Albspirit

Media/News/Publishing

“Bonaparti mysliman”, fakte të reja nga jeta e Ali Pashë Tepelenës

Në gati 550 vite pushtim osman, prijësit shqiptarë dalin rrallë nëpër kronikat e kohës. Shumë nga këta shqiptarë ngjitën shkallët e karrierës në Perandorinë Osmane, disa vdiqën nëpër betejat e Anadollit, ndërsa disa u kënaqën me pushtetin.

Vetëm një figurë, ajo e Ali Pashë Tepelenës, arrin të shkëlqejë.

Mizori më romantik që ka njohur historia, hakmarrës, dinak, i zgjuar, komandant brilant dhe shumë epitete të tjera. Ali Pasha ishte shqiptari që bëri historinë e kohës së tij. Aq sa shkrimtari i madh Viktor Hygo në vitet 1700 në të gjithë Europën shihte vetëm dy udhëheqës: Napoleon Bonapartin dhe Ali Pashë Tepelenën. “Ali Pasha rri përballë Bonapartit, si tigri me luanin, ata ngjajnë me njëri-tjetrin si dy pika uji, sepse të dy e filluan karrierën nga hiçi dhe u ngjitën deri në majat e perandorëve. Gjithashtu, edhe Bonaparti, edhe Ali Pasha ngritën perandori, por ky i dyti ngriti perandori brenda perandorisë”, shkruante Hygo për Ali Pashën.  “Si tigri pranë luanit, si shqiponja pranë skifterit, ashtu qëndron edhe Ali Pasha pranë Napoleonit”, shkruante Viktor Hygoi.

Media boton 50 fakte nga jeta e shqiptarit të madh që tronditi Perandorinë Osmane. Nga hajdut rrugësh u bë inspektor rrugësh. Nga djali i një pashai të vogël në Tepelenë, arriti ta shtrinte pushtetin e tij që nga Shkumbini deri në More të Greqisë. Arriti të ngrinte në këmbë një shtet që për 30 vite qëndroi i pavarur nga Porta e Lartë, duke qenë vetëm formalisht në perandorinë osmane. Ndërsa në vitet e fundit, figura e Ali Pashës nisi të merrte tipare patrioti, që kërkonte autonomi nga Porta e Lartë.  Madje ideoi krijimin e dy shteteve. Shteti i shqiptarëve, nga Toskëria deri në Thesali dhe shtetin e grekëve, që do të ishte po nën mbrojtjen e Shqipërisë. Dhe në fund u vra me tradhti.

AH1812_1alipasha_gr

50 fakte nga jeta e Ali Pashë Tepelenës

1- Nga hajdut rrugësh u bë inspektor rrugësh. Nga djali i një pashai të vogël në Tepelenë, arriti ta shtrinte pushtetin e tij që nga Shkumbini deri në More të Greqisë. Arriti të ngrinte në këmbë një shtet që për 30 vite qëndroi i pavarur nga Porta e Lartë, duke qenë vetëm formalisht në perandorinë osmane. Ndërsa në vitet e fundit, figura e Ali Pashës nisi të merrte tipare patrioti, që kërkonte autonomi nga Porta e Lartë.

2- Ali Pashë Tepelena i cilësuar si Pashai i Epirit lindi në dimër të vitit 1740 në Tepelenë dhe vdiq (u vra) në moshën 82-vjeçare më 24 janar të vitit 1822 në Janinë.

3- Ali Pasha ka dy varre. Trupi i tij u varros më 25 janar të vitit 1822 në ishullin e Kastros në liqenin e Janinës, ndërsa koka e tij u varros më 5 shkurt në varrezat e Stambollit, në vendin e quajtur Porta e Silirvisë.

Përplasja me Turqinë dhe si u vra

4- Historiografia turke për një kohë të gjatë ka theksuar si një prej arsyeve të zemërimit të Portës së Lartë ndaj Ali Pashës, bashkëpunimin e tij me rebelët grekë të cilët po përgatisnin kryengritjen e tyre në 1821.

5- Në një sërë veprash, autorët turq kanë përshkruar shkaqet e rënies së Aliut jo vetëm sjellja e pavarur e Pashait shqiptar, por edhe nga ambicia e tij, refuzimi i bindjes ndaj Sulltanit. Në një prej këtyre veprave me ndikim të madh përpiqet të provohet se rënia e Aliut ishte provokuar nga ky i fundit si “pasojë e rritjes së influencës së elementit të krishterë në Janinë”.

6- Por sipas Auron Tares, një prej hipotezave më interesante është ai i një komploti të Ali Pashës, për të përdorur Sektin e Bektashinjve si një platformë për pushtetin e tij. E jo vetëm në krijimin e një shteti të pavarur, por nëpërmjet Bektashinjve të vinte në kontroll Jeniçerët të cilët deri më atëherë kishin pasur një bashkëjetesë të vështirë me Sulltan Mahmudin II. Kjo hipotezë është me shumë interes, nëse marrim parasysh disa fakte si influencën e Aliut ndaj Bektashinjve, mbështetjen e tij për këtë sekt sufi apo faktin se pjesa më e madhe e lidershipit të jeniçerëve ishin me prejardhje shqiptare.

7- Auron Tare thotë se fakti që Sulltan Mahmudi II pas rrëzimit të Aliut e shkatërroi përfundimisht armën e jeniçerëve me masakrën e famshme të 1826, dhe rënia e influencës së Bektashinjve në Stamboll, janë argumente më shumë në mbështetje të kësaj hipoteze, e cila, duhet thënë nuk është marrë shumë në konsideratë.

8- 1820 është viti kur u prishën tërësisht marrëdhëniet mes Portës së Lartë dhe Ali Pashës. Kulmi i marrëdhënieve të acaruara arriti kur Aliu urdhëroi në Stamboll njerëz për të vrarë Pasho Beun, një pasha nga Shqipëria që thurte intriga kundër Aliut në oborrin e sulltanit. Atentati dështoi, ndërsa Aliu u shpall fajtor.

9- 50 mijë ushtarë dërgoi Sulltan Mahmuti i II për të mposhtur Ali Pashën. Ushtria u nda në dy armata, e para në drejtimin e shqiptari Pasho Beu dhe e dyta në drejtimin e bullgarit Pelivan Baba. Dy ushtritë rrethuan Janinën, por kishin frikë të përballeshin në betejë me Ali Pashën, dhe kështu që përdorën dredhitë.

10- Një vit e gjashtë muaj zgjati rezistenca e Ali Pashës kundër ushtrisë së Sulltanit. 100 ushtarët besnikë i mbetën Aliut në fund të jetës së tij. Luani i Janinës, njeriu që mund të organizonte gjithë ushtrinë e Jugut të Shqipërisë, në perëndim të pushtetit e braktisën të gjithë. Një pjesë e tradhtuan, të tjerë e shitën te turqit. I mbyllur në kështjellë dhe i rrethuar nga të gjitha anët, Aliu joshte komandantët turq dhe priste të ndihmohej nga pashallarët e tjerë shqiptarë. Por këta të fundit zgjodhën turqit.

11- Duke bërë një replikë me gazetën “Drita” që kritikonte Ali Pashën duke shkruar se i solli vetëm dëme Shqipërisë dhe se ndihmoi në pavarësinë e Greqisë, Faik Konica shkruante në vitin e largët 1910, në mbrojtje të Ali Pashës.

Ali-Pasha-2Duke kritikuar ashpër si shqiptarët që sulmonin Alun, Konica i ftonte ata të lexonin historianët e huaj për figurën e Ali Pashës.

“….Për të gjykuar mirë një njeri që ka pasë pjesë në Histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mas kohës ku ai vet u rrit, u suall e roiti. Ali pasha, për zakonet e për mënyrën e sundimit, ish njeri i asaj kohe: i rritur në shkollë politike të Turkut, as më i lig as më i mirë se vezirët e dere-bejt e atëhershëm.

Po ku është sipër të tjerëve, ku është me të vërtet i çuditshëm Ali pasha: nga hollësia, nga forca e vullnetit, nga mendja. Mendja e Ali pashës!…

…Ali pasha, i pa mësuar, pa shokë, i rrethuar me armiq, arriti, vetëm me forcë të vullnetit të tij, në një shkalë po thua mbretërore. Njerëz si lord Byro-n, si admirali Nelson, si mbreti Gustav-Adolfi i Suedisë, e kishin për nder të piqeshin me të. Shqiptarët u ngjallën, u bashkuan, u ndjenë një komb nënë sundimin e tij. E, duke bërë këtë bashkim, s’pushoj as një ditë të rreshtojë një ushtri shqiptare me këshilla të ca zyrtarëve frëng që kishte. Shihet sheshit se mendimi i tij qe lirimi i Shqipërisë….

…Po ç’i mungoj Ali pashës? I mungoj dija, e i mungoj edhe një komb besnik e jo gati kurdoherë të kthejë mendim për të holla….”, shkruante Konica në vitin 1908 për Ali Pashë Tepelenën.

Statuja e Ali Pashes ne Tepelene

Statuja e Ali Pashes ne Tepelene

12- Myftari dhe Veliu ishin dy djemtë që e tradhtuan të parët Aliun. Ata i dorëzuan ushtrisë turke Prevezën dhe Gjirokastrën, duke u dorëzuar edhe vetë. Sulltani u pati premtuar falje dhe pushtet, por ishte thjesht një mashtrim. Ata e tradhtuan babain e tyre në momentin  që Aliu po mendonte të bënte përplasjen me ushtrinë turke.

13- Tre djem dhe një nip e tradhtuan. Ali Pasha kishte arritur 80 vjeç. Veç tyre, e tradhtuan edhe komandantët e ushtrisë që ishin bërë me armikun. I pari që e tradhtoi nga djemtë ishte Veli Pasha. Ky ishte Pasha i Vlorës dhe kishte një flotë në Nartë. Armiqtë e Aliut e joshën me para dhe pushtet. I premtuan të vendosej në Stamboll, ku do të martohej me vajzën e sulltanit. Vetëm një grusht njerëzish besnikë i kishin mbetur. E megjithatë, historiani Uilliam Palmer shkruante se Aliu nuk e humbi kurrë buzëqeshjen dhe ëmbëlsinë me të cilën fliste gjithmonë.

14- Kryengritja greke i gjeti rrugët të hapura, pasi Turqia po luftonte kundër Ali Pashës. Fatkeqësisht, mes revolucionarëve grekë kishte edhe shqiptarë që kishin braktisur Ali Pashën për shkak të hakmarrjeve të tij. Vetëm, 20 kilometra larg Janinës, shqiptari Marko Boçari luftonte në krahun e grekëve.

15 -Vrasja e Aliut njihet gjerësisht falë përshkrimit të konsullit francez Pukëvil, i cili përshkruan një betejë heroike të Aliut dhe rojeve të tij në shkallët e shtëpisë në ishullin e Liqenit të Janinës. Falë këtij përshkrimi, fjalët e fundit të Aliut ishin për Vasiliqinë. Aliu kërkoi që rojet e tij besnike të vrisnin Vasiliqinë, gruan e Pashait, “që ajo të mos binte në duart e turkut”.

Ali Pasha me Vasilliqine

Ali Pasha me Vasilliqine

16- Por studiuesi, Auron Tare kohët e fundit solli një tjetër version. Duke sjellë një dëshmi të arkivave britanike bazuar në informacionin e Ministrit të Jashtëm Otoman (Reis Efendiut), ai thotë se vrasja ishte e pastër.  “I përgatitur ndoshta për një betejë përfundimtare, por i gënjyer nga të gjithë personazhet që e vizitonin nga kampi kundërshtar, Aliu pret në audiencë një shqiptar mjaft të shquar, por shumë pak të njohur nga historia: Muhamed Pashën e Moresë, i njohur edhe si Dramaliu, i cili ishte Princ i Portës së Lartë. Me sa duket rangu dhe qenia shqiptar mund të mos kenë ngjallur dyshime te ai si një kërcënim i mundshëm. Ishte ky shqiptar i cili sipas dëshmisë së Ministrit të Jashtëm Otoman, ka ngulur në trupin e plakut kamën e Sulltanit, duke i dhënë fund një jete plot trazira dhe lavdi. Kështu Luani i Janinës, personalitet i jashtëzakonshëm i epokës së tij, vdiq në vetmi i vrarë nga një shqiptar dhe i tradhtuar nga gruaja e tij”, shkruan Auro Tare.

17- Nga ana tjetër, dr. Irakli Koçollari që ka botuar një libër për Ali Pashën dhe studiues serioz i shqiptarit të madh thotë se edhe ambasador Pukëvil ishte një ndër organizatorë e vrasjes së Aliut. “Pukëvili ishte konsull dhe agjent i Perandorit Bonapart, madje ai ishte edhe një ndër organizatorët deri në përmbysjen dhe vrasjen e Ali Pashës dhe këto i kam të vërtetuara në dokumente të ndryshme për Pukëvilin”, ka deklaruar gjatë një interviste Koçollari.

18- Si e përshkruan Aleksandër Duma prerjen e kokës së Ali Pashait: “Edhe koka e tij e prerë përçonte akoma një efekt njëherazi të tmerrshëm dhe të mahnitshëm, sa ata që e shihnin, mbeteshin të shtangur në vend. Kur Hurshidit ia sollën në një tepsi të madhe prej argjendi, ai u ngrit hopthi për ta marrë, u përkul tri herë përpara saj dhe, me respektin më të madh, i puthi mjekrën, duke shprehur me zë të lartë dëshirën se edhe ai vetë do të dëshironte të meritonte një fund të ngjashëm. Një adhurim i tillë për trimërinë e Aliut i prekte e i frymëzonte kaq shumë këta barbarë sa zhdukeshin nga kujtesa krimet e tij. Hurshidi urdhëroi që koka të parfumohej me esencat aromatike më të kushtueshme. Përpara se ta dërgonte në Stamboll, ai i lejoi shqiptarët t’i bënin nderimet e fundit ish-padronit të tyre”, shkruan Aleksandër Duma në romanin e tij për Ali Pashën.

Koka e Ali Pashës. Pjesë nga gravura që shoqëron shënimet e Robert Wals

Koka e Ali Pashës. Pjesë nga gravura që shoqëron shënimet e Robert Wals

19- Koka e Ali Pashës iu dërgua sulltanit në një tabaka argjendi. 300 ushtarë turq e shoqëruan kokën e Aliut për në Stamboll nga frika e një sulmi hakmarrës të shqiptarëve. Koka mbërriti në Stamboll më 23 shkurt. Gjatë rrugë, ushtarët e ekspozonin kokën e Aliut me para që ta shikonin prijësit e pashallëqeve të tjera. Një muaj rrugë iu desh ushtrisë që ta çonte kokën e Aliut në Stamboll. Një shqiptar që jetonte në Stamboll dhe shok fëmijërie i Aliut, e bleu kokën dhe e varrosi në varrezat pranë Silivrisë. Aty gjenden dhe sot varret e djemve dhe nipit të tij.

20- Koka mendohet se është në Stamboll megjithëse shumë studiues preferojnë të mos japin kompetenca mbi këtë vendndodhje. Studiuesi Dorian Koçi ka një version tjetër për kokën e Pashait, sipas një raporti të atasheut të Ambasadës së Anglisë në Stamboll, Robert Ëalsh. “Një nga shokët e vjetër të Ali Pashës, i quajtur Dervish Sulejmani që i kishte shërbyer Ali Pashës si agjent besnik, pati një projekt më fisnik. Kur mori vesh vdekjen e mikut të tij të vjetër ndjeu hidhërim të madh dhe e bleu. Dha një çmim më të lartë nga ajo që ofronte tregtari. Më vonë Sulejmani mori kokat e tre bijve dhe nipit, të cilëve pas vdekjes së Ali Pashës, ua prenë kokat me pretekste të ndryshme, i vuri përballë portës së Siligrisë dhe u vuri nga një gur varri. Mbi gurët e varreve skaliti shënimet e mëposhtme: Këtu shtrihet koka e shumë të famshmit Ali Pashë Tepelena, qeveritar i Sanxhakut të Janinës, i cili gjatë 50 vjetëve u përpoq për independencën e Shqipërisë”. Sipas Koçit, po në atë vend, gjenden kokat e tre djemve të tij, Veliut, Myftarit, Saliut dhe nipit, Mehmet Pashës, i biri i Veliut. Të gjitha mbajnë datën shkurt 1822.

21- Në shtator të vitit 1821, Sulltani urdhëron vrasjen e djemve që kishin tradhtuar Aliun. Të tre kokat e djemve të Aliut, Myftarit, Veliut dhe Selimit, iu dërguan sulltanit në Stamboll. Po ashtu, edhe koka e nipit të tij, Mehmetit. Aleksandër Dyma thotë në librin e tij se kur Sulltani pa kokat e djemve të Aliut u pendua që i kishte vrarë. “Unë i dija aq pleq sa i ati”, pati thënë me dëshpërim sulltani.

Të dhëna personale dhe historike

22- Gjyshi i Aliut, Myftar Bej ishte komandant në luftën venedikase-osmane në vitin 1714. Vrasja e tij në kështjellën e Korfuzit në vitin 1716, bëri që Ali Pasha dhe babai i tij, Veliu, të hynin në familjet e mëdha të Jugut. Mbiemri i tij i vërtetë është Hyso. Pas gradimit si pasha, ai mori titullin Ali Pasha. Ndërsa origjina e tij nga Tepelena dhe prej sundimit të tij, i shtoi emrin që njihet nga të gjithë: Ali Pashë Tepelena.

23- Për Viktor Hygonë, Ali Pasha ishte i vetmi njeri i kohës që mund të krahasohej me Napoleon Bonapartin, ose “Napoleoni mysliman”.

“Ali Pasha rri përballë Bonapartit, si tigri me luanin, ata ngjajnë me njëri-tjetrin si dy pika uji, sepse të dy e filluan karrierën nga hiçi dhe u ngjitën deri në majat e perandorëve. Gjithashtu, edhe Bonaparti, edhe Ali Pasha ngritën perandori, por ky i dyti ngriti perandori brenda perandorisë”, shkruante Hygo për Ali Pashën.

24- Përdhunimi i të ëmës, Hankos, si edhe motrës, në fshatin Kardhiq, më 1775, ishte ngjarja që la më shumë gjurmë në jetën e Aliut. Historianët që janë marrë me jetën e tij, thonë se pas kësaj ngjarjeje, Aliu u bë më i egër.

25- Kur ishte në kulmin e pushtetit, Ali Pasha ndërmori një hakmarrje të pashembullt ndaj atyre që i përdhunuan nënën. Sipas Aleksandër Dymasë, duke plotësuar amanetin e nënës, Ali Pasha shkrumboi fshatin Kardhiq dhe Hormovë, duke vrarë dhe masakruar të fajshëm dhe të pafajshëm. “Kjo ishte një fitore vendimtare për Aliun. Fshatra, qytete, krahina, të tmerruara nga mizoria e pakufishme, u dorëzuan pa shtënë një pushkë të vetme. Emri i Aliut, i cili personifikonte atë masakër që lartësohej si një vepër e lavdishme në sytë e këtij populli të egër, jehoi si rrufe nga lugina në luginë dhe nga mali në mal”, shkruan Duma.

Ali-Pacha-de-Janina

26- Ali Pasha është themeluesi i policisë sekrete në shtetin shqiptar. Ai ngriti një rrjet informatorësh që arrinin deri në oborrin e Sulltanit. Aliu kishte informata jo vetëm për ato që ndodhnin në Stamboll, por edhe në kampet e armiqve. Tahir Abazi ishte komandanti i Policisë Sekrete.

27- Tre ishin shtetet me të cilat bëri aleancë Ali Pasha. Duke mos iu bindur shpesh Portës së Lartë, fillimisht Ali Pasha bëri aleancë me Rusinë, më pas me Francën e Napoleon Bonapartit dhe në fund më britanikët. Në të gjitha marrëveshjet, kushti i tij kryesor ishte: Pranonte ti ndihmonte ata nëse njihnin Pashallëkun e tij si shtet të pavarur. Më 1803, rusët krijuan në brigjet e Jonit atë që quhet Republika e “Shtatë ishujve”. Ndërkohë që Ali Pashës në këtë kohë i duhej të merrej jo vetëm me osmanët, por edhe me rusët që të shmangte intrigat e tyre që financonin kryetarët e ishujve kundër Aliut.

28- Mund të cilësohet si diplomati i parë shqiptar që firmosi një marrëveshje zyrtare me Anglinë kundër rusëve. Anglezët i premtuan Aliut përkrahje kundrejt Rusisë dhe Turqisë, ndërsa ai pranonte të mbështeste Britaninë kundër Francës, pavarësisht urdhrave të Portës së Lartë.

Ali Pasha ne liqenin e Butrintit pikture nga Louis Dupre

Ali Pasha ne liqenin e Butrintit pikture nga Louis Dupre

29- Nuk ishte mjeshtër vetëm në luftë, por edhe në diplomaci. Më 1806 pranon konsullin e Napoleonit, Francois Pouqueville dhe hyn në negociata me Bonapartin kundër anglezëve. Napoleoni i premton Aliut ishullin e Korfuzit. Ndërkohë që marrëdhëniet e komplikuara mes Turqisë dhe Francës bënë që Aliu të ishte Pashai më i rëndësishëm për Portën e Lartë.

30- Për 34 vite Ali Pasha ishte njeriu që udhëhoqi shqiptarët. Gjatë kësaj kohe Pashallëku i Janinës ishte më shumë një krahinë autonome që vetëm formalisht i bindej Portës së Lartë. Aleancat me anglezët, francezët e rusët ishin në vartësi të Pashait të Janinës dhe jo të Sulltanit.

31- Ideoi krijimin e dy shteteve. Toskëria deri në Thesali që do të ishte nën sundimin e dinastisë së Ali Pashës. Ndërsa Moreja në Greqinë perëndimore do të ishte një tjetër krahinë autonome që do të drejtohej nga grekët, por nën mbrojtjen e Shqipërisë. Këto do të ishin dy shtetet e para të pavarura në Ballkan.

32- Kushtetuta do të ishte rregulli ku do të zhvilloheshin dy shtetet e reja. Sipas historianëve, Aliu do të përdorte si Kushtetutë disa ligje të Revolucionit Francez. Por fama e dinakërisë së Pashait ishte një armë më e madhe sesa idetë e tij shtetformuese.

67773b023f8f46965dd07d4ef024c43d

33- Për historianët modernë, gabimi i Aliut ishte mungesa e një qartësie për të nisur një kryengritje mbarëshqiptare. Ai bëri aleanca të shumta, i shpallu luftë kujtdo që nuk i bindej, por nuk ishte në gjendje të formësonte një revolucion kombëtar, ashtu si grekët që pas vdekjes së Aliut shpallën pavarësinë.

34- Një ndër urdhrat ku Ali Pasha nuk iu bind Sulltanit ishte ai i sulmit ndaj Karamahmut Pashës së Shkodrës. Ndjenja kombëtare ose jo, e vërteta është që Ali Pasha e kurseu jetën e shqiptarit tjetër të fuqishëm në veri të vendit duke mos e sulmuar. Por ky i fundit kur Aliu i kërkoi ndihmë kundër osmanëve, zgjodhi Portën e Lartë.

35- Napoleon Bonaparti do ta njihte mbret, kryetar të qeverisë së Janinës dhe sundimtar të pavarur të Ballkanit, nëse trupat franceze do të fitonin. Konsulli i Francës në Janinë, Fransua Pukëvilë premtoi të gjitha këto në emër të Napoleonit, nëse Ali Pasha do të luftonte rusët. Butrinti ishte vendi që prishi marrëdhëniet mes Ali Pashës dhe Napoleon Bonapartit. Edhe pse ngjarjet luheshin në Stamboll, Ali Pasha i kërkoi Napoleonit të mbante premtimin për ishujt Jonianë, por Bonaparti i kërkoi Stambollit ti jepnin Butrintin si bazë në Mesdhe.

Ngjitja

36- Ali Pasha ishte rreth 170 centimetër i gjatë, me trup të bëshëm dhe mjaft i shkathët. Kishte flokë të verdhë dhe sy blu. Artin e luftës e mësoi që fëmijë, ndërkohë që shumë vonë mësoi shkrim dhe këndim.

37- Në moshën 16-vjeçare, Aliu ishte i njohur për plaçkitjet që bënte. Ai u kap rob në malet e Pindit në Greqi dhe u dorëzua te Pashai i Janinës, por nuk iu pre koka sipas ligjeve të kohës, për shkak të ndërhyrjes së bejlerëve të Gjirokastrës, Janinës, Përmetit dhe të Delvinës. Në moshën 20-vjeçare kapet për herë të dytë rob pas shumë plaçkitjeve në jug nga Kurt Pashai i Beratit. Aliu arrestohet bashkë me 6 persona të tjerë. Por nëse 6 të tjerët shkuan në litar, Aliu shpëton nga litari falë ndërhyrjeve të miqve.

38- Nga hajdut rrugësh, Aliu emërohet inspektor i rrugëve nga Porta e Lartë. Në këtë detyrë ai rekrutoi rreth 4000 ushtarë dhe bënte kontrollin e rrugëve nga Janina deri në Termopile. Ishte i vetmi ushtarak që siguroi rrugët e jugut të gadishullit dhe kjo gjë u prit mirë nga Porta e Lartë.

39- Në moshën 43-vjeçare u emërua Pasha i Janinës. Pas detyrës si inspektor rrugësh, Porta e Lartë e urdhëron të vendosë rregullin në Janinë.

40- Ushtrinë më të madhe Aliu me urdhër të Sulltanit e drejtoi kundër kryengritjeve në Maqedoni, Thrakë dhe kundër Bullgarisë. Me një ferman të posaçëm, Sulltani e emëroi guvernator (vali) dhe kryekomandant (serasqer) të Rumelisë në krye të 80 mijë ushtarëve. Kur ishte në kulmin e pushtetit, Aliu arriti deri në Filopopoli. Por Porta e Lartë i trembej një sulmi nga Ali Pasha, ndaj urdhëroi heqjen e titulli Vali i Rumelisë dhe Serasqer.

Nje nga fortifikimet qe eshte ngritur gjate mbreterimit te Ali Pashes ne Butrint

Nje nga fortifikimet qe eshte ngritur gjate mbreterimit te Ali Pashes ne Butrint

41- Titullin “Asllan”, një nga më të rrallët që u jepej pashallarëve nga Porta e Lartë, Ali Pasha e mori pas pushtimit të krahinës autonome të Himarës. Asnjë pasha tjetër nuk kishte arritur deri në bregdet dhe malet e saj.

42- Ai cilësohet nga historianët si një orator i jashtëzakonshëm. Ishte i aftë të joshte këdo në bisedë. Pamja e tij fisnike, mjekërbardhë dhe më sytë blu bënte që biseduesit të harronin që pas asaj pamjeje fshihej një natyrë e ashpër dhe shumë hakmarrëse.

43- Kur Sulltani i hoqi titujt dhe gradat, Aliu u dërgoi letra gjithë parisë së Athinës, Moresë, Malit të Zi, Serbisë, Vishisë e Moldavisë, ku i ftonte në kryengritje kundër Perandorisë Osmane. Por askush nuk iu përgjigj pozitivisht. Madje as Bushtatllinjtë e Shkodrës nuk e mbështetën Pashain.

44- Është i pari udhëheqës në Ballkan gjatëve viteve 1800 që ka përmendur fjalën “autonomi”. Më 1820 mblodhi në Janinë gjithë parinë, myslimanë dhe të krishterë, ku propozoi shkëputjen nga Porta e Lartë.

Jeta personale

45- Katër ishin gratë që janë martuar zyrtarisht me Ali Pashë Telenën. E para Emine Hanemi, vajza e pashait të Delvinës. E dyta, Katerina e Tepelenës, e treta Jorgjia, dhe në fund të jetës u martua me Vasiliqinë.

46- Në moshën 73-vjeçare, Aliu u martua me Vasiliqinë, një 16-vjeçare nga Pleshevica e Filatit në Çamëri. Thuhet se Aliu ishte në Çamëri për të kapur falsifikatorët e monedhave, por në një shtëpi sheh Vasiliqinë dhe i mahnitur nga bukuria e saj e merr me vete. Vasiliqia nuk pati fundin e Aliut, por nuk pati as një jetë më të mirë. Pashai që i vrau burrin kërkoi ti tregonte thesarin e Aliut. Por ajo nuk u tregoi dhe u internua në Stamboll. Historianë të ndryshëm thonë se ajo më pas u martua me një fisnik italian dhe u vu në kërkim të thesarit të Aliut. Ndërsa historianë të tjerë thonë se e mbylli jetën në vendlindje në avujt e alkoolit.

Ali Pasha dhe Vasiliqia

Ali Pasha dhe Vasiliqia

47- Nuk ka asnjë shifër të saktë sesa ishte thesari i Ali Pashës. Gjatë largimit nga Janina, Hurshid Pasha, mori 50 kuaj me ar dhe argjend me një vlerë të madhe monetare. Ndërsa pjesa tjetër mbeti në More dhe u përdor nga revolucionarët grekë.

48- Historia që vijon, është më kontradiktorja nga “bëmat” e Ali Pashë Tepelenës. I rrethuar gjithnjë prej femrash që stoliste e bënte me to ç’të donte, mori befas një vendim të tmerrshëm për t’i mbytur në liqen disa nga dashnoret e të birit. Frosina, një greke e martuar me një tregtar, por ishte edhe e dashura e djalit të Ali Pashës, Myftarit. Nga një unazë e dhuruar nga Myftari, u bë edhe shkaku i vdekjes së saj. Pas ankesës së gruas së ligjshme të Myftarit që kishte zbuluar unazën, Aliu urdhëroi që Frosina të ekzekutohej dhe e hodhën ne liqenin e Janinës së bashku me 17 vajza të tjera që kishin shkelur kurorën.

49- Me trupin e ndarë në dy hapësira siç është Stambolli dhe Janina, Ali Pasha ende nuk e ka një varr. Trupi i tij është varrosur në Janinë brenda kalasë, një vend i kthyer në pelegrinazh. Koka mendohet se është në Stamboll.  Ka pasur deklarata nga qeveritë e mëparshme për kthimin e kokës së Aliut në atdhe, por që kanë mbetur vetëm deklarata. Duket se historia do vijojë të shkruajë të tjerë kapituj pas vdekjes për këtë shqiptar që Aleksandër Duma e përshkruan si tepër dinak, dhe që oborri i sulltanit e njihte si “Luani i Janinës”, ndërsa Viktor Hygoi e quante ‘Bonaparti mysliman’.

Ali Pasha me Lord Bajronin

Ali Pasha me Lord Bajronin

50- Për ta mbyllur me poetin britanik, Lord Bajronin. Sepse është poeti anglez ai që i dha famën e përjetshme Aliut, duke e bërë personazh të veprave të tij. Në vitin 1809, në oborrin e Ali Pashës shkon poeti i madh anglez Lord Bajron. Bajroni shkruante se sapo e shikoje Ali Pashën, nga mënyra se si fliste, kuptoje menjëherë se nuk ishe para ndonjë pashai oriental. Për Bajronin, “Shqipëria ishte një vend me bukuri natyrore të rralla; shqiptarët njerëz të pashëm, trima, krenarë, me fustanella të bardha; kurse Ali Pashë Tepelena një kapedan i egër, por jo mizor, vezir, por i pavarur, figura e tretë historike pas Aleksandrit të Madh dhe pas Skënderbeut”.

Please follow and like us: