“Wikileaks”: Anëtarja e VV-së, informon partinë e Erdoganit. Ja çfarë shkruan
“Wikileaks” ka publikuar rreth 300 mijë e-maile rreth partisë së Rexhep Tajip Erdogan-it. Në mesin e këtyre e-maileve, ka edhe mesazhe që kanë të bëjnë me Republikën e Kosovës.
Pas e-mailit më herët, ku anëtarët e AKP-së (Partia Drejtësi dhe Zhvillim) hiqnin paralele mes Kosovës dhe Gjeorgjisë, me rastin e agresionit ushtarak të Rusisë më 2008, tani është publikuar e-maili i titulluar “Kosova, drejt regjimit autoritar”. Në rastin konkret, bëhet fjalë për letrat elektronike të anëtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Esma Bunjaku, e cila informon rreth situatës politike në Kosovë. Bunjaku shkruan rreth demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se Kosova po i fal 9.500 hektar atij shteti. Ajo gjithashtu informon AKP-në se sa e dëmshme është marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë rreth krijimit të asociacionit të komunave serbe në veri të shtetit kosovar. Esma është studente për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës dhe se e-mailet elektronike i ka dërguar në byronë e veçantë të AKP-së, të quajtur “Özel Büro (Digi.Security.Isnet)”.
Transkripti i e-mailit “Kosova, drejt regjimit autoritar”
Më 30 nëntor, 2015, partive opozitare (VV, AAK dhe Nisma për Kosovën) të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili përbëhet prej sistemit pluralist, i janë arrestuar pesë deputetë (dy në ditët e fundit, tre më 30 nëntor), ndërsa të tjerët kanë vendosur që të braktisin seancat plenare. Më 25-26 gusht 2015, në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, dhe qeveria serbe, nën mbikëqyrjen e BE-së (që nuk e njohin Kosovën), kanë nënshkruar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), e gjithashtu është arritur edhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi. Përmes marrëveshjes së AKS-së, po i hapet rrugë kthimit të Serbisë pas 16 viteve në Kosovë, ndërkaq shkaku i demarkacionit, rreth 9500 hektarë dhe territor tejet me rëndësi strategjike të Kosovës (në Bjeshkët e Rugovës) do t’i jepen Malit të Zi. Partitë opozitare po kundërshtojnë këto dy marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, duke zgjedhur si mjete të tyre bilbilat, hedhjen e vezëve dhe gazin lotsjellës. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk dëshiron të tërheq marrëveshjet dhe në këtë formë po i mundëson Serbisë që të ketë në duar një dinamit përmes AKS-së. Qëllimi i Serbisë, ashtu sikur si në Bosnje, edhe në Kosovë (numri i popullsisë serbe është 8-9 për qind), është të marrë kontrollin mbi të gjithë serbët. Ne kemi provuar të gjitha metodat demokratike që të detyrojmë Qeverinë që të tërheq marrëveshjet. Janë mbledhur rreth 206 mijë nënshkrime. Qeveria nuk e merr parasysh peticionin e nënshkruar prej qytetarëve. Më 28 nëntor, rreth 35 mijë njerëz kanë marrë pjesë në një protestë, ku u kërkua që të tërhiqet kjo marrëveshje. Menjëherë pas kësaj proteste, policia ka bastisur selinë e partisë kryesore opozitare, Vetëvendosje, sikur kur sulmohet një ndërtesë e një organizate terroriste, e ku u arrestuan të paktën rreth 150 aktivistë me në krye ish-liderin, Albin Kurti. Ne po hyjmë në një periudhë ku protestat janë të pashmangshme. Edhe nëse qeveria jep dorëheqje dhe shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, ditë mjaft të vështira po e presin Republikën e re të Kosovës. Situata është mjaft serioze!”.