Heshtja/Pse nuk flet ish-Kryeministri Berisha për Drejtësinë dhe Qeverinë teknike?
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur heshtjen përkundrejt çështjeve më të debatueshme në politikën shqiptare, që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi dhe propozimin e hedhur nga Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, për një Qeveri teknike.
E ndërsa herë pas here në rrjetet sociale, Berisha duke iu referuar qytetarit digjital ngreh akuza të ndryshme, prej ditës së premte, ai nuk bën asnjë koment mbi Drejtësinë dhe Qeverinë teknike.
Postimin e fundit nëse mund të merret si i lidhur me reformën në drejtësi, është akuza e ngritur ndaj Fatmir Xhafaj, i cili kryeson komisionin parlamentar për reformën në drejtësi. Berisha akuzon Xhafaj për lidhjet e vëllait të tij me trafikun e drogës.
Ndërkohë që për dy çështjet më kryesore të politikës, ish-Kryeministri ka zgjedhur të heshtë.
Lideri historik i PD-së, i cili prej 25 vitesh drejton këtë parti dhe ka influenca të plota, 5 vjet ish-President dhe 8 vjet ish-Kryeministër, i cili për çdo çështje ka komentet e tij, në dy rastet e fundit, ka zgjedhur heshtjen.
Në asnjë rast apo për çdo zhvillim të ndodhur deri më tani, Berisha nuk ka qenë kaq pasiv sa për këto dy çështje, madje nuk mungojnë rastet kur ai ka bërë deklarata të cilat binin ndesh me qëndrimet e PD-së, por për këtë është justifikuar se është vetëm një deputet i saj.
Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga seanca e 21 Korrikut, ku do të votohet reforma në drejtësi, dhe së dyti për Qeverinë teknike, ide e hedhur nga Ilir Meta dy ditë më parë në një konferencë të posaçme për mediat, Berisha qoftë edhe si deputet, edhe për shkak të influencës së tij në politikën shqiptare, nuk mund të qëndronte neutral.
Postimet e fundit në faqen zyrtare në Facebook, tregojnë se ish-Kryeministri ka qenë aktiv në rrjetet sociale, ka denoncuar disa çështje, por ka preferuar të heshtë që nga momenti që Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, theu heshtjen për reformën në drejtësi, dhe propozoi Qeverinë teknike. /citynews/