Albspirit

Media/News/Publishing

Kryeministri belg: Kërkesa e Erdogan për shkollat e Gylen, si aktet naziste

Kryeministri Belg  Geert Bourgeois i ka dhënë një përgjigje të ashpër kërkesës së Turqisë për të larguar nga detyra profesorët e universiteteve dhe shkollave të financuara nga lëvizja Hizmet e Fetullah Gylen. Ai tha se kjo ishte një lajthitje, duke e krahuasuar me atë çfarë kërkoi nazizmi në Luftën e Dytë Botërore në Poloni.

“Edhe regjimi nazist pati nisur të largonte profesorët nga detyra. E gjithë kjo gjendje e pas tentativës për grusht shteti është e frikshme për një vend si Turqia. Ato që po ndodhin në Turqi pas asaj tentative për grusht të shtetit janë zhvillime që nuk mund të priten prej një vendi që pretendon të jetë shtet i së drejtës. Shoh një ngjashmëri të madhe me regjimin nazist, i cili pati larguar gjithashtu një numër tejet të madh nëpunësish publik, ku mjafton të kujtojmë veç largimin e profesorëve të universitetit nga detyra pas pushtimit të Polonisë. Mirëpo këto nuk përputhen kurrsesi me atë ç’pritet prej një shteti ligjor. Drejtimi që ka marrë Turqia tani është i gabuar; nëse vijon të ecë në rrugën e shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe vlerave që e bashkojnë Europën, një vend i tillë nuk mund të ketë vend në BE”.

I ashpër ai është treguar edhe me ambasadorin turk në Bruksel: “Është e papranueshme dhe e paimagjinueshme që një ambasador t’i mësojë qeverisë flamande dhe Kryeministrit se si duhet të veprojë” u shpreh ai.

Në deklaratën e tij për gazetën “Anvers” këshilltari për shtyp i ambasadës turke, Vejsel Filiz, është shprehur se Lëvizja “Gylen” është një organizatë terroriste; qeveria flamande ka marrëdhënie të mira me institucionet e kësaj lëvizjeje dhe se Kryeministri është duke mbështetur terrorin duke mbajtur marrëdhënie të mira me to. Vejsel Filizi u shpreh se qeveria belge duhet t’i hetojë me kujdes Lëvizjen “Hizmet” dhe institucionet e saj, hetim përmes të cilit ka për ta kuptuar menjëherë se, në fakt, është duke mbështetur terrorin.

Kryministri Bourgeois reagoi me këto fjalë për agjensinë zyrtare të lajmit “Belga”:

“Këto deklarata janë të papranueshme, për më tepër, të lajthitura. Është e papranueshme dhe e paimagjinueshme që një ambasador t’i mësojë qeverisë flamande dhe Kryeministrit se si duhet të veprojë. Nuk e pranoj kurrsesi akuzën se po mbështesim ndonjë organizatë terroriste. Nëse ka ndonjë njeri që ka dijeni për praninë e ndonjë bashkëpunimi ilegal besoj se duhet ta dijë që duhet të paraqitet menjëherë përpara gjykatave të pavarura për këtë. Gjithashtu, nuk e pranoj që Lëvizja “Gylen” të jetë organizatë terroriste.”

Pasi theksoi se Belgjika është një vend ku mbizotërojnë ligjet e shtetit të së drejtës, ai nënvizoi dhe solli në kujtesë nenin 41 të Marrëveshjes së Vjenës, e cila rregullon marrëdhëniet diplomatike. Ky nen i njeh diplomatët e vendeve të tjera me faktin që ata duhet t’u binden ligjeve të vendit ku gjenden dhe se nuk kanë asnjë të drejtë që të përfshihen në çështjet e brendshme të tij. Kryeministri belg tha se Bashkimi Europian duhet të mbajë një qëndrim të prerë ndaj kërkesave të tilla që vijnë nga ana e Ankarasë.

Një kërkesë të tillë Turqia ia ka bërë edhe Shqipërisë prej disa muajsh. Deputeti Ben Blushi reagoi ashpër në parlament në atë kohë, duke i kërkuar qeverisë shqipare të mbante qëndrim të prerë ndaj ndërhyrjes së Ankarasë në punët e brendshme të Shqipërisë dhe duke thënë se kjo ishte një çështje e brendshme e Turqisë, që nuk kishte lidhje me vendin tonë.

Please follow and like us: