Albspirit

Media/News/Publishing

May: Britania nuk do të kryesojë presidencën e BE

Kryeministrja britanike Theresa May i tha Presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk se Britania nuk do të marrë presidencën e vitit tjetër, konfirmoi të mërkurën “Downing Street”.

Britania e Madhe do të kryesonte presidencën e radhës së Këshillit Europian në gjysmën e dytë të vitit 2017, por May ka vendosur që Britania të heqë dorë pas referendumit për largimin nga BE-ja.

May i bëri të ditur vendimin Tusk-ut gjatë një bisede telefonike të martën, sipas “Downing Street”.

Sipas një zëdhënësi të “Downing Street”, May i tha Tusk-ut se heqja dorë nga presidenca ishte diçka e përshtatshme, duke patur parasysh se Britania do jetë tepër e zënë me negociatat për largimin nga BE-ja.

Në një deklaratë thuhet se Tusk e mirëpriti vendimin e May-t.

Biseda telefonike ishte biseda e parë e May-t me kreun e KE-s që pas emërimit të javës së kaluar si kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar.

May pritet të takohet së shpejti me homologen gjermane Angela Merkel, ndërsa të enjten do të takohet me presidentin francez Francois Hollande. (Albana)