Albspirit

Media/News/Publishing

Udhëtim virtual në kala dhe rrënimi i Sarajeve të Këlcyrës

 

 

Entela Resuli

Të udhëtosh në kala e njohësh të shkuarën dhe trashëgiminë kulturore nëpërmjet teknologjisë duket se është trendi i së ardhmes. Por mund të shërbejë edhe si një joshje për të marrë rrugën e për të vizituar nga afër vendin që sheh nëpërmjet ekranit të vogël. Po flasim për turet virtuale në kala, tanimë të paktën për zonën e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Këlcyrës kjo është e mundur, pasi përmes projektit “NetCastle”, një financim i BE-së për programin ndërkufitar Shqipëri-Greqi, janë 12 kala, të cilat ofrojnë për turistet vendas, por kryesisht për ata të huaj, ture virtuale 360 gradë.

Krahas vlerave turistike, turi virtual përmban edhe përmasat reale të kalave, ç’ka e bën atë rezistent në kohë. Duke pasur këtë dëshmi aktuale, pas disa kohësh, thotë drejtuesja e projektit, mund të shihet evoluimi i dimensioneve të kalave ndër vite.

“Për ata që nuk kanë mundësi t’i vizitojnë fizikisht, apo për ata që duan të kenë një informacion paraprak përpara se t’i vizitojnë, është e mundur që të shohin një tur virtual 360 gradë të kalasë, bashkë me këtë edhe informacionin historik, kulturor të kalasë dhe të zonës në të cilën ata ndodhen”, sqaron Blerjana Bino, Drejtore e Projektit.

“Janë dixhitalizuar 12 kala, që do të thotë, janë përgatitur formatet e tyre 3D, duke dhënë volumin e plotë të kalasë, që shërben për të gjithë të interesuarit dhe profesionistët për të matur ekzaktësisht përmasat dhe karakteristikat tipike të çdo kalaje”, thotë Bino.

Ndërsa, për shtete të tjera kjo procedure tashmë është e konsoliduar, në vendin tonë  është hera e parë që aplikohet ky projekt, i cili synon që shumë shpejt të shtrihet edhe në Qarkun e Beratit dhe Vlorës.

Blerjana Bino, në këtë intervistë për Dita-n tregon më shumë për kalatë e dixhitalizuara dhe se çfarë do të zbulojmë aty.

 

-Blerjana, të udhëtojmë virtualisht në kala… çfarë është ky projekt?

Projekti  NET CASTLE është një projekt bashkëpunimi mes Greqisë dhe Shqipërisë i cili synon të nxisë zhvillimin e turizmit në të dy anët e kufirit përmes përdorimit të teknologjive të reja. Ky projekt është financuar nga Bashkimi Europian, Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Greqi-Shqipëri 2007-2013.

Ideja dhe konceptimi i projektit ka ardhur nga sfidat e përbashkëta turistike në rajonet kufitare Greqi-Shqipëri, por edhe nga nevoja për të zhvilluar turizmin shqiptar duke u mbështetur në praktikat e suksesshme të fqinjëve tanë. Projekti ka filluar zbatimin në 2013 dhe u finalizua me konferencën përmbyllëse që u organizua nga Qendra UET në 14 korrik 2016, ku u prezantuan edhe rezultatet e

Blerjana Bino

projektit. NETCASTLE evidenton kalatë si monumente të trashëgimisë kulturore të një rëndësie të veçantë dhe shërben për të ndërgjegjësuar aktorë të ndryshëm në fushën e turizmit lidhur me vlerën e tyre si edhe me nevojën për mirëmbajtje dhe investim të qëndrueshëm. Më konkretisht, projekti është fokusuar për palën shqiptare në qarkun e Gjirokastrës dhe ka realizuar dixhitalizimin e 12 kalave përmes përgatitjes së tureve virtuale dhe formave 3D të kalave.

-Sa i rëndësishëm është ky dixhitalizim për turizmit kulturor?

Dixhitalizimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore është një proces tashmë i përhapur gjerësisht në Europë, ndërkohë që projekti NETCASTLE e ofron thuajse për herë të parë në mënyrë të plotë në Shqipëri për Qarkun e Gjirokastrës. Ky proces dixhitalizimi që NETCASTLE ka realizuar nënkupton mundësinë për të vizituar kalatë virtualisht pa qenë nevoja për të qenë fizikisht atje si edhe përgatitjen e formave 3D të volumit të plotë të kalasë përmes matjeve të sakta. Dixhitalizimi i kalave, si monumente të rëndësisë së veçantë, është i rëndësishëm për dy arsye: së pari, nga pikëpamja turistike. Projekti ka ndërtuar portalin e vet (netcastle.eu) i cili përmban turet virtuale të 12 kalave të Qarkut Gjirokastër, historikun e tyre, të dhënë kulturore, të dhëna për rajonin të vlefshme për turistët si edhe fotografi edhe informacione të tjera të dobishme në tre gjuhë: Shqip, Greqisht dhe Anglisht. Ky portal do të ndërlidhet me të gjithë aktorët lokalë dhe qendror të turizmit në Shqipëri dhe do të jetë një dritare për turistët e huaj për të zbuluar shumë më tepër për këto monumente. Kështu do të shtohet interesi i tyre për t’i vizituar nga afër. Kjo do të rikthejë vëmendjen edhe ndaj kalave të cilat nuk janë në aksin kryesor, por që janë po aq të rëndësishme e të bukura.

Së dyti, nga pikëpamja e qëndrueshmërisë, dixhitalizimi mundëson për profesionistët apo studentët matje dhe të dhëna të sakta për çdo element përbërës të kalasë pa qenë nevojë që ata t’i realizojnë këto matje në terren sa herë kërkojnë një të dhënë apo planifikojnë një veprimtari. Për më tepër, modelet 3D mundësojnë që pas x vjetësh të mund të bëhet krahasimi i ndryshimeve që i ndodhin kalave, sidomos duke pasur parasysh rrezikun e degradimit dhe e moskujdesit.

-Çfarë ofrohet në këtë tur virtual?

Turi virtual i çdo kalaje ofron një vizitë sikur të ishe në kala duke lëvizur nga një pikë në një pikë tjetër. Pra qytetari ka mundësi të vizitojë kalanë plotësisht vetëm përmes kompjuterit, laptopit, telefonit apo tabletës. Turi ofron njëkohësisht edhe të dhëna gjeografike si harta territoriale ku ndodhet kalaja, hartë satelitore për terrenin rreth saj dhe hartë hibride për të pasur mundësi orientimi. Gjithashtu turi ofron ndërlidhje me portalin netcastle.eu ku individi merr informacion të plotë rreth historikut të kalasë dhe rajonit, por gjen edhe set fotosh nga kalaja. Për më tepër portali ofron edhe informacion të dobishëm për individin lidhur me rajonin, si transporti, akomodimi, pika të tjera me interes etj.

-Në cilat gjuhë ofrohet?

Informacioni është në tre gjuhë, shqip, greqisht dhe anglisht, për shkak se projekti është ndërkufitar, pra mes Shqipërisë dhe Greqisë.

phoca_thumb_l_Castello di Ali Bej Kelcyre 2-Blerjana, a qenë i vështirë ky realizim?

Realizimi i projektit ka pasur sfida të shumta, së pari, të bashkëpunosh me 4 institucione të ndryshme në dy shtete të ndryshme nuk është e lehtë. Secili institucion ka praktikat e tij të punës si edhe dinamikat e veta. Megjithatë kjo u kapërcye dhe bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë. Së dyti, realizimi në praktikë ka qenë sfidues për grupin e arkitektëve dhe gjeodezëve pasi nënkupton matje në terrene të thyera e malore (si rasti i kalasë së Këlcyrës), mjedise të mbytura me barishte që kërkojnë përdorimin e dronit për të fotografuar nga lart, moti ka qenë i paqëndrueshëm.

-Çfarë vlerash të tjera ka ky realizim, përveç vlerave turistike, po për profesionistët, studiuesit e huaj apo edhe vendas, vlen?

Vlera lidhet me prodhimin e modeleve 3D për studiuesit vendas e të huaj, profesionistët si edhe studentët pasi dixhitalizimi mundëson matje dhe të dhëna të sakta për çdo element përbërës të kalasë pa qenë nevojë që ata t’i realizojnë këto matje në terren sa herë kërkojnë një të dhënë apo planifikojnë një veprimtari. Për më tepër, modelet 3D mundësojnë që pas x vjetësh të mund të bëhet krahasimi i ndryshimeve që i ndodhin kalave, sidomos duke pasur parasysh rrezikun e degradimit dhe e moskujdesit. Gjithashtu ofron mundësi për të njohur më tepër gamën e trashëgimisë kulturore më lehtë e më shpejt, pa shpenzime logjistike. Për më tepër, vendos edhe një bazë krahasimi me fqinjët duke nënvizuar specifikat kulturore por edhe të përbashkëtat.

-Cila ka qenë kalaja më e vështirë për t’u dixhitalizuar dhe pse?

Kalaja e Këlcyrës (Sarajet e Ali Bej Këlcyrës) për shkak të terrenit shumë malor dhe gjendjes së jo të mirë në të cilën ndodhet kalaja sikur do të bjerë nga dita në ditë.

-Ju thoni se janë dixhitalizuar 12 kala, a ka një plan, një projekt për dixhtalizimin e të tjerave, të cilat janë po kaq të rëndësishme sa të parat?

kalaja e gjirokastresProjekti përfundon këtë vit dhe natyrisht që partnerët kanë marrë angazhimin për të siguruar qëndrueshmërinë e tij. Për më tepër edhe nga institucionet shtetërore është marrë mbështetje. Ne synojmë të aplikojmë sërish për të replikuar projektin për qarkun e Beratit dhe të Vlorës.

-Deri me tani, me aq sa kuptoni ju, kush është i interesuar për këto ture virtuale, nga ku klikohet faqja?

Faqja është 85% e përfunduar dhe do të jetë e plotë në dy javët në vijim e me të po punohet intensivisht dhe ne synojmë ta listojmë si një ndër faqet e para për motorët e kërkimit online në rast se dikush kërkon me fjalë kyçe si ‘castle, Albania, tourism” etj. Deri tani faqja ka 600 vizitorë në muaj, por synohet të arrihen 1000 vizitorë në muaj, si vendas edhe të huaj. Është  e rëndësishme të theksohet se ka një interes edhe vendas në rritje për të zbuluar trashëgiminë kulturore në Shqipëri. Kjo duhet nxitur edhe më tej sepse shpesh na njohim më mirë të huajt sesa ne njohim veten.

Please follow and like us: