“Epiri nuk ka qenë kurrë grek”, ja argumentet dhe faktet
Në fillim të vitit 1941 Jakomoni, Mëkëmbësi i Mbretit, kërkonte nga Qeveria shqiptare një paraqitje të hollësishme të problemit të kufijve shqiptarë e të territoreve që, për arsye të ndryshme, duhej të ishin pjesë e Shtetit shqiptar në kuadrin e Perandorisë së Romës. Pas kësaj qeveria e Vërlacit kishte ngritur një Komision, në nivel të lartë politik e studiuesish, për të përgatitur këtë material, që do t’i përcillej Ministrisë së Jashtme e do të përbënte bazën politike të kërkesave shqiptare.
Komisioni hartues i këtyre dokumenteve përbëhej nga Fejzi Alizoti, Dhimitër Berati, Xhemil Dino e Tahir Shtylla e kryesohet nga Mustafa Kruja, atëherë senator i Mbretërisë e Kryetar i Institutit të Studimeve shqiptare…
Në maj të 1941, komisioni kishte parashtruar të gjithë argumentet mbi projektin e Shqipërisë etnike. Dokumenti ishte ndërtuar mbi disa anekse dhe mban titullin “Përkujtesë, përshpagimet shqiptare”.
Politikisht Greqia, që kishte rrëmbyer më 1881 rrethin e Artës, vetëm më 1912 arriti të bashkangjisë pjesën tjetër t’Epirit, deri në kufirin me Shqipërinë. Kjo pjesë e gjallë e territorit kombëtar shqiptar i u dhurua Greqisë nga demokracitë e mëdha, që shpesh kanë flijuar fatin e popujve në të njëjtin çast, në të cilin shpalleshin mbrojtës të tyre dhe të parimit të kombësisë. Epiri, si shumë qoshe të tjera të truallit shqiptar, është tregëtuar më shumë se një herë për të plotësuar lakmitë e Greqisë në Kongresin e Berlinit më 1878, në Konferencën e Londrës më 1913, dhe në Konferencën e Paqes së Parisit (1919). Të tre këto data kanë qënë ogurzeza për kombin shqiptar, nga trupi i të cilit xhvateshin pjesë të gjalla për t’u a dhënë shteteve fqinjë si çmim për fitoret e arritura kundër të tjerëve në luftëra, në të cilat Shqipëria nuk kishte të bënte për asgjë.
Por tashmë ora e shlyerjes së llogarive ka mbërritur. Paqja me drejtësi nënkupton rishikimin e të gjithë padrejtësive që kanë shkaktuar konfliktin e sotëm. Si pasojë, sektori ballkanik, kjo pikë nevralgjike e Evropës, duhet të gjejë në rendin e ri rregullimin e tij përfundimtar, të bazuar mbi njohjen e të drejtave të gjithë popujve që e banojnë, në përputhje me parimet e zbatuara nga rendi i ri i sotëm.
Me besim të plotë në të drejtën e saj për të fituar atë që i takon, Shqipëria, e ndërgjegjëshme se është pjesë e gjallë në kuadrin e Perandorisë së Romës, nuk dëshiron tjetër veçse të rimarrë atë që, padrejtësisht, i është hequr.
Për këtë qëllim paraqesim më poshtë, në pikat themelore, arsyet për të cilat Epiri duhet të quhet pjesë e pandarë e Shqipërisë.
1 – Epiri, që shtrihet nga kufiri i sajuar i Shqipërisë tek Gjiri i Artës, nga pikpamja gjeofizike është një rrip toke që lidhet natyrshëm me Shqipërinë, duke formuar së bashku me të një tërësi të njëtrajtëshme orografike dhe ujore. Shqipëria dhe Epiri plotësohen ndërmjet tyre edhe përsa i përket natyrës së njëjtë të terrenit dhe prodhimit ekonomik.
2 – Etnikisht Epiri i përket Shqipërisë e jo Greqisë për motivet që pasojnë :
a) Nga dëshmi të njëzëshme të autorëve grekë del në shesh se, në lashtësi, Epiri ishte i populluar nga gjindje ilirike e, në çdo rasë, jo greke. Në Mesjetë, si në kohët moderne nën sundimin otoman, popullsia ilire, epirote e shqiptare mbizotëron e pakundërshtuar në Epir, duke përbërë elementin kryesor etnik.
b) Sasia m’e madhe e popullsisë ka qënë, deri në shekullin XIX, nga ana e popullit shqiptar e jo nga ana e atij grek. Kështu shpesh herë ka patur mërgime në masë të popullsive shqiptare t’Epirit drejt Greqisë, të cilët, të filluar në shekullin e XI vazhduan deri në të XVI-in. Disa nga këta mërgime patën nxitjen e vetë princërve grekë, si ata të Teodorit I Paleologu, që tërhoqi në Greqi 10.000 familje shqiptare. Vetëm mbas fitores së pavarësisë së saj, në fillim të shek. XIX, Greqia filloi, nëpërmjet kishës e shkollës një politikë aktive depërtimesh e asimilimesh në trojet fqinjë, si në Epir. Kjo u lejua, siç e kemi parë, nga qeveria otomane dhe u përkrah nga Patriarkana e Konstantinopolit. Kështu shpjegohet prania e elementit grek n’Epir edhe para 1912-ës.
c) Etnografikisht Epiri lidhet me Shqipërinë, sepse mënyra e jetesës e shumicës së banorëve të tij, shqiptarë dhe vllehë, traditat e tyre, zakonet ashtu sikurse formimi trupor paraqesin një afërsi të madhe me popullsitë toske të Shqipërisë.
3) – Nga pikpamja historike e politike Epiri nuk qe kurrë grek, marredhëniet e tj me Greqinë nuk jana shumë të shpeshta në lashtësi. Kur fiset epirote marrin pjesë në lidhje, aleanca ose luftëra, gjthmonë quhen e konsiderohen jo grekë. Rrjeshtimet politike mesjetare të Epirit kanë të huaj, grek,sërb, bullgar, bizantin ose perëndimor vetëm prijësin ose princin ; masa e popullit puntor e luftëtar është gjithmonë elementi vëndas shqiptar. Nga gjiri i këtij elementi dalin më pas krerët që ndërtojnë më pas formacione shtetërore të rëndësishme si Shpatajt, Loshajt, Topiajt, Muzakët. Heroi kombëtar Shqiptar, Skënderbeu, mbante titullin “Mbret i epirotve”, mbasi në Mesjetë Shqiptarët përkufizoheshin me emrin Epirotë. Nën sundimin otoman të gjitha kryengritjet kundër zgjedhës turke e të gjitha ngjarjet politike t’Epirit kanë thjesht vulë shqiptare. Po sjellim dy shëmbuj : a) Shpallja e vullnetit për pavarësi të popullit shqiptar nën drejtimin e Ali Pashë Tepelenës, që pati qendrën kryesore Janinën, në tokën e Epirit ; b) Luftërat e popullit shqiptar, të bashkuar në lidhjen e Prizrenit, që arritën të shpëtonin Epirin nga bashkimi me Greqinë, e cila mundi të marrë atëherë vetëm rrethin e Artës (1881).
Humbja e këtij rrethi e, mbi të gjitha, bashkimi me Greqinë i një pjese të Vilajetit të Janinës, përfshirë Prevezën dhe Çamërinë më 1912, cilësohen si akte grabitjeje në dëm të bashkimit dhe tërësisë së Shqipërisë.
4) – Nga pikpamja kulturore Epiri i lashtësisë pëson ndikimin grek, veçanërisht atë të Korfuzit e të Korintit, më pas atë të Romës. Të dy këta ndikime ushtrohen në brigjet ose gjatë rrugëve të rëndësishme të komunikacionit, por janë sipërfaqësorë. Gjatë epokës mesjetare Epiri bie në kontakt me kulturën bizantine dhe disi edhe me atë të Perëndimit, por kjo nuk prek masën e popullit që vazhdon të ruajë veçoritë e tij të trashëguara.
Vetëm gjatë pushtimit turk popullsia ortodokse e Epirit u gjend nën pushtetin e ndikimit të Kishës e të shkollave greke. Shqiptarët dhe Vllehët n’Epir nuk mund të zgjidhnin, sepse Turqit nuk pranonin për popullsinë ortodokse të tjera institucione fetare e shkollore, jashtë atyre greke që, siç kemi parë, shërbenin si vegla të shkombëtarizimit të elementëve ortodoksë shqiptarë e vlleh.
Një veprim i tillë u arrit nëpërmjet mësimit dhe përhapjes së gjuhës greke në dëm të të folmeve kombëtare. Me Kishën dhe shkollën propaganda panhelenike arriti të përhapë, deri në një farë mase, ndjenjat helenike ndërmjet elementëve jo grekë, por bëhet fjalë për një bojatisje të hollë që nuk ka prekur fare strukturën kombëtare. E tani që, së fundi, gjithë Epiri është liruar nga ndikimi dhe zotërimi grek, popullsia e tij, duke u kthyer në bashkëpunim me vëllezërit shqiptarë, shpejt do të ringjallet nga ajo atmosferë e mjegulltë e propagandës greke, për të rimarrë me zjarr shfaqjet e reja të kombësisë së saj.
5) Sa i përket sasisë së popullsisë, simbas një llogarie mjaft të besueshme, mund të pohohet se grekët e të greqizuarit nuk janë më shumë se 100.000 në numurin e përgjithshëm që arrin në 313.000. Në shifrën e 100.000 janë përfshirë elementët jo vendas që Qeveria e Athinës bëri të derdheshin drejt Evropës mbas 1881 në rrethin e Artës e mbas 1912-ës në pjesën tjetër të vendit të pushtuar. Qëllimi i vendosjes së këtyre elementëve qe, dukshëm, ai i të dhënit një shtysë greqizimit të elementëve ortododoksë dhe përzënies, në një mënyrë a tjetër të elementëve myslimanë. Ja një kategori e parë e Epirotëve që duhen kthyer në Greqi. Do të ishte një gabim i rrezikshëm të lejohej qëndrimi n’Epir i elementëve epirotë, grekë apo të greqizuar, të cilët me sjelljen dhe veprimtarinë e tyre, do t’i kishin shërbyer e sigurisht do t’i shërbenin në t’ardhmen, po të mbeteshin, qëllimit të helenizimit. Të tillë elementë do t’ishin, përshembull, autorët e shoqatave politike t’ashtuquajtura “silogi – epiroti”, disa prej mësuesve, priftërinjve, profesionistët, nëpunësit etj., që kanë zhvilluar veprimtari të kundërt me rendin e ri të drejtësisë, që synohet të ndërtohet për elementët kombëtarë, deri tani, të shtypur. Mbasi të jetë çliruar vendi nga këta individë, vegla të shtypjes, që për popullin përfaqësojnë faktorët e një të kaluare që duhet harruar, masa e madhe e popullsisë epirote, më së fundi e lirë dhe sigurtë, do të kuptojë vlerën e ndryshimit të kryer e mund të gjejë më lehtë rrugën e mirëqënies së saj në Shqipërinë e re.
Dokumenti 2
Rauf Fico: Ja dokumentet qe kemi bere gati per Shqiprinë Etnike
Tiranë, me 30 Gusht 1940-XVIII
P. T. KRYEMINISTRISË
TIRANË
Kam nderin të sjell në dijenin e asaj së ndershmes Kryeministrie se punimet e Komisionit të posaçëm për caktimin e kufijvet të Shqipërís etnike dhe iredente patën si përfundim pregatitjen e një Memoriale mbi rivendikimet shqiptare, redaktuar në italisht prej Zotit Senator Mustafà Kruja dhe të një harte të Shqipërisë së Madhe në shkallën 1/200.000 me kufit e sotme dhe me kufit që caktojnë krahinat e rivendikuara. Memoriali i shkruar në shqip dhe italisht së bashku me hartën në fjalë në tre kopje paraqiten me këtë letër. Memorialin e shoqërojnë dhe anekset përkatëse të shënuara me një pasqyrë të posaçme.
Me këtë rast paraqiten gjithashtu dhe dokumentat që vijojnë : Një memorandum i Ferhat Dragës, ish deputet, dhe i Prof. Momçillo Ivaniç paraqitur Kryeministrit jugosllav Stojadinoviç ; një ankim, paraqitur nga disa Kosovarë Kryeministrit Stojadinoviç ; një parashtresë paraqitur Kryem. Jugosllav nga 22 deputetë e senatorë të Kosovës ; fjalimi i mbajtur nga deputeti Sherif Voca në parlamentin jugosllav mbi vuajtjet e Kosovarëvet. Këto dokumenta janë nxjerrë nga arkiva rezervate e ish – Ministrís së P. Të Jashtme.
Paraqitet gjithashtu një hartë etnografike e Prof. JJ. Kettlerit (pron’e zotit Kolea) e cila ka një rëndësi të madhe për çeshtjen që na intereson. Mbas përdorimit që do të shihet i arsyeshm harta në fjalë duhet t’i kthehet pronarit.
Me këtë rast e shohim të udhës të rekomandojmë edhe librin Albanais et slaves (prej Lumo Skendos), që është një studim shumë me rëndësi dhe përmban shpjegimet dhe dokumentat e nevojshme.
Paraqitet gjithashtu libri Kolonizimi i Serbisë Jugore i shkruar prej Këshilltarit Kryesor të Reformës Agrare jugosllave Gjergj Krstiq, që i është ngjitur si aneks Nr. 3 Memorialit dhe meriton të përkthehet në shqip mbassi tregon qëllimet e kolonizimit jugosllav në Kosovë.
Paraqitet edhe një koleksion hartash, pron’e Zotit Ingj. Zyma, të cilit do t’ishte mirë t’i jepesh urdhër të vazhdojë punimin e filluar për plotësimin e një harte të madhe të Shqipërís etnike.
Midis hartave të ndryshme që paraqiten ndodhen riprodhimet e hartës së kolonizimit jugosllav në Kosovë dhe riprodhimet e hartës linguistike dhe të popullatës muhamedane të Kosovës simbas statistikës jugosllave të vitit 1921.
Midis aktevet ndodhen edhe disa lista me emrat e katundevet shqiptare të disa krahinavet iredente.
Simbas vendimit të Komisionit Zoti Hamit Kokalari është porositur që të mbledhë librat dhe dokumentat që kanë me ardhë prej burime të ndryshme dhe t’a vazhdojë punimin duke bërë kërkimet e duhura dhe duke klasifikuar dokumentat simbas interesit që do të kenë dhe me kohë t’ia paraqesë asaj së ndershmes Kryesije.
Me nderime
R. Fico. d.v.
– See more at: http://shqiptarja.com/dossier/2711/dokumentet-1941epiri-nuk-ka-qen–kurr–grek-ja-argumentet-dhe-faktet-366519.html#sthash.FC3kHVY3.dpuf