Albspirit

Media/News/Publishing

Xhihadi “demokratik” i vëlla Xhepit

 

Nga Sokol Shameti

Më shumë se 4-orëshi i grushtit të shtetit në Turqi, pikturën më të saktë se ç’është kjo “demokraci” kundër së cilës ky grusht ishte drejtuar, po na e jep ajo çka po ndodh në 24 orëshin që pasoi.

Pas thirrjes së Erdoganit drejtuar “popullit” për të dalë në rrugë në mbrojtje të demokracisë, turma të mëdha ithtarësh të partisë së tij u sulën duke ulëritur “Yallah bismilah” dhe “Allahu ekber”, drejt postblloqeve të ngritura nga trupat rebele.

Mediat u përmbytën fillimisht nga fotot e “mbrojtësve të demokracisë” që u dilnin përpara tankeve si imitacion turk i fotos origjinale në sheshin Tienanmen. Mirëpo pas këtyre pamjeve të cilat gjatë orëve të para të konfuzionit ngjanin kaq entuziazmuese nga këndvështrimi i çdo dashnori të lëvizjeve popullore, pasuan të dhënat e para të tmerrit.

Teksa pritej që puçistët të cilët kishin guxuar të ngrinin armët ndaj një qeverie demokratike të tregonin fytyrën e tyre mizore (duke paralajmëruar kësisoj edhe mizorinë që do të ushtronin në rast fitoreje), mbërritën shifrat e viktimave.

Dhe prej këtyre shifrave na doli që për çudi, këta kriminelë që kishin ngritur krye ndaj të mirës, nuk na e paskëshin shfaqur pothuaj fare natyrën e tyre gjakatare. Ndonëse të pajisur deri në dhëmbë më armatim të rëndë modern, këta gjakpirës shtazarakë nuk kishin qëlluar mbi popullin e pambrojtur, ashtu siç vepron çdo gjakpirës tjetër dhe siç jemi mësuar me çdo përballje puç ushtarak – popull, që nga koha e Pompeut.

Përkundrazi, tashmë që flasim, numri i viktimave ka mbërritur në rreth 200. Ai i të plagosurve në mbi 2000. Në burgje janë flakur mbi 6000 persona. Raporti civilë-puçistë në këtë përballje është 1 civil me 20 puçistë. Sikur të mos mjaftonte kjo, në media u shfaqën edhe pamjet e hakmarrjes së “demokracisë” mbi armiqtë e saj.

Një ushtar 19 vjeçar teksa i hiqet koka me shkathtësi jeniçeri fiks si në ato ekzekutimet e famshme që ISIS u rezervon spiunëve amerikanë ose grave imorale. Pjesëmarrës në puç, të cilët të shtrirë përtokë, shtrohen barbarisht nën dajakun e Allahut që vringëllon në duart e turmës së eksituar. Furgonë ku dhjetëra rekrutë shtypen si hebrenjtë në trenat e shfarosjes dhe u thyhen kafkat me shkopinj bejsbolli nga paramilitarë besnikë të liderit suprem. Demokracia po “këndon” kështu vendëshe në Stamboll.

Në listën e gjatë të mbi 6000 të arrestuarve që kanë mbushur burgjet, radhiten me qindra gjykatës, avokatë, gazetarë. Se si e qysh u përpiluan me kaq shpejtësi dhe saktësi këto lista likuidimesh, këtë vetëm një regjim kaq demokratik si ky që sundon në Turqi dhe përshëndetet në Tiranë, mund ta realizojë. “Demokracia” pra, që me aq fanatizëm u mbrojt nga kërcënimi puçist, është shëndoshë e mirë dhe funksionon me kapacitet të plot kudo mbi perandori.

Historia e hidhur e grushteve të shtetit dhe çmimit të lartë që zakonisht paguhet nga vegjëlia në këto raste, i mbajti shumë shqiptarë me frymën pezull në orët e para të kësaj ngjarjeje.

Shumë të tjerë, që Turqinë e njohin me përkufizimin e përciptë spekullativ të “vëllait” për shkak të deklaratave gjumësjellëse të qeveritarëve tanë në vitet e fundit, u anuan në mënyrë të kollajtë me pushtetin e sulmuar, sapo u shpërndanë fotot e “popullit” që ishte ngritur në këmbë në mbrojtje të demokracisë.

Sesi ka bërë vaki që në një vend ku demokracia mbrohet me kaq fanatizëm, populli të mos jetë fare kritik ndaj pushtetit, e madje pushteti dhe populli të jenë një e të pandarë – këtë nuk çau kokën njeri ta shpjegonte.

Një tjetër fraksion shqiptarësh, që në të vërtetë besojnë se më të afërt kanë një turk mysliman sesa një shqiptar jo-mysliman, nxituan të vendosin me krenari gjysmëhënën me yll si foto profilesh dhe të vërsulen ndaj kujtdo që shprehte ndonjë fije simpatie karshi të rebeluarve ndaj të dërguarit të Allahut mbi dhe.

Është e udhës të saktësohet, siç vërente me të drejtë nëj koleg në profilin e tij në Facebook, se një masë e madhe e skepticizmit shqiptar ndaj rebelimit të armatosur kundër “demokracisë” së Erdoganit është ushqyer nga vetë qeveritarët e Tiranës. Të tanishmit dhe të djeshmit.

Prej vitesh tashmë, Shqipëria është për tiranin e Ankarasë një hambar i vogël favoresh të lira. Dalëngadalë, me bashkëpunimin korruptiv të pashallarëve vendas, sulltani Erdogan e ka kthyer një pjesë të ekonomisë shqiptare në bakshish për kanakarët e divanit të tij.

Asete të rëndësishme të vendit, u janë shitur ortakëve të “vëllait” të madh për çmime qesharake, duke u hequr kësisoj shqiptarëve që s’bëjnë zë, kafshatën e bukës e duke i zhytur më thellë në varfëri. Krerë të qeverisë shqiptare janë pritur ngrohtë si krushq nderi në Stamboll në dasmat e fëmijëve të Erdoganit, dhe menjëherë më pas, ndonjë pasuri kombëtare ka “fluturuar” në duart e ndonjë firme-motër turke e shitur për pesë lekë.

Në këmbim, shqiptarëve u është hedhur si lëmoshë ndonjë shpërblim. Vërtet këto “shpërblime” synojnë kryesisht radikalizimin fetar dhe përhapjen e kulturës otomane – janë pra pare që vëllai i madh i shpenzon përsëri për veten e jo për ne – por prapë, ato kanë qenë “investime”, prandaj qeveritarët tanë na kanë thënë se duhet të jemi të kënaqur. Një dashuri të tillë kaq të madhe dhe kaq vëllazërore, rrallë e ka parë kombi ynë.

Si përfundim, Erdogani dhe qeverisja e tij kanë vazhduar të pikturohen me ngjyra të ngrohta e dashamirëse në Tiranë nga secila qeveri që ka marrë timonin udhëheqës edhe pse politika që ai ndjek ndaj Shqipërisë nuk është ajo e një miku, por e një tregtari të ftohtë e të paskrupullt. Vëlla Xhepi realisht nuk ka asnjë vëlla përveç xhepit të vet.

Axhenda e tij përfituese ka vazhduar të avancojë në të gjitha drejtimet tek ne duke mbjellë vit pas viti farën e vet të dominimit dhe kontrollit. Duke u “lyer rrotën” sundimtarëve lokalë. Duke përfituar prej tyre copa të majme pasurish kombëtare. Si dhe duke na “falënderuar” për të gjitha këto, me anë të investimeve për islamizimin e rinisë sonë dhe tjetërsimin e qëllimshëm të identitetit tonë kombëtar në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Së fundi, farat e mbjella prej tij dhanë të korrat që pamë me rastin e grushtit të shtetit i cili u tentua në Turqi, por u ndje deri në Tiranë. Ansambli histerik i teleshikuesve të Ertugrulit, fetarëve radikalë, biznesmenëve të hallallit, qeveritarëve të rryshfetit, gazetarëve të thartuar, studentëve të ndërzyer, intelektualëve të arnautizuar dhe injorantëve me smartfonë, u sul për xhihad “demokratik” në mbrojtje të vatrës së vet të infeksionit atje në zemër të perandorisë, e cila për pak orë ishte ndjerë nën kërcënim.

Ç’do të sjellë e ardhmja me këtë depozitë neo-otomane “dhuratë” vëllazërore prej mikut të madh Rexhep e cila kryeqytet ka Ankaranë ku është në pushtet dhe jo Tiranën ku është në shërbim? Një vend si yni i lënë qëllimisht pa ushtri, pa ekonomi, pa edukim, pa diplomaci, pa industri e pa qeveri, për fat s’ka nevojë as të pushtohet.

Please follow and like us: