Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogan në CNN: Shkresa për gylenistët, të gjithë vendeve europiane dhe afrikane; atë natë 15 minuta më ndanë nga vdekja

578db10e90e5e

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, ka folur për kanalin televiziv, “CNN International”, intervista e parë kjo për një media të huaj pas tentativës së dështuar të 15 korrikut për grusht shteti.

Në përgjigje të pyetjes mbi ekstradimin e kreut të organizatës guleniste (FETO), Fethullah Gulen, lideri turk theksoi se këtë kërkesë ia ka bërë verbalisht më parë vetë Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

“Brenda kësaj jave, do t’i dërgojmë Uashingtonin kërkesën tonë zyrtare me shkrim, ndërkohë që të njëjtën gjë do të fillojmë të bëjmë gjithashtu me disa vende të tjera perëndimore dhe vende afrikane; pra, do të dërgojmë kërkesa zyrtare edhe për to”, tha Edogan.

Kreu i shtetit turk u pyet më tej se cilat do të jenë hapat e Ankarasë nëse administrata amerikane e refuzon ekstradimin e Gulenit?

“E thjeshtë”, u përgjigj Erdogan, “nuk do të ekstradohen as kriminelët që do t’i kërkohen Turqisë”.

“Ju rikujtoj se Turqia ka ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës çdo terrorist që është kërkuar nga ky vend, sipas Marrëveshjes për Ekstradimin e Kriminelëve dhe Ndihmë Reciproke në Çështjet Penale. Kur ju kërkoni prej nesh, ne jua dorëzojmë, sepse jeni partneri ynë strategjik. Atëherë përse ju nuk e ekstradoni? Edhe ju do të na e jepni. Përkundrazi, këtej e tutje hyn në mes reciprociteti, prandaj dhe ne nuk do të bëjmë më ekstradime”, u shpreh ai.

Presidenti Erdogan u ndal edhe mbi dënimin me vdekje, që është ngritur sërish në rendin e ditës, duke sqaruar se populli turk ka paraqitur një kërkesë serioze në lidhje me këtë çështje.

Ai siguroi se këtu bëhet fjalë për tradhti ndaj atdheut dhe se qeveria nuk mund ta refuzojë kurrë një kërkesë të tillë nga populli.

Por, shtoi lideri turk, “kjo duhet të marrë formën e një vendimi kushtetues dhe unë jam gati ta dekretoj, nëse dënimi me vdekje miratohet në Parlamentin e Turqisë.

Në fund, Erdogan foli gjithashtu për natën e sprapsjes së tentativës për grusht shteti duke nënvizuar se ai vetë ka qenë në dijeni të çdo detaji, çast pas çasti.

“Po të ishte se do të kisha qëndruar edhe 15 minuta të tjera në Marmaris, puçistët ose do të më vrisnin ose do të më merrnin peng”, tha Presidenti Recep Tayyip Erdogan në lidhje me sulmin ndaj hotelit, ku ai po kalonte pushimet, gjatë tentativës së dështuar për grusht shteti, ndërmarrë nga organizata terroriste guleniste natën e 15 korrikut.

Please follow and like us: