Albspirit

Media/News/Publishing

Deputetët e PD: Do respektohet vendimi politik

Pavarësisht se në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar disa prej deputetëve demokratë kanë shfaqur një mendim ndryshe nga Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në lidhje me reformën në drejtësi, mësohet se të gjithë ligjvënësit e kësaj force politike do të respektojnë vendimin politik.

Kjo do të thotë se përveç Eduard Selamit që ka deklaruar votën e tij hapur pro draftit hibrid të prezantuar nga Ambasadorja Victoria Nuland, pavarësisht qëndrimit zyrtar të PD-së, deputetët e tjerë do të respektojnë vendimin që do të merret, për të votuar ose jo draftin e reformës.

Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar, disa nga deputetët që morën fjalën ishin Eduard Selami, Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Arben Imami, Genc Ruli, Igli Cara. Por pavarësisht janë apo s’janë dakort me kreun e PD-së Lulzim Basha, pavarësisht se janë shprehur pro votimit në seancën e 21 Korrikut, vota e tyre do të jetë në përputhje me atë çka do të vendosë grupi parlamentar.

Zyrtarisht PD ka deklaruar se mbështet miratimin e reformës në drejtësi, do të votojë pro saj, nëse arrihet konsensusi dhe që drafti të jetë sipas Komisionit të Venecias. Ajo që dihet është që të gjithë ligjvënësit e kësaj force politike do të resektojnë vendimin politik që do të merret nga Grupi Parlamentar.

Disa nga debatet në grup

Igli Cara: Ajo që unë shoh si shqetësim dhe që dua të investohemi, është që fatura të mos i ngelet Partisë Demokratike. Një tjetër çështje që më ka bërë përshtypje këto ditët e fundit është se diskutimi për Reformën në Drejtësi është bërë trepolar, ndërkohë që më parë ishte dypolar. Në momentin që ky diskutim bëhet trepolar, nuk mund të lejojmë që në momentin e fundit dikush të na shpallet si babai i kombit.

Eduard Selami: Jemi futur në një rreth vicioz, apo në një spirale kur ndërkombëtarët na shohin si pengesë? Ju thatë se vetëm neni 88-të ishte pengesa. Partia Demokratike kurrsesi nuk mund të krijojë të tilla distancime sa u takon qëndrimeve që mban në raport me aleatët tanë të SHBA-ve e BE-së. Jemi një forcë politike që jemi krijuar si parti mbi frymën perëndimore dhe me mbështetjen amerikane. Nuk mundemi që me të tilla qëndrime të jemi kaq të ndryshëm, pikërisht me këta aleatë strategjikë. Është një peshë e madhe që Partia Demokratike nuk ka pse ta mbajë dhe nuk duhet ta mbajë për aq kohë sa e gjithë anëtarësia e saj kërkon që të miratohet kjo reformë. Z.Basha ju personalisht në mbledhje, në media, në dalje zyrtare keni dalë për javë, ndoshta edhe për muaj me radhë, nëse jam i saktë dhe keni thënë nëse maxhoranca pranon që të zbatojë rekomandimin e 88-të të Komisionit të Venecias, unë do të jem gati në atë moment të votoj me Grupin Parlamentar reformën. Sot ky rekomandim është tejkaluar sepse është pranuar prej kohësh, ndërkohë që kanë dalë çështje të tjera. Unë mendoj se duhet të jemi koherentë dhe më korrektë me qëndrimet që mbajmë, sidomos kur ato i japim përpara aleatëve tanë.

Majlinda Bregu: E thashë edhe në mbledhjen e një jave më parë dhe dua ta përsëris edhe sot. Partia Demokratike nuk duhet të mbajë një peshë shumë të madhe, që për më tepër edhe nuk i takon dhe që lidhet me mosvotimin e Reformës në Drejtësi. Ne nuk mund t’u dalim kundër ambasadorëve dhe jo më t’i shpallim “luftë” Ambasadës së SHBA-ve. Qëndrimi ynë si forcë politike duhet të jetë i qartë dhe unë mendoj se nga kjo mbledhje duhet të dalim me një vendim për të miratuar si Grup Parlamentar Reformën në Drejtësi. Nuk shoh se ka vend për të bërë diversion dhe përllogaritje në raport me forca të tjera politike. Edhe kjo çështja teknike e fundit që ka ngelur në lidhje me rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut besoj se duhet të marrë fund. Janë histori të vjetruara këto që kanë qarkulluar këto ditë dhe mbi bazën e të cilave janë zhvilluar diskutimet e fundit. Filmat me diversantë dhe desantë ajrorë i kemi lënë pas qëkur ishim fëmijë.

Astrit Patozi: Përtej faktit që PD-ja është në një pozicion të panatyrshëm si në konflikt me Perëndimin, kam edhe një shqetësim tjetër. Tani nuk ka më kohë për të shpjeguar detajet, ku kemi ngecur, edhe sikur ne të kemi të drejtë. Tani duhet marrë një vendim i qartë politik, sepse retorika nuk ka me asnjë vlerë, sepse të gjithë janë të lodhur nga gati dy vjet debate. Në këtë forum ne duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin dhe duhet ta themi se nuk është më çështje parimesh, por pragmatizmi politik. Sepse vetëm për parime nuk mund të flitet më në politikën shqiptare. Dhe duhet ta pranojmë se edhe ne nuk jemi të larë në këtë histori, se kemi edhe ne njollat tona të errëta në këto vite apo në këtë proces, pavarësisht se kundërshtari mund të ketë bërë më shumë gjynahe. Shembulli më tipik ishte kur dikush mbrëmë tha se unë nuk jam ai që isha dje dhe ju e dini për kë e kam fjalën. Pra, vetëm pragmatizmi ngelet të merret në konsideratë. Dhe pyetja ime është nëse i kemi ne votat për ta ndalur atë që sipas nesh është e pavotueshme? Sepse do të ishte dyfish e rënde që reforma të kalojë dhe ne të votojmë kundër. Unë sërish këmbëngul që konsensusi është i mundur dhe ne duhet ta kërkojmë. Por edhe në rast se nuk e arrijmë, ne nuk duhet të votojmë kundër një reforme që mund të kalojë edhe pa ne.

Genc Ruli: Kam lexuar në lidhje me kushtet që do të duhet të pranoj një person që do të punojë në Prokurorinë Speciale. Dhe të jem i sinqertë, nuk e konceptoj se si njeri me vullnet të pranojë të jetë i përgjuar përgjatë gjithë kohës. Për më tepër, të përgjohet jo vetëm ai, por edhe familjarë të tij. Unë besoj se asnjë njeri i ndershëm nuk do të pranonte të ishte i përgjuar dhe i survejuar gjatë gjithë kohës, t’i përgjohej bashkëshortja, t’i përgjohej vajza etj.

Please follow and like us: