Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani u prononcua sot në pozicionin e njërit prej anëtarëve të grupit negociator për reformën në drejtësi. I pyetur nga gazetarët se cilat janë rezultatet që pritet të dali nga negociata e nisur ditën e djeshme, Ministrit Manjani tha se:
“Më lejoni t’ju them vetëm një gjë, unë nuk jam nga ata njerëz që shkruaj kujtime. Më pëlqen vetëm ta jetoj jetën në ditën që jetohet, në çdo moment dhe çdo sekondë. Po ju lutem të më mirëkuptoni se duke qenë i mandatuar si negociator për një çështje konkrete, unë nuk mund të ekspozoj çfarë kemi biseduar.
Mund t’ju them që kemi ndenjur mbrëmë deri në orën 2 të natës, kemi biseduar me një frymë bashkëpunimi të jashtëzakonshme, kemi arritur shumë dhe kemi mbetur për shumë pak gjë. Kaq mund t’ju them. Jam shumë optimist që ne do ta gjejmë gjuhën sepse nuk ka gjë për t’u ndarë, për pjesën teknike të paktën nuk kemi ndonjë arsye për mos të rënë dakord.
Nuk mund t’ju jap detaje sepse është e pandershme që ta bëja këtë gjë. Po ju premtoj këtë gjë, që kur të ketë mbaruar kjo punë do flas me detaje, do ju them gjithë përshtypjet e mia”, u shpreh Manjani.