Albspirit

Media/News/Publishing

Vlorë: Modë dhe muzikë italiane

 

 

 

Në Portin Turistik të Orikumit(Vlorë), u zhvillua Edicioni i katërt i “Gala Italia”, organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë me pjesëmarrjen e shtëpisë së modës romane të Luigi Borbones dhe të këngëtarëve Chiara Dello Iacovo e Andrea Maestrelli.

Të pranishmit, artedashës e qytetarë vlonjatë, personalitete të artit e të institucioneve vendore, shqiptarë dhe italianë, ndoqën dhe shijuan tendencat më të fundit të modës, të ofruara me finesë nga një prej përfaqësuesve më më në zë në këtë fushë në vendin fqinj, Shtëpia “Luigi Borbone”, që ndodhet në qendër të Romës, në Sheshin “Augusto Imperatore”, me një profil dhe prezencë të pasur në pasarelat e Parisit e të Milanos. Specialistët i vlerësojnë krijimet e Borbones, si konceptime që dalin jashtë kornizave të formave të thjeshta gjeometrike, të cilat konkretizohen në silueta minimaliste e arkitektonike, fluide, të qëndrueshme e intriguese, që përhapen përmes detajeve funksionale. Stilisti i njohur italian, Luigi Barbone, i formuar njëkohësisht edhe në arkitekturë, i përcakton me një gjuhë më të thjeshtë krijimet e tij. Transparenca e veshjeve, sipas tij, lidhet me këndvështrimin që ai ka për femrën, ose për natyrën femërore. “Për mua nuk kanë rëndësi përmasat, por ajo çka përfaqëson femra”, u shpreh Borbone. Sipas tij, vetëm duke zbërthyer personalitetin e femrave me të cilat punon, mund të personalizojë veshjet që duhet të identifikojnë dhe të përcjellin tek të tjerët këtë personalitet.

Thjeshtësia dhe funksionaliteti i veshjeve, që u prezantuan në sfilatën e të shtunës, në pasarelën e ngritur me finesë në Orikum, përziheshin paksa me elementë të klasikes, dominuar nga nuanca e shkëlqimit.

Performimi i këngëtares Chiara Dello Iacovo, e cila në festivalin e fundit të San Remo-s, u evidentua për suksesin e jashtëzakonshëm nga ana e kritikës dhe publikut, u pëlqye për muzikën e thjeshtë dhe dinamike, por, veçanërisht për tekstin, ku spikasnin notat e dhimbjes. “Dhimbja për vendlindjen, për të shkuarën, për njerëzit, janë pjesë e teksteve të mia”, thotë për publikun e pranishëm këngëtarja e re, e cila, siç shprehet vetë, ndihet e huaj në vendlindjen e saj. Ajo u duartrokit gjatë nga publiku i zgjedhur që ndoqi me mjaft interes këtë spektakël, që u prezantua me finesë nga Jona Spahiu.

Pjesëmarrja e Shtëpisë “Luigi Borbone” në “Gala Italia 2016”, ashtu sikundër edhe ajo e Shtëpisë “Giada Curti” në edicionin e kaluar, është rrejdhojë e bashkëpunimit të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, me AltaRoma, që vlerësohet si organizatorja më e rëndësishme e eventeve të modës në Romë.
Ky aktivitet, që është shndërruar tashmë në një traditë, synon të forcojë më tepër bashkëpunimin dhe të afrojë më shumë dy popujt, tradicionalisht aq pranë njeri tjetrit. Ai po konsolidohet në vazhdimësi, duke sjellë çdo vit elementë e aktorë të rinj.

Please follow and like us: