Për Rusinë nuk ka vend në Rio
Presidenti i IOC,Thomas Bach nuk preferon që ta dëbojë krejtësisht nga Olimpiada Rusinë. Por raporti McLarenit nuk i lë mundësi tjetër, mendon redaktori sportiv i DW, Stefan Nestler.
Dëshmitë janë të forta: Raporti që ka hartuar profesori kanadez i shkencave juridike Richard McLaren i ngarkuar nga Agjencia-Botërore-Anti-Doping WADA nuk lënë asnjë dyshim: qeveria ruse ka qenë e përfshirë në dopingun sistematik në Lojërat Olimpike në vitin 2014 në Soçi. Ministria e Sportit i “ka drejtuar, kontrolluar dhe mbikqyrur” manipulimet e provave pozitive të dopingut të sportistëve rusë, thuhet në raportin e McLarenit. Me fjalë të tjera: shteti jo vetëm që e ka mbuluar dopingun, por edhe e ka drejtuar mashtrimin në sport.
Doping edhe në llojet e sporteve verore
Hetuesit e WADA-s, dhe këtu qëndron forca shpërthyese e raportit – gjetën veç kësaj dëshmi që ky sistem dopingu i drejtuar nga shteti u përdor edhe në llojet e sporteve verore olimpike: kështu edhe në sportin e kanotazhit, në vozitje, në çiklizëm, në not, xhudo, futboll, hendboll dhe volejboll janë zhdukur teste pozitive të dopingut të sportistëve rusë. Në “pjesën dërrmuese të llojeve të sportit” në Rusi është përdorur doping në mënyrë sistematike, thotë Richard McLaren.
Bach përballë fjalës së dhënë
Tani topin e ka Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Shefi i IOC, Thomas Bach, që siç dihet nuk i pëlqen dëbimi i plotë nga Olimpiada e Rios 2016 të ekipit rus, tani duhet të matet me fjalët që ka thënë vetë. “E qartë është, po të kishte pasur një ndërhyrje institucionale, edhe IOC do të reagonte në mënyrë institucionale dhe nuk do të nguronte”, ka thënë Bach. Kushti i ndërhyrjes shtetërore sipas Bach ekziston. Një dëbim i plotë do të ishte pasoja logjike, nëse Bachu dhe IOC e kanë seriozisht parrullën e tyre të “politikës së tolerancës zero” ndaj dopingut.
Nevojitet një sinjal politik
E vetmja mundësi shpëtimi, do të ishte një rrugë juridike: nëse Gjykata Sportive Ndërkombëtare vendos që përjashtimi i gjithë ekipit do të ishte një ndëshkim edhe për ata që nuk kanë përdorur doping dhe që të kërkojë dënime dragoniane vetëm për rastet e dëshmuara. Por si mund të ndëshkohet dopingu i mbështetur nga shteti? Këtu nevojitet një sinjal sportiv politik, dhe IOC nuk duhet ta humbasë këtë shans.