Qeveria teknike në historinë e politikës shqiptare: precedent vetëm Vilson Ahmeti në 1992
Ilir Meta ka propozuar rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës dhe ngritjen e një qeverie teknike që sipas Metës do të zbatojë reformën në drejtësi. Dhe zbatim i reformës në drejtësi do të thotë udhëheqëse e rolit për emërimin e Kryeprokurorit, krerëve të trupave që do të zgjedhin gjyqtarët dhe prokurorët, ndërkohë që do të spastrojë të gjithë administratën nga të korruptuarit. Por e gjithë kjo nuk mund të bëhet nga një qeveri teknike, pasi ajo nuk ka një mazhorancë stabël dhe shërben vetëm për një qëllim të caktuar dhe për një kohë të caktuar. Në Shqipëri prej vitit 1991, ka pasur 11 qeveri politike: “Nano 1”, “Meksi 1”, “Meksi 2”, “Nano 2”, “Majko”, “Meta 1”, Meta 2”, “Nano 3”, “Berisha 1”, “Berisha-Meta” dhe sot qeveria “Rama-Meta”. Dy qeveri koalicioni PD-PS si qeveria “Bufi-Pashko” në vitin 1991 dhe qeveria “Fino” në vitin 1997. Në gjithë këtë histori 25-vjeçare ka patur vetëm një “qeveri teknike”, qeveria e ngritur pas prishjes së kabinetit të Ylli Bufit nga largimi i PD-së në dhjetor të 1991-shit. Kjo është qeveria e drejtuar nga Vilson Ahmeti, që u quajt “kujdestare” deri në zgjedhje dhe jetoi nga janari 1992 deri në 22 mars, ose më mirë në fillim të prillit sa u formua qeveria e PD-së pas fitores së zgjedhjeve. Kjo qeveri ishte në një farë mënyrë kabinet i Presidentit të atëhershëm Ramiz Alia, pasi s’kishte parlament ku të raportonte sepse ishte i shpërndarë. Kishte buxhet të limituar që e miratoi në Kuvend vetëm për 3 muaj, buxhet minimal sa për nevojat adekuate dhe punët e përditshme. Por detyra kryesore e saj ishte të organzonte zgjedhjet e 22 marsit në një ambjent sa më pak të politizuar. Ahmeti afroi ekspertë të ekuilibruar politikisht që edhe pse kishin qëndrime pro apo kundër një pale, ishin jo militantë. Për shembull: Ylli Çabiri, ministër i Tregtisë shte socialist, por jo anëtar i PS-së. Alfred Moisiu, ministër i Mbrojtjes ishte pranë PD-së, por jo një militant i thekur. Ndërsa ministri i Rendit, Vladimir Hysi mbahet mend për hapjen e gazetës “Albapol” me kryeredaktor Naim Zoton që u bë një media shumë e suksesshme dhe e pavarur sidomos në mbulimin e kronikës.
Ja përbërja e qeverisë së Vilson Ahmetit:
- Vilson Ahmeti – kryeministër
- Abdyl Xhaja – zëvendëskryeministër dhe ministër Burimeve Minierave dhe Energjetike
- Zyhdi Pepa – zëvendëskryeministër dhe ministër i Bujqësisë
- Ilir Boçka – ministër i Punëve të Jashtme
- Gjergj Konda – ministër i Ekonomise
- Alfred Moisiu – ministër i Mbrojtjes
- Vladimir Hysi – ministër i Rendit Publik
- Kudret Çela – ministër i Drejtësisë
- Robert Çeku – ministër i Financave
- Iljaz Mehmeti – ministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore
- Ylli Çabiri- ministër i Lidhjeve Ekonomike me Jashtë
- Robert Gjini – ministër i Tregtisë së Brendëshme dhe Turizmit
- Luigj Aleksi – ministër i Ndërtimit
- Ilir Mati – ministër i Transporteve
- Alfred Pema – ministër i Arsimit
- Vath Koreshi – ministër i i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
- Kristo Pano – ministër i Shëndetësisë
- Ylli Memisha – kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit
- Petrit Skënde – kryetar i Komitetit të Shkencës dhe Teknikës.