Albspirit

Media/News/Publishing

Pse nxitohet Greqia të mbyllë çështjet me Shqipërinë dhe Maqedoninë?

Greqia po nxitohet dhe po bën njëkohësisht presion të mbyllë sa më shpejt të jetë e mundur cështjet historike të mbetura pezull me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Greqia po nxitohet sepse ka problem me të gjithë fqinjët e afërt. Me Shqipërinë. Me Maqedoninë. Dhe mbi të gjitha me Turqinë. Pa pqërjashtuar problemet e mëdha të brendshme që e kanë vënë në rrezik kolapsi qeverinë Cipras e cila qeveris me stilin “shtyjë të shtyjmë”.

Me Maqedoninë çështja kryesore është ajo e emrit, ndonëse ishte krijuar idea se kjo çështje lidhej më shumë me të ardhmen e shtetit të Maqedonisë. Mesa duket Greqia e ka të pamundur të shtyjë këtë cështje. Dhe për shkak të problemeve të shumta me Turqinë nuk dëshiron që ajo të jetë pengesa kryesore për Maqedoninë.

Me Shqipërinë ka disa probleme të tjera. Çështja e kufirit. Çështja Çame. Çështja e ligjit të luftës. Dhe çështje të tjera të cilat Greqia është gati të tolerojë në mënyrë që të përfitojë për të mbyllur të gjithë “paketën” e problemeve me Shqipërinë. Çështjen Çame Greqia nuk e toleron në asnjë rast dhe prandaj ka vendosur veton, ndërkohë që Rama duket se ka pranuar opsionin grek, ndonëse për 4 vjet bëri nacionalistin përballë Greqisë duke mbështetur çamët që i duheshin eventualisht për formimin e qeverisë. Tani që si duhen më deputetët çamë në parlament, e ka abandonuar çështjen çame, mjafton që Greqia të tolerojë pak te “çështja e kufirit detar”.

Po ashtu Greqia ka bërë sikur ka toleruar te çështja e ligjit të luftës, duke deklaruar ta heqë atë, në realitet duke hequr diçka që nuk ekziston.

Pazari në kurriz të Shqipërisë është bërë me “çështjen e detit”. Konkretisht, Rama për shkak të vendimit “politik” të Gjykatës Kushtetuese, e ka të kufizuar rrethin e veprimit. Ai po përpiqet të dalë tinëzisht dhe me pazare sekrete nga ky rreth që e skicoi vetë duke hedhur në erë marrëveshjen e mëparshme dhe duke cilësuar tradhtarë të gjithë ata që hartuan marrëveshjen e 2008. Loja që po bëhet mësa kuptohet qartë është: na jepni disa kilometra nga “trekëndëshi që shiti Saliu” dhe ”po ju lëmë të merrni një hapsirë më të vogël në metra katrorë, por ku gjendet nafta”. Me këtë pazar Rama mashtron shqiptarët se i morëm grekëve atë që i kishte falur Sali-tradhtari. Kurse Kotzias i thotë grekëve se “i dhamë pak sipërfaqe nga zona pa vlerë afër ishullit Barketa, dhe morëm pjesën e detit ku ka naftë, pavarësisht se kjo zonë si sipërfaqe mund të jetë pak më e vogël se ajo që po i lëshon Greqia Shqipërisë, afër ishullit Barketa”.

Me këtë lloj pazari sekret të Ramës dhe të Ditmirit, Greqia mbyll paketën e cështjeve me Shqipërisë. Rama është në rregull se gjoja fiton disa kilometra nga ato që “shiti Sali-tradhëtari” dhe kështu forcon pushtetin e tij personal duke akuzuar opozitën si tradhëtare. Kurse Kotzias është në rregull me vendin e vetë se ka fituar zonën naftëmbajtëse me vlerë mbi 100 miliard euro, në shkëmbim të “cope të pavlerë deti” afër ishulllit Barketa. Për më tepër që i mbyll gojën edhe opozitës greke, me 2 argumenta: fituam zonën ekonomike naftëmbajtëse dhe mbyllëm paketën e të gjithë cështjeve me Shqipërinë që asnjë qeveri tjetër e mëparshme greke nuk kishte mundur ta zgjidhte prej 30 vjetësh.

Po përse nxitohet Greqia për ti mbyllur të gjithë këto cështje me Shqipërinë e Maqedoninë, për më tepër që qytetarët grekë dhe opozita greke kanë reaguar agresivisht duke kërkuar së paku transparencë por edhe qartësi për çështjet për të cilat është rënë dakord. Qytetarët grekë kanë reaguar ashpërsisht për Maqedoninë. Kurse opozita greke ka reaguar për “pazaret” sekrete me Shqipërinë.

Ka një vetëm një arsye: Greqia kërkon ti ketë duart e lira për tju futur cështjeve shqetësuese me Turqinë me të cilat nuk e ka të lehtë të bëjë pazare dhe aq më pak kompromise të stilit që po bën me Shqipërinë apo edhe me Maqedoninë. Dora Bakojanis, një politikane me eksperiencë të gjatë politike i ka kërkuar Kotzias vetëm një gjë:

Kujdes me marrëveshjen me Shqipërinë se pazari që ke bërë mund të kthehet në precedent kur të negociosh me Turqinë.

Nga të gjithë palët, vetëm Rama dhe Bushati janë jashtë loje. Ta paaftë. Duke vepruar në mungesë totale transparence. Me një mungesë të pashembullt profesionalizmi. Duke përjashtuar të gjithë faktorët e detyrueshëm për konsultime, si Presidentin ashtu edhe Kuvendin. Me takime e dreka e darka sekrete nëpër hotele. Me telefonata të fshehta mes Ramës e Cipras. Veprojnë për interes të pushtetit të tyre personal sikur ta kishin Shqipërinë pronën e tyre. Zoti na ruajtë!

Please follow and like us: