Albspirit

Media/News/Publishing

Zef Preçi: Çfarë duhet të presin shqiptarët nga Reforma në Drejtësi?

 

 

 

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe: mbas çerek shekulli keq-qeverisjeje dhe ndërhyrjeje politike mbi drejtësinë, elita politike e vendit tonë mbas disa orësh do të dorëzojë një pjesë të rëndësishme të sovranitetit të vet në duart e të huajve. Kjo është një e vërtetë e thjeshtë dhe askush nuk mund t’i ikë asaj. Përndryshe, politikanët tanë të majtë e të djathtë, të ngjashëm si dy pika ujë, e kanë larguar qytetarin nga qeverisja, e cila nuk është më rezultat i votës së vet, por thjesht një mjet për një grup interesi (lidershipin e partive politike) për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme. Kjo ka bërë që mosbesimi shumëshekullor i qytetarëve ndaj pushtetit të rritet krahas me pasurimin e elitës politike dhe kështu qytetarët e pashpresë të shohin angazhimin ndërkombëtar si “dritë në fundin e tunelit” për normalizimin e jetës ekonomike dhe sociale në Shqipëri. Ndërsa një numër i madh syresh kanë marrë e marrin rrugët e botës – vetëm gjatë 2015-ës rreth 100 mijë vetë kanë lënë vendin e janë shndërruar në azilantë ekonomikë në vendet e BE-së, sidomos në Gjermani. Personalisht, mbas deformimit që ka pësuar Kuvendi aktual i Shqipërisë, me përfshirjen në të të një numri individësh me të kaluar të dyshimtë deri edhe me rekorde kriminale, kam ndjerë zhgënjim e humbje shprese ndaj idealeve që kemi ushqyer qysh nga Dhjetori i 1990-ës. Klasa jonë politike i ka braktisur këto ideale dhe e ka shndërruar pushtetin në menaxhere të interesave të oligarkisë post-komuniste, gjë që shihet si në politikat ekonomike që ndiqen, ashtu edhe në kulturën e pandëshkueshmërisë që prodhon një elitë politike në konflikt interesi. Këtë situatë të mosbesimit publik në shkallë të gjerë ndaj qeverisjes, po e shfrytëzojnë pozitivisht dhe me të drejtë SHBA dhe BE në favor të interesave të qytetarëve shqiptarë. Dmth në sjelljen atipike e të pazakontë të dy ambasadorëve të këtyre vendeve pasqyrohet ndjeshmëria publike në favor të legjitimitetit të shtetit, në favor të çrrënjosjes së kulturës së pandëshkueshmërisë, në favor të vendosjes së ekuilibreve shoqërore të rrezikuara në vend, si dhe të përafrimit të vendit me BE-në. Kjo do të thotë se 91% i shqiptarëve që mbështetin reformën nuk kanë shqetësim sovranitetin e vendit dhe as autorësinë e reformës, por e shohin këtë si një instrument për të pasur më shumë drejtësi dhe mbi të gjitha për të parë fillimin e ndëshkimit të abuzimit me pushtetin, me pronat, me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, etj.

Ndërkaq duhet të jemi të ndërgjegjshëm se frutet e ëmbla të kësaj reforme nuk “piqen” në një ditë dhe as duhet thjesht të zgjatim dorën për t’i vjelë ato. Përballë qytetarëve shqiptarë shfaqet sfida e dekriminalizimit të shtetit në tërësi dhe jo vetëm të administratës apo pushtetit, sfida e rritjes se pjesmarrjes qytetare në qeverisje, sfida e demokratizimit të partive politike, sfida e ndërtimit të një frymë patriotizmi dhe ndjenje kombëtare të denjë për një vend europian.

Shkurt është sfida e ndërtimit të besimit publik ndaj shtetit dhe pushtetit si produkt të votës së qytetarëve shqiptare. Do të ishte naive dhe spekullative të mendohej se një ditë më pas gjendja e drejtësisë dhe e funksionimit të shtetit shqiptar në tërësi do të ndryshonte. Për këtë mjafton të kujtojmë pritshmëritë dhe realitetin mbas krijimit të Gjykatës Administrative, zhgënjimin që ajo prodhoi edhe te më optimistët e këtij vendi… Por po kaq e vërtetë se debati publik dhe politik i 18 muajve të fundit ka shërbyer pozitivisht për të tronditur aleancën e krimit të organizuar me elitën politike dhe interferencat e rrezikshme të oligarkisë në qeverisjen e vendit, për të ndërgjegjësuar qytetarët për shkaqet e vërteta të varfërisë e mjerimit me të cilin ndeshemi përditë, dmth për të përgatitur mbështetjen e gjerë publike ndaj reformës në drejtësi.

Të jemi të drejtpërdrejtë: një numër kuvendarësh që do të votojnë reformën mbas disa orësh po veprojnë nën presion dhe nuk janë plotësisht koshientë për momentet historike që po përjetojnë dhe dobinë që po i sjellin të ardhmes së vendit. Ndoshta ky është momenti i vetëm i legjitimitetit të Kuvendit aktual të Shqipërisë dhe do të ishte në nderin e kryemisnitrit Rama që ta shpërndante atë menjëherë mbas miratimit prëj tij të amendimeve Kushtetuese dhe të ligjeve të tjera në mbështetje të zbatimit të tyre. Për të evituar zhgënjimin që mund të prodhojë trajtimi i njëanshëm i reformës në drejtësi, mendoj se ajo duhet parë e lidhur ngushtë edhe me reforma të tjera të rëndësishme në vend.

Kështu ne po modifikojmë seriozisht një gjymtyrë të rëndësishme të shtetit – drejtësinë, por nuk kemi bërë asgjë ende për atë pjesë të sistemit që e prodhon situatën aktuale problematike në lëmin e drejtësisë. E kjo pjesë është sistemi ynë elektoral. Se nëse e shohim problemin së brendshmi, kapja e drejtësisë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk ka ndodhe për shkak të vetë drejtësisë. Në këtë kuptim, drejtësia është ashtu si çdo pjesë tjetër e shtetit apo ekonomisë, si administrata publike, si policia, si arsimi, si shndetësia, etj. Situata absurde aktuale në drejtësi, në thelb, është prodhuar nga ndërhyrjet e partive politike. Sic dihet, këto te fundit duke përdorur amendimet kushtetuese të 26 Prillit të 2008-tës kanë bërë që pushteti i vetëm funksional në Republikën e Shqipërisë aktualisht të jetë pushteti i listës.

Personalisht e kam mbështetur dhe e mbështes reformën, por mendoj se nëse nuk ndryshohet edhe sistemi elektoral/ligji elektoral i vendit, drejtësia mbetet peng i politikës… E që të bëhet kjo, vendit i duhet një kontratë e re sociale, një ripunim thelbësor i Kushtetues që mund të bëhet sëbashku me reformën në drejtësi ose më vonë, dhe nuk ka asgjë të keqe për të bërë referendum rreth këtyre ndryshimeve kushtetuese që prekin pjesë thelbësore të saj.

Në Europën e ëndërruar prej nesh, referendumet bëhen deri edhe për të ndryshuar fasadat (në nivel lokal). Për cështje kaq të mëdha vendim-marrja nuk mund t’i lihet një Kuvendi të kontestuar për praninë në të të elementëve me të shkuar kriminale si ky yni (aq sa për të frenuar blerjen e mandateve nga kjo kategori sociale është miratuar edhe një ligj i posacëm)…

Gjithsesi kam bindjen se është arritur të krijohet momenti i duhur për ndryshim dhe materializimi i këtij ndryshimi në amendimet Kushtetuese në pjesën më të madhe të këtij dokumenti themeltar të shtetit dhe kjo është një fitore e qytetarëve shqiptarë. Çfarëdo përpjekje për të ndarë shqiptarët në pro reformes (lexo pro perëndimore) dhe kundër reformës (sovraniste, anti amerikane dhe anti europiane) është e kotë, apo më keq akoma për të marrë flamurin e autorësisë së kësaj reforme nuk besoj se mund të hipotekohet në vota politike. Konsensusi i gjerë që besoj se është shumë afër, është reflektim i mbështetjes së miqve të mëdhenj të popullit shqiptar si dhe i vullnetit i publikut të gjerë për një shtet të së drejtës, për një shtet legjitim dhe modern, sic e kemi ëndërruar 25 vjet më parë.

Please follow and like us: