Një gazetar i njohur i Bjellorusisë është vrarë në Ukrainë
Gazetari i njohur bjellorus, Pavel Sheremet, është vrarë sot herët në mëngjes, pasi automobili të cilin e drejtonte, ka eksploduar në Kiev të Ukrainës.
I ndjeri Sheremet , 44 vjeçar, ishte duke e ngarë veturën për në zyrën e gazetës, Ukrayinska Pravda, ku punonte. Vetura ishte pronë e shefes së kësaj gazete, Olena Prytula e cila nuk ishte në makinë.
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, në rrjetin Facebook ka shkruar se ka urdhëruar “hetime të menjëhershëm të këtij krimi” dhe se “autorët e veprës duhet të dënohen”.
I ndjeri Sheremet ishte nga Bjellorusia, por pesë vitet e fundit jetonte dhe punonte në Kiev si gazetar në redaksinë e gazetës, Ukraynska Pravda, dhe moderator në Radio Vesti.
Ai, po ashtu, kishte punuar për media bjelloruse dhe ruse.
Pavel Sheremet në Ukrainë ishte i respektuar nga komuniteti i gazetarëve.
“Kjë është gjë e tmerrshme dhe shumë e dhimbshme”, i tha Radios Evropa e Lirë, Mustafa Nayyem, anëtar i Parlamentit të Ukrainës dhe ish-gazetar.
Sevgil Musayeva-Borovyk, kryeredaktore e gazetës Ukraynska Prvda, i tha Radios Evropa e Lirë se mendon se vrasja e gazetarit Sheremet është e lidhur me aktivitetet e tij profesionale.
Në vitin 1997, Pavel Sheremet, që ishte luftëtar për të drejta të njeriut, liri të shprehjes dhe të shtypit, ishte burgosur në Bjellorusi. Kjo burgosje e tij gjërësisht konsiderohej politike.
Ai ishte veçanërisht kritik ndaj goditjes së presidentit të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, kundër atyre që mendonin ndryshe.