Albspirit

Media/News/Publishing

Filmi kosovaro-britanik “Home” nominohet për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit

 

Prishtinë, 18 Korrik 2016 – Filmi i shkurtër “Home”, produksion i përbashkët i Kosovës dhe Britanisë së Madhe, me Jack O’Connell dhe Holliday Grainger në rolet kryesore, me regji dhe skenar të Daniel Mulloy, është nominuar për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit, raporton Kultplus.com.

Ky është nominimi i dytë i Daniel Mulloy për EFA, i cili për të parën herë u nominua për filmin e tij të shkurtë “DAD”.

Iniciativa EFA organizohet nga Akademia Evropiane e Filmit, në bashkëpunim me një sërë festivalesh të filmit në të gjithë Evropën.

Në pranimin e çmimit dhe nominimit në “Curtas Vila do Conde”, në Portugali, përmes videos, Daniell Mulloy tha se ky film është kulminacioni i dashurisë dhe përpjekjeve të shumë njerëzve.

“Ne ju falënderojmë dhe e pranojmë këtë njohje si: Evropa, Britania e Madhe dhe e tërë bota duhet të bëjnë më shumë dhe t’i përgjigjen krizës aktuale humanitare dhe t’i pranojnë refugjatët kur ikin nga rreziku për jetën e tyre dhe familjeve të tyre”, ka thënë Mulloy, përcjell faqja e “Dokufestit”.

“HOME”, një produksion i përbashkët i DokuFestit, është filmi i dytë Kosovar i nominuar për çmimin EFA, menjëherë pas filmit të regjisores Blerta Zeqiri “The Return” në vitin 2011.

Me produksion ekzekutiv nga aktorja Arta Dobroshi dhe Eroll Bilibani nga DokuFest, dhe me produksion nga Shpat Deda, “Home” tashmë i kualifikuar për Akademinë Amerikane të Filmit, tani është nominuar edhe për Akademinë e Filmit Evropian.

Premiera e filmit “Home” do të shfaqet në edicionin e 15-të të festivalit të filmit dokumentar e të metrazhit të shkuyrtërt “DokuFest”, në kuadër të programit “New Kosovo Shorts”.

Ky film është financuar dhe mbështetur nga Zyra e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, USAID, Fondacioni për Shoqëri të Hapur, si dhe me kontribut të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. (r.m.)

Please follow and like us: