Albspirit

Media/News/Publishing

Reforma në Drejtësi dhe zgjedhjet e parakohshme, ja ç’thonë analistët

 

Reforma në Drejtësi dhe mundësia reale për krijimin e një qeverie teknike ka bërë që të gjithë gazetarët dhe opinion bërësit në vendin tonë të marrin lapsin dhe letrën dhe të japin mendimin e tyre.

Më poshtë janë disa nga shkrimet kryesore, që lidhen drejt për drejt me atë që po ndodh në politikën shqiptare, ku koalicioni majt është thuajse i rrëzuar…
Agron Gjekmarkaj vlerëson se deklarata e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta ishte një deklaratë patriotike, prej burri shteti, teksa i kujton Ramës, premtimin për tu bërë rrobaqepës. “Meta bëri një nga deklarat më të guximshme dhe më të veshtirat në karrieren e tij politike duke gjykuar nga kontesti politik dhe diplomatik. Nga vetja do të shtoja edhe një nga më të dobishmet për vëndin. Personalisht nuk e kam votuar kurrë Metën dhe partinë e tij e as kam ndermend ta bëj. Gjykimi kesaj here i tejkalon antipatitë politike personale. Në këtë pikë ku kanë zbritur kredencialet e të ardhmes së vëndit mendoj që Kryetari i Kuvendit po sillet si burrë shteti me një qasje patriotike. E di shumë kush do shqyej sytë dhe kendellet në habi ngasa po them. Permbajtja e fjales së tij shpreh një koherencë që Meta e ka shfaqur që nga fillimi deri në fund të procesit të reformes në drejtësi e cila permblidhet tek fjalet konsensus me Opoziten sipas Venecias. Jo njëanshmeri, jo trafikim votash. Tani Ramës i mbetet të mbaj premtimin solemn dhe të bëhet rrobaqepës…”, shkruan Gjekmarkaj.

Gazetari Mero Baze thekson se tashmë kemi një koalicion të ri, Berisha-Meta. Edhe pse shkrimi tij ngjan pak si arbitrarë, në stërhollimin e tij, analiza është interesante.

Sipas Bazes, “qëndrimi zyrtar i Ilir Metës tregon se reforma ka krijuar një koalicion të ri politik. Në një anë është Sali Berisha me Ilir Metën, dhe në anën tjetër Partia Socialiste dhe SHBA me BE, që mbështesin propozimin e zonjës Nuland. Ky pozicion i ri politik, e bën më të qartë betejën dhe më të zymtë të ardhmen e numrave pro reformës. Për hir të së vërtetës, LSI e ka mbështetur qëndrimin e saj tek reforma, duke e kushtëzuar atë qysh në fillim me konsesusin e Berishës. Dhe Berisha po ashtu e ka mbështetur dhe i ka qendruar burrërisht paktit me Metën rreth reformës, duke mbrojtur qëndrimet e tij. Tani ky pakt është i hapur dhe zyrtar, dhe palët duhet të rillogarisin forcat rreth këtij realiteti”, shkruan gazetari.

“… Reforma në drejtësi është beteja thelbësore për politikën shqiptare, dhe është e natyrshme që ajo të prodhojë jo vetëm politikë, por dhe aleanca të reja politike. LSI dhe Ilir Meta është në të drejtën e vet të bashkojë votat me kë të dojë në propozimet për reformën, por e rëndësishme është që palët u shprehën paraprakisht. Do të ishte më keq, sikur LSI të bënte sikur ishte formalisht me reformën e zonjës Nuland dhe të shkonte në votime kur të bindej se nuk ishin bërë 93 vota për ta miratuar”, shkruan Baze, i cili nënvizon, se , ky qëndrim i sotëm (djeshëm) është më i ndershëm dhe më i dobishëm për të gjitha palët.

Gazetari Sokol Balla vlerëson se Meta ka folur hapur, qartë dhe drejt për drejtë. Sipas gazetarit në fjalë, Ilir Meta k ahumbur besimin tek Edi Rama. “Është kjo pasojë e martesës së dytë të gabuar të të dyve në prill 2013. Dy personazhet që deshin t’i bënin varrin politik (dhe jo vetëm) njëri¬-tjetrit nga viti 2008 deri në 2013, befas vendosën të bashkoheshin. Por në vend të një kontrate të pastër e të qartë, ata zgjodhën të ribien në dashuri. Zgjodhën t’i besojnë njëri¬-tjetrit në vend që të fokusoheshin siç e do tradita në një raport “për hir të kalamajve”. Ose për hir të numrave që u japin të drejtë të dyve e njëkohësisht janë prishësit më të mëdhenj të planeve kundër njëri tjetrit. Edi Rama nuk i fiton dot zgjedhjet vetëm. Por edhe Ilir Meta nuk e çon dot Edi Ramën në shtëpi, sa kohë që si armë të vetme dhe të dështuar, ka bashkimin me PD”, shkruan ndër të tjera, Sokol Balla.

Gazetari Çim Peka thotë përmes një shkrimi të gjatë, se Meta ka rigjetur rilindjen e tij… “Nga viti 2005 e në vazhdim, shprehja “ma thanë ata të rrugës së Elbasanit” është zëvendësuar gradualisht me shprehjen: “ma thanë këta te LSI-së”. Ky është kulmi politik dhe njëkohësisht problemi për Ilir Metën. Duket se ju ka hyrë ndërkombëtarëve në biznesin e ndërmjetësit, qetësuesit, përfituesit, etj. Quajeni si të doni, por problemi i Ilir Metës është s’postimi i vëmendjes nga këshillat e “Rrugës së Elbasanit” tek pragmatizmi i “Godinës lëvizëse të LSI-së”. Dhe ky duket të jetë “krimi” që ka bërë më shumë se homologët e tij Ilir Meta. Është bërë faktor ndërmjetës, pse jo dhe përcaktues. E ky që nga fillimi i pluralizmit, ka qenë biznesi i ndërkombëtarëve. Është më mirë apo më keq, këtë nuk di ta them. Por mund të them se ne vazhdimisht flasim për të mirat e produkteve “Bio”. Dhe ja tek kemi një “ndërmjetës bio”, shkruan Peka

Gazetarja Anila Basha ka shkruar mbi këtë çështje të nxehtë të aktualitetit. Ajo ka bërë një analizë të fajësisë së Ramës për dështimin e koalicionit, por dhe për prishjen e humoreve brenda PS.

“Në këtë pikë, duhet guximi i Edi Ramës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, por ndoshta me pranimin e kostos së humbjes së zgjedhjeve. Dhe për këtë ka disa shkaqe, e disa faktorë. Së pari, Edi Rama zhgënjeu shumë elektoratin që ia besoi votën, atij të majtë dhe atij gri, në pritshmëritë që patën zgjedhësit socialistë për ardhjen e tyre në pushtet pas tetë vjetësh. Nuk harrohen deklaratat e Ramës për të mos punësuar socialistët se ai “nuk do bënte atë që kishte bërë Berisha” për ta bërë administratën militante. E ndërkohë që në krye të institucioneve dhe në drejtori të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, ngriti e emëroi njerëz që kishin bërë pak, ose aspak për PS (rastet e tjera numërohen me gishta), filloi të humbte dita-ditës mbështetje, nga ajo e militantëve dhe njerëzve të thjeshtë. Këtë situatë, e shfrytëzoi më së miri Ilir Meta, që si pa u ndjerë, dhe nën prezencën e një marrëveshjeje qeverisëse firmosur mes palëve, kreu pa shumë bujë procesin e punësimeve dhe rritjes së mbështetësve të vet.

Së dyti, Edi Rama filloi të rrethohej nga armiqtë, të cilët, me apo pa arsye, i krijoi edhe vetë. Disa prej tyre për shkak të marrëveshjeve politike; të tjerë, për shkak të moskokëçarjes, të tjerë, se pranoi t’i shiste si pa të keq, pavarësisht punës së madhe që kishin bërë për ta sjellë në pushtet. Zërat kundër, pas vitit të parë të qeverisjes filluan të shtohen. Padyshim, “armiqve të brendshëm” nuk i bënin përshtypje batutat e Edi Ramës me Merkelin, apo rivendosja e marrëdhënieve me Serbinë, as dashuria, apo fotot e pafundme me Obamën. Fundja, Rama është një lider që votohet në Shqipëri, dhe pjesa e diplomacisë së tij jashtë kufijve, për shqiptarët e thjeshtë,nuk kishte ndonjë ndikim (sikurse po ndodh realisht). Armiqtë, nuk ishin vetëm persona, politikanë, elektorat. Një pjesë e mediave u ndien të tradhëtuara kur panë Edi Ramën të lidhte aleanca me mediat që e kishin sulmuar më shumë; një pjesë e bizneseve u zhgënjyen kur panë sesi u anashkaluan dhe në fushë dolën zengjinët e rinj, apo ata të vjetrit që kishin bashkëpunuar me PD gjetën lidhjet dhe rimbetën po aq të fuqishëm. Institucionet u vunë nën presion, dhe nuk shihnin më partnerin te qeveria, por dajakun që mbahej me akuza mbi kokë duke i intimiduar, nënvleftësuar e herë të tjera edhe poshtëruar”, shkruan Anila Basha…

Gazetari Bledar Kurti thotë se deklarata e Kryetarit të Kuvendit një ditë më parë, ka qenë një nga deklaratat më të drejtpërdrejta të një politikani.

“Deklarata për shtyp e Ilir Metës ditën e sotme do mbahet mend gjatë si komunikimi më i drejtëpërdrejtë i një politikani me shqiptarët. Teksa krerët e tjerë të politikës e kanë egzagjeruar me metodat “trendy” apo më mirë të themi “limonadë” në komunikimin e tyre me publikun dhe njëri tjetrin, Ilir Meta doli duke i parë të gjithë shqiptarët në sy dhe diskutoi çështjet më delikate por edhe më të rëndësishme në vend. Delikate pasi përmendi marrëdhënien me faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, dhe të rëndësishme pasi pas pak ditësh varet fati i qeverisë, vendit, madje edhe e rajonit, siç e cilësoi Meta”, shkruan Kurti.

“Teksa kreu i qeverisë i dërgonte letra dashurie kreut të opozitës (por pavarësisht ngjyrave rozë, fjalët ishin më shumë përçmim se sa ftesë për bashkëpunim) Meta bëri atë që njihet si “hardcore politics” ose thënë në gjuhën popullore “politikë burrash” dhe ofroi zgjidhje për ngërçin e reformës në drejtësi por edhe duke paralajmëruar për pasojat e dështimit.

Prej muajsh të tërë shqiptarët kanë dëgjuar shprehjen standarte “reforma në drejtësi” pa kuptuar as edhe një ndryshim struktural që do sjellë kjo reformë, megjithatë për shkak të nevojës tejet të madhe për një drejtësi të pa korruptuar e mbështesin pa asnjë ekuivok, por në hyrje të fjalës së tij, z. Meta përmendi se pasojat përfshijnë destabilizim jo vetëm në vendin tonë por edhe në mbarë rajonin. Shqiptarët e vëmendshëm u frikësuan nga kjo shprehje pasi aktorët e tjerë vendas dhe ndërkombëtarë e kanë minimizuar reformën në drejtësi si një fenomen politik shqiptar dhe jo një faktor destabilizimi në rajon.

“E patë se çfarë ndodhi në Maqedoni?” tha Meta. Çfarë donte të thoshte me këtë? I vetmi politikan me kostumin e një shtetari i sheh dhe i ballafaqon gjërat shumë më gjerë se sa letrat e dashurisë së Ramës i cili me sa duket përmes skupeve mediatike dhe politikës së butë rozë fsheh një të vërtetë të madhe dhe të frikshme?

Qasja e Metës në dialogun politik është e vetmja manovër e duhur në këtë mesele ku ka hyrë vendi. Politika shqiptare ka degraduar në nivelin e absurdit dhe të një papjekurie të dukshme dhe të pështirshme. Mazhoranca po sillet me një fodullëk dhe arrogancë të paprecedentë jo vetëm në drejtimin e institucioneve por edhe në komunikimin e saj politik me opozitën dhe faktorët e tjerë politik.

Z. Rama e ka harruar shumë shpejt se çdo të thotë opozitë dhe për çfarë të drejtash luftonte ai kur ishte në anën e kundërt të pushtetit. Ai e ka harruar që niveli i demokracisë së një vendi matet nga mënyra se si mazhoranca trajton opozitën. Këtë koncept Ilir Meta e njeh fare mire ndaj edhe kërkon një konsensus të gjerë politik për miratimin e reformës në drejtësi, pasi në një sistem demokratik ndryshimet kushtetuese bëhen me konsensusin e të gjithë politikës, pasi kushtetuta është më e rëndësishme se sa një mazhorancë e cila dikton me forcën e numrave. Nëse forca e numrave do ishte kriter për kushtetutën e një vendi atëherë kushtetuta do ndryshonte sa herë ndryshohen qeveritë.

Politika është arti i qeverisjes. Dikush mund të jetë në qeveri, mund të jetë edhe artist por nuk është politikan, dhe me sa duket nuk di të mbajë të bashkuar një popull”, shkruan ndër të tjera Kurti, duke mbyllur analizën e tij me frazën: “Meta është lektor i politikës shqiptare ndaj shpresojmë që nxënësit e tij kryeneç ti bëjnë mirë kësaj here detyrat e tyre të shtëpisë”.

Gazetari Bledi Fevziu në shkrimin e tij, thekson se Rama i ka 71 votat për të kaluar me sukses ngërçin politik me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

“Ilir Meta konfirmoi atë që flitet prej javësh në Tiranën politike informale. Koalicioni i majtë, ai mes PS dhe LSI, i formuar jo pa zhurmë dhe habi mediatike në një ditë gënjështrash, më 1 Prill 2013, ka rënë. Shumë vetë e kanë paralajmëruar meditikisht këtë që ndodhi sot. Ka pasur mjaft komentatorë që kanë parashikuar edhe atë që pritet të ndodhë nesër dhe dy javët në vijim. Edhe pse në shtyp e kanë konsideruar si presion të Metës ndaj Ramës për të marrë më shumë mbështetje brenda koalicionit, në realitet duket se ndodhi pikërisht ajo që Meta kishte artikuluar me qetësi. Një thyerje mes të dyve, që ende nuk ështe qartë nëse e ka bazën tek reforma në drejtësi apo shumë më gjerë se sa kaq. Tek ideja e një marrëveshje mes dy personash që asnjëherë në këto 17 vite nuk kanë besuar dhe as pëlqyer njëri – tjetrin”, shkruan Fevziu…

“—Meta ka përdorur formulën “edhe edhe” në fjalën e tij. Ai është shprehur, që edhe nëse kalon reforma, edhe nëse ajo dështon, vendi duhet të ndërtojë një qeveri të re. Një Qeveri teknike që të përgatisë zgjedhjet. Burime zyrtare brenda LSI i kanë thënë opinion.al se Meta parashikon tërheqjen e të gjithë ministrave dhe figurave politike nga qeveria, rrëzimin e saj dhe ndërtimin e një qeverie teknike që të çojë vendin në zgjedhje të paakohshme brenda një kohe shumë të shkurtër. LSI beson se vendi nuk ka kohë për reformën elektorale dhe votimin elektronik dhe si garanci e vetme për opozitën që zgjedhjet do të jenë pa influencë politike, është një qeveri pa përfshirjen e PS, PD dhe LSI. Pra një qeveri tranzitore me mandat përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve. Kjo formulë shtë e ndryshme nga ajo që flitej në forumet informale politike të Tiranës, ku shihej një bashkim i votave të LSI dhe PD për të rrëzuar Ramën. Ky version ishte i vështirë sepse PD nuk mund të mbështeste një aksion të tillë që mund të viktimizonte Ramën dhe ti jepte përgjegjësinë e qeverisjes një vjeçare PD, pa pasur mundësi të zbatonte programin e saj. Ky do ishte një gabim fatal i PD. Por bashkimi i votave për një qeveri teknike, është ekzakt ajo që vetë Basha ka kërkuar në 6 muajt e fundit. Në këtë aksion LSI dhe PD mund t’i bashkonin votat pa asnjë problem. Dhe me gjasë, ka pasur edhe negociata konkrete në këtë drejtim”, vijon Fevziu. Pritet që Meta të veprojë konkretisht në javën që vjen, deri në datën 28 Korrik. Edhe në këtë veprim ai duket një hap përpara të tjerëve”, shkruan gazetari Bledi Fevizu, i cili vijone dhe më tej me analizën e tij.

Please follow and like us: