Donald Lu: Koha për të vendosur është tani
Fjala e Ambasadorit Donald Lu perpara Kuvendit te Shqiperise gjate tubimit te disa organizatave te shoqerise civile:
Dje, pas takimit të shkurtër midis Z. Rama, Z. Meta dhe Z. Basha, ekspertët tanë u takuan për 8 orë negociatash deri në orën 2 të mëngjesit.
Por nuk arritën dot një marrëveshje. Pas 18 muajsh negociata, pse nuk arrijmë kurrë një marrëveshje?”
Pse? Për shkak.
Është e qartë se disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje.
Dy javë më parë, dëgjova me zë të fortë nga Basha dhe Bylykbashi se nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen.
Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund, Rama u dorëzua dhe u ofroi atyre saktësisht atë që Basha kishte kërkuar, një proces përzgjedhjeje të quajtur 6 plus 6.
Por kjo nuk mjaftonte. Tani, për herë të parë, ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar, nuk mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionerëve.
Epo kjo është e çuditshme. Më 19 maj Basha na tha ne dhe Ambasadores Vlahutin se të huajt ishin të vetmit persona që mund ta pastronin peshkun nga koka. U tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të PE-së, Kukan dhe Fleckenstein. Bylykbashi e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar, të shkruar, që na dërgoi. Tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre.
Përse? Njerëz të fuqishëm kanë frikë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur.
Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë jam duke u dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. Ju siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata.
Gjatë ditëve të fundit jam takuar me dhjetëra deputetë, nga të gjitha partitë politike. Jam i bindur se këta persona i kanë për zemër interesat më të mira të Shqipërisë. Të gjithë e duan këtë reformë. Pyetja është nëse do të kenë kurajon të votojnë për atë që e dinë se është e gjëja e duhur për Shqipërinë, apo do të votojnë për shkak të frikës nga udhëheqësit e partive të tyre politike.
Shqipëria u themelua më shumë se 100 vite më parë nga burra dhe gra të guximshëm. Burra si Ismail Qemali rrezikuan jetën e tyre për pavarësinë e këtij vendi. Është përsëri koha t’u kërkohet shqiptarëve kurajo dhe besim për të bërë atë që është e drejtë.
Koha për të vendosur është tani. Miratojeni këtë reformë!