Albspirit

Media/News/Publishing

Turqia dhe gjashtë grushtet e mi të shtetit

SIEGMUND GINZBERG

Një konstante e grushteve të shtetit në Turqi që kanë patur sukses, është që ushtarakët arrinin të paraqiteshin si arbitra, interpretonin dhe pretendonin se interpretonin ndjenjat e shumicës në vend. Ka dhe nga ata që thonë se kanë patur një rol ekuilibrues. Ushtarakët peshonin, vlerësonin me vëmendje se nga cila anë frynte era e shumicës së opinionit publik. Këtë herë, me sa duket, kanë bërë, ose i kanë detyruar të bëjnë, ekzaktësisht të kundërtën

Që fëmijë kisha parë tanket që lëviznin kërcënueshëm nëpër rrugët e Stambollit. Ishte gjendja e jashtëzakonshme, që u shpall pas masakrave ndaj të huajve, në shtator 1955. Grushtet e shtetit të vërtetë erdhën më pas. Në vitin 1960, në 1971, në 1980, në vitin 1993, dhe përsëri në vitin 1997, dhe ky fundit. Gjashtë në një gjeneratë: një rekord. Kuptohet që na ka ardhur në majë të hundës. Dhe që kjo revoltë kundër Erdogan u dënua edhe nga ata që kanë arsye të jenë të zemëruar me të, kurdët, mbrojtësit e shtetit laik, të moderuarit, nacionalistët, madje edhe ata që i druheshin dhe tashmë denonconin tendencën e tij autoritariste.

Ndoshta kjo është arsyeja kryesore përse ky grusht shteti ishte i destinuar të dështonte. Një grusht shteti kërkon konsensus, jo vetëm forcën brutale. Dhe mund të numëroj shumë të tjera. Me të vërtetë shumë. Në atë masë që, disa madje thanë se një grusht shteti kaq të ngathët, Erdogani do e sajonte vetë, nëse nuk do ia bënin. Ai vetë deklaroi se grushti i shtetit ishte “një dhuratë nga Allahu,” “për të bërë pastrime” (në forcat e armatosura, aparatin e gjyqësorit, në institucionet autonome që kanë qenë gjithmonë një halë në syrin e tij).

Një tjetër grusht shteti ishte shumë më jopopullor, ngjallte shumë më tepër shqetësim, se sa ideja e një Erdogani me të gjithë pushtetet. “Kam parë pesë grushte shteti. Mbi të gjitha, nuk do të doja të shihja një tjetër “, më tha kohët e fundit, kur  shkova ta takoj në shtëpinë e tij të vjetër me pamje nga Bosfori, një intelektual i lartë laik, shumë kritik dhe i shqetësuar në lidhje me ekseset e “Sulltanit”.

Kisha qenë unë, që hidhja në mënyrë sistematike për diskutim, me të gjithë bashkëbiseduesit e mi, një temë që i fuste në siklet. Pothuajse askush, madje as në mesin e atyre që e konsiderojnë Erdogan një katastrofë absolute, nuk më ishte përgjigjur: “Grusht shteti? Inshallah!”

Përgjigja mbizotëruese ishte: “Nuk mund ta përjashtojmë. Në të ardhmen. Nëse situata do të përkeqësohej, në qoftë se do të kishte kolaps ekonomik, apo luftë, nëse Turqia do të zhytej në kaos dhe luftë civile. Por sigurisht jo tani. Do të ishte çmenduri. Askush nuk mund ta dëshirojë. As njerëzit. As gjeneralët. Askush nuk mund ta dëshirojë brenda vendit, madje as edhe kundërshtarët më të zemëruar. Askush nuk mund ta dojë, as jashtë, as miqtë e as armiqtë, sigurisht jo Evropa, jo Amerika, por as edhe Rusia …. ” Dhe më kishin vënë në dukje se ushtria turke nuk është ajo egjiptiane ose siriane. Ajo ka një prestigj, ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë institucioni më i respektuar. Siç e kemi parë edhe në ngjarjet e fundit.

Në vitin 1960 ata që ndërhynë ishin një grup oficerësh të rinj, të cilët deklaruan se ngriheshin kundër vjedhjes dhe korrupsionit të pushtetarëve dhe për të “rivendosur demokracinë.” Ministri i Brendshëm kreu vetëvrasje. Më pas gjykuan dhe dënuan me vdekje kryeministrin dhe presidentin. Ai i 1971 ishte i pari grusht shtetit “nëpërmjet Memorandumit”, kundër një qeverie të qendrës së djathtë, që ishte prezantuar si një reagim ndaj kaosit të ’68-ës turke.

Grushti i shtetit i vitit 1980 ishte më i dhunshmi, gjysmë milionë arrestime, qindra të vdekur në burg. Edhe ai u paraqit si i domosdoshëm për t’i dhënë fund përplasjeve mes të djathtës dhe të majtës, që po mbysnin vendin. Përfundoi me zhdukjen e të majtës. Grushti i shtetit i vitit 1993 ishte më misteriozi, aq sa strategjia e tensionit dhe shërbimeve të shmangura as nuk u shpall. Revoltat e 1997 dhe 2007 u quajtën “postmoderne”, sepse ushtarakëve as nuk iu desh të nxjerrin tanket. Përpiqeshin të ndalnin ngjitjen e partisë islamike. Përfunduan duke e favorizuar. Europa mbështeste qeveritë e zgjedhura demokratikisht. Miratoi kur Erdogani arrestoi dhe gjykoi gjeneralët rebelë. Dhe pastaj, kur spastroi shërbimet sekrete nga ndjekësit e ish aleatit të tij islamik, Gylen. Të fuste hundët, do të ishte njësoj sikur në vitet treidhjetë, të vihej në mbështetje të ndjekësve të Trockit, kundër Stalinit.

Kur në maj të këtij viti, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura u shfaq papritur si dëshmitar në dasmën e bijës së vogël të Erdoganit, bashkë me një grusht manjatësh të industrisë së mbrojtjes, u duk e vulosur paqja mes ushtarakëve dhe presidentit islamik. Jo për të gjithë, me sa duket. Por grushtet e shtetit nuk bëhen, nëse je pakicë në forcat e armatosura.

Një konstante e grushteve të shtetit në Turqi që kanë patur sukses, është që ushtarakët arrinin të paraqiteshin si arbitra, interpretonin dhe pretendonin se interpretonin ndjenjat e shumicës në vend. Ka dhe nga ata që thonë se kanë patur një rol ekuilibrues. Ushtarakët peshonin, vlerësonin me vëmendje se nga cila anë frynte era e shumicës së opinionit publik. Këtë herë, me sa duket, kanë bërë, ose i kanë detyruar të bëjnë, ekzaktësisht të kundërtën.

/Autori është shkrimtar i lindur në Stamboll 

Please follow and like us: