Albspirit

Media/News/Publishing

CIA: Agjenti i arrestuar nga Sigurimi i Shtetit tregon të vërtetat për Ahmet Zogun: Mbreti bënte kontrabandë floriri dhe pambuku

Në ditën e tretë dhe gjyqit para Kolegjit ushtarak të Gjykatës së Lartë, Zenel Shehu rrëfen me detaje synimet e mbretit Zog për rikthimin në pushtet, pas realizimit të përmbysjes së pushtetit komunist. Shehu tregon para trupës gjykuese se vetë ai ishte pjesë e Partisë së Legalitetit, e drejtuar nga Abaz Kupi, e cila sipas tij përgatiste dhe sillte në Shqipëri diversantë nga shërbimet amerikane dhe britanike të spiunazhit. Shehu pohon në gjyq se kjo parti përbëhej nga një grup agjentësh që furnizonin me agjentë dhe çfarëdo tjetër spiunazhin amerikan dhe britanik. Kjo parti, sipas tij ishte në shërbim të amerikanëve dhe financohej nga amerikanët e britanikët. Grupe të tjera me synime të tilla, Sheu përmend dhe Ballin Kombëtar, Grupin e Indipendentëve dhe Partinë Agrare. Shehu flet gjithashtu për Komitetin e Shqipërisë së Lirë, i cili përfshinte elementë të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit. Për këtë strukturë, Shehu thotë se është një komitet që besohet se është i amerikanëve dhe britanikëve, me qëllim që t’i japë atyre njerëz apo grupe për t’i dërguar në Shqipëri. Raportet mes këtyre grupeve raportohen të përçara sipas Shehut dhe është vetë mbreti Zog ai që nuk i do të bashkuar. Shehu thotë se “përça e sundo” që është parimi kryesor i Zogut, ai kërkon t’i përçajë grupet dhe t’i bashkojë më vonë nën sundimin e tij. Zenel Shehu rrëfen para gjykatës se Zogu është përpjekur gjithë kohën të mbajë kontakte me miqtë dhe armiqtë e tij, me qëllim bërjen bashkë të tyre, për të ardhur sërish në pushtet. Sipas Shehut, Zogu mbante lidhje dhe me Mustafa Kujën e Ali Këlcyrën, me të cilët kishte bërë paqe për qëllime pushteti. Teksa pyetet për aktivitetet e Zogut në ekzil, Shehu bën me dije gjithashtu se mbreti i shqiptarëve bënte kontrabandë floriri dhe pambuku në Egjipt dhe Angli.

Hapet seanca e tretë. Kolegji ushtarak i Gjykatës së Lartë ka marrë shënimin e mëposhtëm nga zura e prokurorit të përgjithshëm: Për arsye sëmundjeje ne i kërkojmë prokurorisë të prezantohet nga shoku Arranit Cela. Ka ndonjë kundërshtim ndaj vërejtjes?

Jo

(Trupi gjykues vendos se prokuroria do të përfaqësohet nga shoku Aranit Çela)

I pandehur Zenel Shehu, dje na thatë se me anë të radios i kërkuat spiunazhit amerikan që të dhuronte armë. Ne ju paraqitëm listën e armëve dhe materialeve të tjera që u gjetën në zotërimin tuaj në kohën e arrestimit tuaj dhe të anëtarëve të grupit tuaj, Tahir Preçi, Nuri Plaka, Zenun Golemi, Haxhi Gjyle e Pal Nikoll Ndoji, nga të cilët katër të fundit u arrestuan gjatë uljes me parashutë. Materialet në dorë të trupit gjykues janë: 13 aparate radio amerikane marrëse-dhënëse, 35 bateri radio, 17 elektrikë ndriçues, 16 ndezëse sinjalizuese, 34 armë gjermane automatike, 30 pushkë gjermane, 35 pistoleta Parabel , 20 granada dore, 7729 pjesë municioni, 1140 pjesë municioni për pushkët gjermane, 89 karikatorë automatikësh, 12 karikatorë pistolete, 8 thika, 38 parashuta, 4 thasë parashute, 22 palë pantallona amerikane, 6 kapota amerikane ushtarake, 32 palë këpucë, 11 kapele, 14 palë çizme, 10 pardesy shiu, 6 rripa ushtarakë, 8 dyshekë, 23 batanije, 17 qese, 12 mbajtëse uji, 10 thasë lecke me oriz, 10 thasë lecke me fasule, disa bukë, oriz e sheqer i përzier, 522 kanaçe ushqimi, 3 komplete mjekësore, 10 pako brisqe, 218 pako cigare, 180 monedha ari, 90 monedha gjysëm ari, një bllok me shumë shënime dhe tre letra me informacion dhe pamje. I pandehur, përse i kemi marrë gjithë këto materiale nga amerikanët?

Këto materiale, armë e municione u dërguan sipas kërkesës time në telegramin e fundit nga Shqipëria, dhe duke plotësuar premtimin e shërbimeve amerikane të inteligjencës përpara se të më dërgonin në Shqipëri. Këto materiale m’u dërguan me qëllim që të armatosja njerëzit që janë të pakënaqur me pushtetin popullor, të cilët unë supozohem të kem gjetur në Shqipëri, dhe t’i përdor ata në momentin e duhur për një kryengritje.

Kujt duhet t’ia dorëzonit këto armë?

Këto armë e furnizime duhet t’ia dorëzoja njerëzve që kam kontaktuar dhe që supozohet të jenë besnikë ndaj meje?

Çfarë duhet të bënit më këto armë?

Duhet t’i fshehja diku dhe t’u thoja njerëzve të bëhen gati për kryengritjen e armatosur, në mënyrë që amerikanët të kenë një pretekst për të hyrë në Shqipëri.

Për çfarë do të përdoren këto armë? Kundër kujt do t’i përdornit?

Kundër regjimit popullor

Më lejoni shoku president; duke marrë parasysh se një kryengritje e armatosur nuk bëhet me një çelës elektrik që vetëm e shtyp dhe nis, i akuzuari duhet të shpjegojë për përgatitjet që nevojiten për të kryer kryengritjen e armatosur. I akuzuari duhet tregojë çfarë do të pinte përpara nisjes së kryengritjes.

Ne, me anë të elementëve të pakënaqur, kishim përgatitur disa baza. Pas krijimit të këtyre bazave, unë do të shpërndaja armët për elementët që kishim mbledhur. Kjo ishte faza e parë e përgatitjeve. Gjatë fazës së dytë, pasi të kisha krijuar lidhjet me elementët e pakënaqur si për shembull oficerë, punonjës dhe njerëz të tjerë, unë do të informoja shërbimet amerikane të inteligjencës në Athinë. Për çdo veprim timin unë do të informoja me radio amerikanët në Athinë. Këto ishin pikat kryesore të planit që kisha në xhep kur u kapa nga forcat e sigurisë.

Atëherë, çfarë veprimesh specifike duhet të bëje?

Ne duhet të kishim gati armët për fazën finale të planit tonë kundër pushtetit të popullit.

Po ju thatë që do t’i shpërndanit ato te njerëzit tuaj të besuar?

Po

Kundër kujt do t’i përdornit këto armë?

Ne do t’i përdornim këto armë kundër pushtetit të popullit. Këto armë do të na kishin shërbyer për aktivitetet tona, për grushtin e shtetit të armatosur, dhe për të vrarë njerëzit e pushtetit popullor të Shqipërisë.

Shoku president, a mund të besojmë ne se Zenel Shehu, lideri i grupit, dhe bashkë me të i gjithë grupi i tij, do të kryenin akte terroriste në Republikën Popullore të Shqipërisë, kundra njerëzve të regjimit dhe masave të popullit, a mund ta besojmë? Presidenti – Le të përgjigjet i akuzuari.

Unë padyshim do të përdorja të gjitha armët dhe mjetet në dispozicion kundër njerëzve të Republikës Popullore të Shqipërisë.

Në materialet që ju dërguan forcat amerikane përfshiheshin një numër i madh aparatesh radio, 13 aparate. Për çfarë ju nevojiteshin gjithë këto aparate radio?

Ne duhet t’i shpërndanim ato në zona të ndryshme të Shqipërisë për të pasur kontakt të vazhdueshëm e të pandërprerë me shërbimet amerikane të sigurisë në Athinë. Sa më shumë qendra radio që të kishim aq më mirë për ne ishte, sepse në rast se ndonjëherë zbulohej të tjerat do të njoftonin më shpejt dhe shërbimet tona ishin më të sigurta.

Mes aparateve radio ishte një më i madh që funksionon me gjenerator.

Po, ky është më i sigurti nga të gjithë aparatet. Ai punon në kushte të mira dhe të këqija moti, si dhe në kohë lufte.

 Kush jua tha këtë?

Këto instruksione na i kanë dhënë në Athinë nga koloneli amerikan Xhon.

Më lejoni zoti president; i akuzuari tha se radion që punojnë me gjenerator mund të përdoren në kohë lufte. Për cilën luftë e keni fjalën

E kam fjalën për kryengritjen e armatosur që ne do të kryenim kundër pushtetit popullor në Shqipëri.

Më lejoni zoti president; dua të pyes të akuzuarin se sa mesazhe radio ka dërguar deri tani për inteligjencën amerikane përpara se të kapej, dhe për çfarë ka raportuar në to? Përgjigjuni prokurorit, i akuzuar.

Po. Me sa mbaj mend, unë kam dërguar për amerikanët në Athinë ndoshta shtatë apo tetë mesazhe, nuk e mbaj mend numrin e saktë.

 Çfarë keni raportuar në këto mesazhe?

Në mesazhet e para kam shkruar vetëm se “arrita” pasi ende nuk kishin vendosur kontakt me elementët që duhet të kontaktojë. Në disa mesazhe të tjera kam kërkuar ushqime, duke theksuar se ishte e vështirë të gjeje furnizime pasi nuk kisha gjetur elementë besnikë.

Zoti president, a ka dërguar i akuzuari informacione në lidhje me ushtrinë tonë, fuqinë e apo gjëra të tillë? I akuzuar, përgjigju pyetjes së prokurorit.

Po, kam dërguar informacione të tilla.

A ka kryer i akuzuari propagandë kundër pushtetit popullor? Çfarë lloj propagande, dhe cili ishte kuptimi i saj?

Me elementët e pakët që kisha këtu, kam kryer propagandë në favor të Zogut dhe amerikanëve, dhe kundër pushtetit të popullit.

Kë keni takuar të parin?

Pasi u larguam nga fusha e Korçës, arritëm në një fshat të quajtur Tetovë. Jashtë Tetovës takuam një burrë të vjetër, Rrapush Merçani, të i cili qëndruam një natë. Ai ishte mik i Xheladin Tresovës. Rrapushi ishte një nga të pakënaqurit me pushtetin. Ai na dha për të ngrënë e për të pirë, dhe gjithçka që kishte në shtëpinë e tij. Ai ishte i pakënaqur me regjimin. Na tha se në fillim kishte qenë me Ballin Kombëtar dhe më vonë kishte hyrë në partinë e Zogut. Na tha se ishte nga jugu i Shqipërisë dhe kishte punuar fshehtësisht me disa kosovarë që jetojnë në Fier dhe Lushnje. Jeto na tha burri i vjetër. Ne i kërkuam të na drejtonte për te mali Lenie në Korçë. Ai u përgjigj: “Unë jam një burrë i vjetër, por do t’ju jap tim bir që t’ju drejtojë”. Kështu atë natë sapo u errësua, ai na dha djalin e tij Qerimin.

A ju pyeti ai nga vinit?

Ai më pyeti mua.

Çfarë i thatë?

I thashë se vija nga Greqia. Nuk i thashë se kishim ardhur nga Egjipti e Franca. I thashë vetëm se vija nga Greqia.

 A ju pyeti përse ishit të armatosur?

Sigurisht. Unë i thashë se kjo ishte për propagandë kundër pushtetit të popullit.

 Me kë tjetër keni folur?

Pasi arritëm në Martanesh, unë nuk gjeta aty ndonjë bazë. I vetmi njeri që takova në Martanesh ishte bashkëshorti motrës së Gjyle, Gjyle i cili më shoqëronte dhe qëndronte me mua. Ai nuk pranoi të na shoqëronte apo të krijonim aty një bazë. Kur unë arrita në Bulqizë me disa njerëz që kisha me vete, dhe pamë se nuk mund të bënim asgjë, unë kontaktova me njerëzit e familjes time. Sigurisht që me ta, unë bëra propagandë kundër pushtetit të popullit.

I akuzuar, dje na thatë se Zogu të kishte instruktuar të mos kontaktoje me familjen tënde.

Po, kështu kam thënë.

Pra ju e prishët zotimin tuaj?

Po. Unë kontaktova me familjen time pasi nuk po shihja asnjë mundësi tjetër. Siç ju thashë, i afërmi im më i afërt më refuzoi dhe kërcënoi të më vriste. Prandaj pasi i afërmi im më i afërt nuk më pranoi, u detyrova të thyeja premtimin ndaj Zogut dhe vetes.

A ju keni treguar njerëzve me të cilët keni kontaktuar, për misionin tuaj?

Po, u kam treguar atyre në përgjithësi se kisha ardhur për punë, dhe se ky pushtet i kishte ditët e numëruara.

 Çfarë lloj pune ishte kjo? A ju treguat atyre?

Nuk i kam treguar me detaje.

 Por, në përgjithësi po?

U kam treguar në përgjithësi.

 Çfarë ju keni thënë atyre?

Konkretisht u kam thënë …

 Çfarë?

Thashë se njerëzit janë të pakënaqur me pushtetin aktual. U thashë se kam ardhur me qëllim përgatitjen e një kryengritjeje kundër pushtetit të popullit, kështu që më pas të vijnë ameirkanët në Shqipëri dhe se njerëzit e duan Zogun sepse e njohin atë.

 A ju thatë se kush ju kishte dërguar?

Po u thashë.

Na tregoni si jua thatë

U thashë se kam ardhur për llogari të mbretit Zog. Zogu më dërgoi këtu me ndërmjetësimin e amerikanëve. Amerikanët më dërguan në Shqipëri.

Në çfarë mënyre jua thatë?

Zogu më dërgoi te amerikanët, dhe amerikanët më dërguan ën Shqipëri. Kjo është e vërtetë sepse jam në kontakt me amerikanët.

 A ju këshilloi ndokush të dorëzoheshit?

Po. Në takimin tim të parë me të afërmit, ata më thanë: “Është me mend të dorëzohesh, sepse nuk ka rrugë tjetër”, dhe në fund ata më thanë “ti mund edhe të kthehesh prapa sepse këtu nuk ka vend për aktivitetet e tua”.

Çfarë përgjigje i dhatë ju?

Unë nuk e pranova këshillën e tyre.

 Kjo do të thotë se ju vazhduat punën tuaj?

Po

 Sipas programit të spiunazhit amerikan?

Po

I akuzuar, përse nuk e përmbushët detyrën tuaj?

Nuk munda të kryej detyrën time pasi u kapa nga organet e sigurisë.

Si jua prezantuan ata situatën në Shqipëri? Dua të them, ata që ju dërguan këtu.

Amerikanët dhe Zogu ma prezantuan situatën në Shqipëri krejt ndryshe nga ajo që zbulova unë këtu.

Në ç’mënyrë?

Zogu dhe amerikanët më thanë: “Kontaktin e parë do ta kesh me një njeri të besuar, do të kesh një aktivitet të lirë dhe gjithçka do të jetë fushë me lule”. Por kur erdha unë këtu gjeta një situatë të kundërt me këtë. Edhe miqtë e mi gjetën po këtë situatë.

A i gjetët ju këta njerëz?

Nuk gjeta asnjërin.

A shkuat te familja juaj? Si ju pritën? Na tregoni edhe një herë.

Familja dhe njerëzit e mi më pritën me pakënaqësi të plotë.

Në çfarë aktivitetesh jeni përfshirë gjatë qëndrimit jashtë vendit?

Gjatë qëndrimit jashtë vendit kan qenë gjithnjë në shërbim të Zogut.

 Na tregoni më shumë për këto aktivitete? 

Kam kryer agjitacion dhe propagandë në favor të Zogut dhe kundër partive të tjera. Për këtë s’ka dyshim.

 Në cilën organizatë merrnit pjesë?

Marr pjesë në Partinë e Legalitetit

 Çfarë është kjo organizatë?

Kjo organizatë, si të thuash, përgatit dhe sjell në Shqipëri diversantë nga shërbimet amerikane dhe britanike të spiunazhit. Ajo është një grup agjentësh që furnizojnë me agjentë dhe çfarëdo tjetër spiunazhin amerikan dhe britanik.

 Kush e drejton këtë organizatë? Kush është krimineli kryesor?

Ajo drejtohet nga Abaz Kupi.

 Cilët janë anëtarët e saj?

Përgjigje – Ajo përfshin Abaz Kupin, Selim Domanin, Gaqo Gogën dhe të tjerë, emrat e të cilëve nuk i mbaj mend. Këta janë drejtuesit.

Kush paguan për të?

Kjo parti ose grup, është si të thuash në shërbim të amerikanëve. Siç më kanë thënë Abaz Kupi në Kairo, ajo financohet nga amerikanët e britanikët.

 A ka grupe të tjera kriminale si kjo jashtë Shqipërisë?

Po, ka. Ato janë Legaliteti, Balli Kombëtar dhe grupi i Indipendentëve.

 Ndonjë emër tjetër?

Edhe Partia Agrare ose e Fshatarëve.

 Po Komiteti i Shqipërisë së Lirë, a keni dëgjuar për të?

Po, ka një komitet, i quajtur më vonë Komiteti Shqiptar, që përfshin elementë të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit.

Çfarë është ky komitet?

Është një komitet që besohet se është i amerikanëve dhe britanikëve, me qëllim që t’i japë atyre njerëz apo grupe për t’i dërguar në Shqipëri. Ky komitet mbështetet dhe organizohet nga amerikanët dhe britanikët kundër Shqipërisë. ai përfshin Hasan Dostin, kryetar, Abaz Kupin, Zef Palin e Said Kryeziun si anëtarë. Komiteti Kombëtar i Shqipërisë së Lirë ka organizuar një kurs spiunazhi me ndihmën e amerikanëve dhe britanikëve, në Munih të Gjermanisë Perëndimore. Pasi përgatiten dhe janë gati, agjentët dërgohen vazhdimisht në Republikën Popullore të Shqipërisë. elementët shqiptarë që dërgohen te ky kurs merren prej anglezëve dhe amerikanëve nga komiteti.

Kush janë këta njerëz në Komitetin e Shqipërisë së Lirë? Ju na thatë emrat e tyre, por çfarë njerëzish janë? Çfarë është Abaz Kupi?

Në Shqipëri, Abaz Kupi ka qenë kryetar i partisë së Legalitetit, që bashkëpunonte me fashistët dhe gjermanët. Ai ishte me ta kundër popullit shqiptar dhe tani kundër pushtetit popullor.

Çfarë ka bërë ai kundër pushtetit popullor? Çfarë dini ju për të?

Ai ka luftuar. Ka luftuar kundër, domethënë ishte me ta.

Me kë ka luftuar ai?

Me pushtuesin.

Me pushtuesin?

Po

Ku është ai tani?

Ka shkuar te pushtues të tjerë, te imperialistët. Ata duan të sjellin një tjetër qeveri imperialiste, sipas dëshirës së anglo-amerikanëve. Atyre u jepen para dhje financa për këtë qëllim, për të përmbysur pushtetin popullor aktual në Shqipëri.

I akuzuar, na tregoni për marrëdhëniet mes grupeve të ndryshme të refugjatëve, të kriminelëve jashtë shtetit.

Ata nuk bien dakord me njëri-tjetrin. Janë bërë shumë përpjekje për t’i bashkuar, por Zogu nuk donte që ata të bashkohen. Megjithëkëtë, komiteti … grupi i komiteteve që janë bashkuar në Komitetin e Shqipërisë së Lirë për arritjen e qëllimeve, nuk janë të sinqertë me njëri-tjetrin.

 Përse nuk bashkohen ata?

Sepse siç thotë shprehja “përça e sundo” që është parimi kryesor i Zogut, ai kërkon t’i përçajë grupet dhe t’i bashkojë më vonë nën sundimin e tij. Zogu donte të vinte në Komitetin e Shqipërisë së Lirë të gjithë elementët e tij besnikë, ato të Legalitetit. Por nuk ia arriti qëllimit sepse lideri i komitetit ishte asokohe Mithat Frashri, kurse Abaz Kupi, Zef Pali, Sias Kryeziu dhe Miço Kota ishin vetëm anëtarë.

I akuzuar, na thoni më shumë për aktivitetet e Zogut me kriminelët e luftës.

Zogu është përpjekur të ruajë kontaktet me të gjithë kriminelët e luftës për t’i bashkuar. Ai po i afronte të gjithë njerëzit, edhe armiqtë e tij, me qëllim që t’i bashkonte dhe të përmbyste më vonë pushtetin e popullit.

Na tregoni më konkretisht për lidhjet e tij.

Kishte lidhje me Mustafa Kujën, Ali Këlcyrën, armiq të tij vjetër nga shumë kohë më parë. Zogu ka bërë paqe me ta.

Si është e mundur kjo? Dje ata ishin armiq kurse sot ai bën paqe? Përse bëri paqe me ta?

Ai bëri paqe me ta për të përmbysur pushtetin e popullit.

 Përse ishin ata armiq të tij më përpara?

Sepse ata donin të ruanin pozitën e tyre por Zogu i hoqi nga postet.

 Çfarë po bën ai tani?

Tani nuk ka mënyrë tjetër për t’i bashkuar, përveç formimit të një blloku për përmbysjen e rendit popullor.

Na tregoni për mendësinë e Zogut gjatë kësaj periudhe të ekzilit të tij.

Gjatë kësaj periudhe Zogu ka bërë të pamundurën për të rënë në sy të anglo-amerikanëve, fillimisht me britanikët e më pas me amerikanët, në mënyrë që më vonë të njihet si lider dhe të formojë qeverinë që ta përdorë kundër pushtetit popullor të Republikës së Shqipërisë, në fjalë të tjera, që të marrë postin më të mirë dhe rrogën më të mirë.

 Ku do ta formojë ai këtë qeveri?

Ai donte ta formonte këtë qeveri në emigracion, për shembull kur ishim në Angli, ai u përpoq të formonte qeverinë me ndihmën e autoriteteve britanike, dhe më vonë u përpoq me amerikanët. Nuk ia arriti ndonjëherë qëllimit të tij.

 Çfarë marrëdhëniesh të tjera kishte Zogu me imperialistët amerikanë e britanikë?

Me sa di unë zoti kryetar, kur ishim në Angli ai kishte kontakte me një ish-ministër të Shqipërisë (Rojan) dhe me kolonelin Hill

 Çfarë lloj njerëzish janë ata? Çfarë misioni u kishte dhënë imperializmi amerikan … apo britanikët

Rojan është një ish-ministër i Shqipërisë. ai është një palë e tretë mes ministrisë së jashtme britanike deh Zogut. Kurse Hill ishte i shërbimeve të inteligjencës. Para se ne të vinim …

Po?

Ai, Zogu kishte kontakte të vazhdueshme me kolonel Sterling, i cila ka qenë në Shqipëri para luftës.

 Çfarë ka bërë ai në Shqipëri para luftës?

Ka qenë një organizator për xhandarmërinë shqiptare, por në realitet ishte spiun. Më vonë ka qenë kreu u shërbimeve të inteligjencës në Siri, të cilin e përzunë nga vendi. Kur erdhi në Egjipt ai kishte kontakte të vazhdueshme me Zogun. Kohët e fundit edhe Egjipti e ka përzënë nga vendi.

Cilat ishin marrëdhëniet e Zogut me këta njerëz, dua të them me Rojan, Hill dhe një tjetër gjeneral anglez?

Është një tjetër gjeneral, është kreu u shërbimeve të inteligjencës në Lindjen e Mesme. Nuk e di emrin e tij.

 Cilat ishin marrëdhëniet e tyre?

Marrëdhëniet ishin në lidhje me organizimin e kryengritjes së armatosur për përmbysjen e pushtetit popullor.

 Ç’dini për aktivitetet e tjera të Zogut?

Përveç këtyre aktiviteteve, ai kryente tregti në Egjipt dhe Angli.

 Çfarë tregtie?

Ai bënte tregti pambuku, bënte dhe kontrabandë ari, e blente me çmim të lirë dhe e shiste më shtrenjtë.

 A ishte e ligjshme kjo tregti?

Ishte krejt e ndaluar. Edhe unë i kam thënë se nuk është mirë të bësh kontrabandë floriri.

 Çfarë ju përgjigj Zogu juve?

Më tha se Faruku e kishte lejuar ta bënte këtë në Egjipt.

 Përse e ka lejuar Faruku ta bënte këtë në Egjipt?

Sepse ishin si të thuash partnerë në biznes.

 A bënte tregti me njerëz të tjerë Zogu në Egjipt?

Po bënte me disa pashallarë, të cilëve nuk ua di emrat.

 Çfarë tregtie bënin?

Jua thashë, tregti pambuku dhe tregti ari./Sot

Please follow and like us: