Ngërçi i reformës në drejtësi, çfarë ndodhi mes negociatorëve
Marrëveshja mes socialistëve dhe demokratëve për reformën në drejtësi nuk u arrit të zbardhej në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi natën e së mërkurës. Demokratëve thanë se ishte rënë dakort që formula e pranuar nga Viktoria Nuland kishte të bënte jo vetëm me autoritetin që mbledh kandidaturat për anëtarë të komisionit të vetingut, por edhe për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Negociatori i Partisë Socialiste, Engjëll Agaçi nuk e paranoi këtë variant. Sipas socialistëve ishte rënë dakort që formula të zbatohej vetëm për një institucion. Komunikimi u ndërpre. Socialistët dhe demokratët nuk pranuan asnjë ndryshim qëndrimi. Në këtë moment erdhi dhe reagimi i ambasadës amerikane. Një deklaratë e ashpër kundër kreut të PD, Lulzim Basha. Ambasada tha se Basha paraqiti një kërkesë të re, të papranueshme. Por negociatori i LSI, Ylli Manjani konfirmoi versionin e Partisë Demokratike se e njëjta formulë duhej aplikuar për të 4 institucionet. Ndërkohë, deputetët e opozitës, anëtarë të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, bashkë me përfaqësuesin e LSI-së, Petrit Vasili qëndruan në sallën e punës së këtij komisioni për të pritur nisjen e shqyrtimit të propozimit të fundit. Deputetët socialistë nuk erdhën në asnjë moment në sallë.
Pak para mesnatës, kryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj, doli në një prononcim për mediat duke thënë se nuk kishte thirrur asnjë mbledhje komisioni.
Sipas tij, drafti ishte gati për t’u përcjellë në seancë.