Përçarja e shqiptarëve dhe benzina e Ramës
Jemi të përçarë si popull, të paktën që nga viti 1945, kur në Shqipëri fitoi “Revolucioni marksist popullor” me bajonetat e Hoxhës. Na ndau doktrina staliniste e Luftës së Klasave, që u zbatua nga Hoxha simbas doktrinës së lashtë dhe përherë aktuale romake: “Përca dhe sundo!”
Dhe jemi ende të përcarë si mos më keq dhe jetojmë me këtë përçarje si me ajrin që thithim dhe u lodhëm dhe u rraskapitëm që çke me të. Doli sot një lajm i rëndë, trupat speciale maqedonase po grumbullohen drejt Kumanovës. Nuk dihet pse?! Nuk dihet kë dhe sa do vrasin ndër shqiptarë të Maqedonisë nën pretekstin e terrorizmit apo kryengritjes…
Asnjë vëmendje në Tiranë.
Të gjithë të përqndruar te Rama-Meta-Basha. Në vitin 2013, shqiptarët në Shqipëri votuan masivisht Koalicionin Rama-Meta. Zgjedhje pothuajse normale shqiptare. Diferenca e votave krejt në favor të një Shumice të re qeverisëse.
Edi Rama plotësoi falë këtyre votave dhe falë mbështetjes korrekte të Ilir Metës, një numër impresionues votash pro në Kuvend dhe hypi në kolltukun e ëndrës së tij më të bukur.
Që me sa duket e ka patur të fshehtë, por legjitime.
Mirëpo kur ëndrat kthehen në makthe dhe në motor aksionesh, atëhere, dicka e rëndësishme prishet në mekanizmin e shtetit, politikës dhe qeverisjes.
E filloi me emërime absurde marjonetash të panjohura, në drejtoritë më kyce financiare dhe ekonomike të Shqipërisë. Si të ishte jo kryeministër me përgjegjësi ndaj votës dhe pritshmërive, por si një feudal i vogël province.
Pastaj ju turr Opozitës!
Me tringëllima prangash dhe akuzash, duke udhëhequr personalisht jo një process verifikimi normal, qoftë edhe investigues, por brutalisht kërcënues.
Edi Rama kish harruar ndërkohë që erdhi me votë dhe jo me Revolucion!
“Nuk keni parë gjë akoma!” se çfarë do t’ju bëj, ishte fraza e tij standarte. Menduam se ishte një frazë retorike e inatçore e një kryeministri pa eksperiencë, por gjithësesi një krijesë sociale e talentuar.
Por Benzina e urrjetjes politike, të kujtonte gjithmonë e më shumë hakmarrjen, larg e më larg nga fryma reformiste, normale dhe objektive. Vazhduan në këtë frymë emërime njerëzish pa integritet publik në administratë dhe ndërkohë edhe ndëshkime mbarë popullore në emër të reformës fiskale apo të energjisë.
Përsëri durimi dhe pritshmëria kishin ende hapësirë. Ende shpresë në vetkorigjimin kryeministror të lajthitjeve të rioshit 50 vjecar në pushtet maksimal kombëtar për herë të parë.
Por manovra byzantine me Reformën në Drejtësi e nxorri zbuluar.
Rasti fatlum e solli që u kapën ditën për diell Përgjime kriminale e të Paligjshme, të urdhëruara nga qeveria. Prokuroria e përgjithshme veproi dhe kërkoi pezullimin e Drejtoit të përgjithshëm të Policisë së shtetit.
Gjykata pa letrat e kallximit dhe e miratoi duke e shkarkuar atë. Fill më pas shpërtheu Ferri dhe Flaka dhe shkumëzimi i Ramës, kundër Gjykatës, kundër gjykatësit, kundër Drejtësisë. Hodhi pra benzinë e zjarr kërcënues mbi të gjithë sistemin e drejtësisë.
Dhe i mposhti, duke kthyer kryepolicin në detyrë.
Dhe ndërkohë, mbasi dhunoi drejtëpërsëdrejti Drejtësinë në favor të vet, mbante Fjalime të “Dlira” dhe të “Sinqerta”, për një Drejtësi të Drejtë dhe të Pakorruptuar!
Duke ju drejtuar një populli budalla?!
Apo një klase politike budallaqe, sipas optikës së tij?
Apo ca ndërkombëtarëve budallenj edhe ata simbas gjykimit të tij?
Duke harruar që ata, të gjithë sëbashku ose veç e veç, janë po aq, në mos më tepër, dinakë, bizantinë dhe dyshues, se ai. Dhe sot jemi përpara një Përçarjeje të Re, për hatër të ëndrave dhe ambicieve të Edi Ramës, me mbretër e princa.
Dhe kështu vjen fundi, nga i cili dialektikisht, nuk shpëtohet dot….