Transferoi 1 miliard lekë nga një bankë, 9 vjet burg hakerit italian
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 9 vjet heqje lirie një shtetas italian të akuzuar për “mashtrim kompjuterik” dhe “pastrim parash”.
I pandehuri Stefano Botura është fajësuar për kryerjen e disa transaksioneve bankare në shifra që shkonin në gati 1 miliard lekë të vjetër, në një hark prej 4 ditësh në tetor të vitit 2015, ku ka përvetësuar një pjesë të parave. Transaksionet kanë kryer përmes aparatin POS të një banke të nivelit të dytë në Shqipëri, aparatura përmes së cilës mund të paguash me kartë bankare në dyqan.
Transaksionet janë bërë përmes 6 kartave të ndryshme, të lëshuara nga banka të shtatë shteteve të ndryshme. Ky aparat elektronik ishte montuar në një dyqan në emër të të pandehurit në rrugën “Mine Peza” në Tiranë. Vendimi ndaj të pandehurit Botura u shpall pak ditë më parë nga një treshe e kryesuar nga gjyqtarja Migena Laska. Në përfundim të nëntë seancave shqyrtimi gjyqësore, gjykata i vlerësoi të provuara dy akuzat e ngritura ndaj tij.
MASHTRIMI
Sipas Gjykatës së Tiranës, i pandehuri Botura ka shfrytë- zuar shërbimin bankar të një transaksioni rimbursimi të blerjeve përmes aparatit POS. Pasi ka kryer transaksionet, nëpërmjet një opsioni në POS, i cili quhet “Refund Option”, ai ka kthyer në të njëjtat karta shuma më të mëdha se ato që ai ka procesuar në blerje fillimisht.
Sipas Prokurorisë, totali i transaksioneve të kryera me opsionin “refund” është 91,760,000 lekë. Shuma e cila i merret bankës së nivelit të dytë është 18,155,000 lekë. Ky lloj opsioni pavarësisht se debiton llogarinë e biznesit të tij, i cili është lidhur me POS, fondet i ka transferuar në llogaritë e kartave. Pra, ato mund të merren me kartë, mund të transferohen nga llogaria e klientit ose të tërhiqen fizikisht.
“Detyrimi i tregtarit kundrejt bankës së nivelit të dytë si rrjedhojë e kryerjes së transaksioneve nëpërmjet opsionit ‘Refund’ është 686 048 667 lekë. Këto para i pandehuri i ka tërhequr një pjesë dhe një pjesë tjetër i ka transferuar në llogari të tjera që i përkasin atij apo personave të tjerë, me qëllim paraqitjen e tyre si para që nuk kanë origjinë të dyshimtë, dhe pse janë produkt i veprës penale të konsumuar nga i pandehuri”, thuhej në vendimin e Gjykatës.
I pandehuri Stefano Botura rezulton i dënuar në shtetin italian me 8 vjet e 11 muaj burgim për vepra penale të “falsifikimit të dokumenteve”, “mashtrimit” dhe “krimit te organizuar”.