaj në ketë regjistër duhet të përfshihen edhe ata shqiptarë që jetojnë në botën e jashtme qe nuk janë nga Kosova e Shqipëria, sepse si të tillë plotësojnë mozaikun regjional të diasporës shqiptare.

Numri i saktë i tyre, vendi ku jetojnë e punojnë, madje edhe strukturat e ndryshme të tyre janë në favor të evidentimit jo vetëm numërik por edhe të resurseve të tyre njerëzore në vendet ku ata qendrojnë.

Në këtë dimension vendet  me traditë demokratike këto çështje i  kanë zgjidhur me kohë, dhe kanë informata të sakta se ku gjindet çdo bashkëkombas i tyre dhe çka përfaqëson ai në mjedisin përkatës sidomos në aspektin social dhe  profesional.

Diasporës vendin që e meriton

Andaj, institucionet përkatëse  duhet të jenë të kujdesshëm me diasporën, duke vlerësuar kontributin e saj në zhvillimin e vendit, apo çlirimin e Kosovës, andaj duhet dhënë vendin qe e meriton duke i mundësuar të marrë pjesë me përparësi ne investimet e ndryshme qoftë të veçanta apo në partneritetin publiko-privat e po ashtu  edhe në zgjedhjet parlamentare, ku përmes përfaqësuesve të tyre të jenë pjesë e zhvillimit të përgjithshëm shoqëror  si kudo në vendet demokratike.

Korrik  2016

Please follow and like us: