Vllahutin “non grata” në PD, akuzohet për flirt politik me Partinë Socialiste
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin është akuzuar si e njëanshme, ndërsa propozimi i Euralius për komisionerët e vetingut si stalinist. Panorama raporton se deptueti Arben Imami kërkoi të mbahet një qëndrim i fortë politik kundër Vllahutin. “Dua të kërkoj një gjë të përsëritur nga Partia Demokratike. A mund të kemi një qëndrim më të fortë politik ndaj ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin? Duhet të ishim artikuluar më parë, por edhe tani që flasim nuk është vonë nëse e themi të vërtetën ashtu siç është. Është një ambasadore e angazhuar publikisht dhe politikisht në përkrahje të qeverisë. Teknicieni që EURALIUS ka në tryezën e negociatave, sigurisht ka ndryshuar qëndrim vetëm përmes mesazheve që vijnë nga ambasadorja e BE-së në Tiranë për ta kundërshtuar konsensusin që u arrit. Mbështes atë që tha Z.Basha se ka një plan për t’ia faturuar opozitës këtë çështjen e reformës, që më pas të përdoren në fushatë”, tha Imami. Ndërsa Sali Berisha shtoi se “propozimi i fundit i bërë nga ai eksperti i EURALIUS ishte realisht i papranueshëm për ne. Është një propozim stalinist, është oruellian. Më mirë të thonë hajde miratojmë listën e Ramës dhe të jemi të qartë, sesa Rama thotë këtë dhe këtë s’e do opinioni”.