Vazhdon konventa republikane në Kliveland
Guvernatori i shtetit Indiana, Mike Pence, u paraqit dje si kandidati i Partisë Republikane për zëvendëspresident, pasi mbajti fjalën e tij në ditën e tretë të punimeve. Protesta të ndryshme vazhduan ndërkohë jashtë godinës së konventës.
Mike Pence u vendos në qendër të vëmendjes së Konventës Kombëtare Republikane: “Unë jam së pari i krishterë, pastaj konservator dhe pastaj republikan”, tha ai. Zoti Pence është ndër konservatorët tradicionalë të partisë që mund të bindë republikanët skeptikë të mbështesin kandidatin Donald Trump: “Ekipi është gati, partia është gati. Dhe kur të zgjedhim së bashku Donald Trump, presidentin e 45-të të SHBA-së, së bashku do ta bëjmë Amerikën sërish madhështore”. Shenjat e ndasive në parti u shfaqën sërish dje. Senatori i Teksasit, Ted Cruz, i cili humbi gjatë zgjedhjeve paraprake, u bëri thirrje republikanëve të votojnë në nëntor, por nuk shprehu mbështetjen për kandidatin Trump, duke ngjallur kështu edhe reagime në sallë: “Ngrini zërin dhe votoni sipas ndërgjegjes tuaj; votoni për kandidatët që ju mendoni se do të mbrojnë lirinë tonë dhe do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës sonë”. Jashtë sallës, pati më shumë protesta dhe disa të ndaluar nga policia për djegien e një flamuri. Një skenë më e qetë ishte në sheshin qendror të qytetit, ku ishin mbledhur protestues për kauza të ndryshme. Disa protestonin kundër planit të zotit Trump për një mur në kufirin me Meksikën, ndërsa të tjerë pro apo kundër të drejtave të homoseksualëve. “Zoti është i zemëruar çdo ditë me ligësinë tuaj”. “Mund të thonë ç’të duan. Unë nuk kam frikë të qëndroj këtu”. Të tjerë thjesht shijonin pjesëmarrjen: “Mendoj se do shkojnë mirë gjërat, megjithëse isha e shqetësuar. Tani po bisedojmë me shumë njerëz në shesh”. Dikush është në favor të mbajtjes së armëve: “Shpresoj t’i bind njerëzit të votojnë për Donald Trump dhe për të drejtën e mbajtjes së armëve”. Dikujt nuk i pëlqen asnjë kandidat: “Po shpreh pakënaqësinë time me të dy kandidatët, Hillary Clinton dhe Donald Trump. Është një turp për të cilin duhet të na vijë zor”. Ka edhe kandidatë të pavarur: “Ka reagim shumë të fortë kundër Donald Trump, dhe unë jam ndryshe nga ai”. Brenda sallës, Donald Trump ndoqi fjalimin e zotit Pence dhe tashmë përgatitet për fjalimin e tij më të rëndësishëm sot në mbrëmje, kur do të pranojë të jetë kandidati zyrtar.