A është Gylen, Trocki i Turqisë?
Gjatë kohës që grushti i shtetit në Turqi zhvillohej, Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan e dinte, me një saktësi të jashtëzakonshme, se kush ishin përgjegjësit dhe autorët e organizimit të këtij grusht shteti. Ai fajësoi menjëherë Fethullah Gylen, një klerik turk, drejtues i një lëvizjeje filozofike që promovon dialogun ndërfetar, i cili që nga viti 199 jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fakt, vitin e kaluar janë shënuar një sërë sulmesh nga më të ndryshmet kundër miqve, ndjekësve apo institucioneve të konsideruar si mbështetës realë apo të supozuar të Gylen. Për shembull, autoritetet shtetërore konfiskuan një bankë dhe disa institucione mediatike, përfshirë dhe gazetën me tirazhin me të madh në Turqi “Zaman”, dhe të gjitha këto media u përdorën në shërbim të qeverisë dhe partisë në pushtet. Por, kjo nuk ishte thjesht një goditje kundër Gylen dhe lëvizjes së tij; ajo gjithashtu ishte dhe një goditje e rëndë për demokracinë në Turqi.
Duke konfiskuar një bankë, Erdogan bëri të qartë se nuk do të lejohet asnjë aktivitet ekonomik që nuk është politikisht në të njëjtën linjë me regjimin e tij. Dhe duke konfiskuar dhe mbyllur mediat, ai bëri të qartë se liria e shtypit në Turqi nuk ekziston.
Emri i Fethullah Gylen është përmendur vazhdimisht para dhe gjatë të gjithë këtyre veprimeve autoritariste. Por, a është kthyer kjo në një obsesion për Erdoganin? A është në të vërtetë Gulen një armik me ndikim, i fuqishëm dhe i gjithëpranishëm për qeverinë turke?
Me shumë gjasa jo. Më shumë ka të ngjarë që Erdogan po e përdor emrin e Gylenit për qëllime të tjera. Që në momentin që Erdogani ka vendosur që të ketë nën kontroll të gjithë spektrin politik që mendon ndryshe dhe që kundërshton atë, që nga kemalistët dhe deri tek pro-kurdët, atij i duhet një “emër”, një “armik”, një “simbol” që të përfaqësonte armikun. Një gjë e tillë i duhet për ta përdorur brenda vendit të tij, por në mënyrë të veçantë ndërkombëtarisht!
Nuk është rasti i parë që një regjim autoritar, apo një regjim diktatorial përdor metoda të tilla. Megjithatë, këmbëngulja e Erdoganit që çdo gjë dhe gjithçka që është kundra tij dhe që i kundërvihet atij në Turqi ta lidhë me emrin e Gylenit, sjell në vëmendjen tonë një rast tjetër tragjik të historisë. Atë të Josif Stalinit dhe Leon Trockit! Me pak fjalë, a mund të jetë Gulen version i ngjashëm me Trockin e Turqisë?
Revolucionari rus që në fillim të viteve 1920 pati përplasje me fituesin e regjimit. Që nga viti 1925, ai e kishte humbur luftën. Në fillim emigroi në Turqi dhe pastaj u persekutua nga autoritetet sovjetike, Trockit në fund iu dha azil politik në Evropë dhe më pas në Meksikë. Në vitin 1940 Trocki u vra nga një agjent i shërbimeve sekrete sovjetike.
Por, pavarësisht nga fakti se mbështetësit Trockit u burgosën dhe ekzekutuan në Bashkimin Sovjetik dhe pasuesit e tij në Evropë llogariteshin vetëm disa qindra, emri i tij u përdor dhe ai u përshkrua si një udhëheqës super i fuqishëm ndërkombëtarisht, një aleat i Hitlerit, Musolinit, Perandorit të Japonisë, dhe kapitalizmit perëndimor. E gjithë periudha e viteve 1930, e cila kulmoi me ekzekutimin e liderëve të revolucionit rus në vitin 1938, u dominuan nga “Kërcënimi Trockist”.
Në fakt, kërcënimi i Trockit shërbeu si një pretekst ideal, për të cilin Stalini kishte nevojë për të eliminuar këdo që kundërshtonte atë dhe të konsolidonte pushtetin e tij.
Duket, se tani Gylen është thjesht një pretekst për spastrimet staliniste në shtetin turk, duke filluar që nga ushtria, sistemi gjyqësor dhe ai arsimor.
Por, ngjashmëritë përfundojnë diku këtu.
Stalini ishte drejtuesi i një perandorie të madhe, dhe ai ishte në fillim të formësimit dhe konsolidimit të një regjimi diktatorial. Stalini gjithashtu kishte mbështetjen e popullsisë në numër të madh të ish-fshatarëve, të cilët pas revolucionit u shpërngulën në qytete. E ardhmja e tyre ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me regjimin e ri politiko-ekonomik të përfaqësuar nga Stalini dhe fraksioni i tij i fortë brenda shtetit Sovjetik dhe Partisë Komuniste. Pavarësisht mizorive, masakrave dhe krimeve për të cilat regjimi sovjetik është përgjegjës, stalinizmi veproi dhe si një forcë unifikuese për shoqërinë në periudhën e pas revolucionit rus.
Dëmi që Stalini i shkaktoi vendit të tij u absorbua nga mjedisi politik ndërkombëtar i viteve 1930 dhe Lufta e Dytë Botërore.
Ndërsa Erdogan, është drejtuesi i një shteti me një rëndësi të veçantë gjeopolitike, por me shumë probleme. Për shembull, ekonomia e Turqisë konsiderohet të jetë në prag të një krize, çështja kombëtare kurde mbetet ende e pazgjidhur dhe shoqëria është thellësisht e përçarë mbi sekularizmin. Dhe më e rëndësishmja, Turqia gjithashtu po përballet me një izolim ndërkombëtar.
Dhe mbi të gjitha, zig-zaget politike dhe diplomatike të Erdoganit dhe kthesat e tij të menjëhershme, e kanë bërë Turqinë pjesë të problemit të krizës siriane. Angazhimi i tij kundër Assad-it dhe indirekt, edhe pse e dyshimtë, marrëdhëniet me Shtetin Islamik, kanë rezultuar me pasoja dhe humbje të konsiderueshme në nivele diplomatike dhe ato të sigurisë. Erdogan ka krijuar një krizë diplomatike edhe me Egjiptin. Dhe, ai u poshtërua duke shprehur keqardhje dhe duke kërkuar ndjesë ndaj Vladimir Putin për rrëzimin e avionit ushtarak rus nëntorin e vitit të kaluar.
Me hapat e njëpasnjëshëm të ndërmarra prej tij për zgjerimin e qëllimeve të tij autoritare, Erdogan e ka përçarë thellësisht shoqërinë turke. Gjithashtu, tashmë është shumë e vështirë që ai të bindë aleatët potencialë (SHBA-të dhe Bashkimin Europian) se sulmet e tij mbi pronat e grupimeve të caktuara dhe pronat e qytetarëve të thjeshtë, janë kryer nën pretekstin se këto i përkasin lëvizjes së Gylenit.
Dhe pas qartësimit dhe zbardhjes së ngjarjeve pas përpjekjes së fundit për një “grusht shteti” në Turqi, shumë personalitete të rëndësishme politike europiane dhe amerikane kanë dyshime serioze. Nëse rreziku që përfaqësojnë armiqtë e presidentit dhe qeverisë turke ishte kaq i madh dhe kaq ekstrem, dhe nëse kjo ishte një suprizë e tmerrshme për regjimin, atëherë si ka mundësi që regjimi e kishte kaq të lehtë dhe të thjeshtë që të përballej me një tentative të tillë dhe të shtypte grushtin e shtetit? Surpriza e vërtetë ishte pikërisht shpejtësia me të cilën iu përgjigj “shteti i kapur në befasi” i Erdoganit.
Gjithashtu për ne është tejet “suprizues” dhe fakti që burokracia turke ishte aq efektive në përpilimin e listave të gjata të personave të përfshirë në përgatitjen e grushtit të shtetit të dështuar. Lista përfshin gjyqtarë, oficerë të ushtrisë, akademikë dhe mësues të sistemit parauniversitar…
Me fjalë të tjera, lista përfshin të gjithë ata që përbëjnë elitën opozitare të vendit.
Në njërën anë, Erdogan po orkestron konsolidimin e regjimit të tij autoritar. Dhe nga ana tjetër, megjithatë, ai po e dobëson akoma më shumë vendin e tij, veçanërisht në një periudhë që është tejet e rëndësishme për të gjithë rajonin. Ky është një fakt që nuk mund të injorohet nga Bashkimi Europian. Turqia është një vend me lidhje të shumta me Bashkimin Europian dhe është, natyrisht, një vend tejet i rëndësishëm për objektivat strategjike, ato të sigurisë dhe energjetike të Bashkimit Europian.
Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike në Turqi duhet të na shqetësojnë të gjithëve.
Në vitin 1930, demokracitë perëndimore i kuptuan përmasat reale të asaj që Stalini e cilësonte si “Kërcënimi Trockist” dhe pavarësisht faktit që nuk ndanin të njëjta ide me të arratisurit rusë, ata u ofruan atij azil politik dhe mbrojtje, ashtu siç bënë me shumë komunistë dhe anarkistë, të cilët u arratisën nga Bashkimi Sovjetik.
Vendet perëndimore arritën të dërgonin një mesazh të qartë për Stalinin që ai nuk mund të impononte vullnetin e tij mbi demokracitë perëndimore. Ata gjithashtu nënvizuan dhe angazhimin e tyre për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat e saj.
Të kthehemi tek rasti i tanishëm. Erdogan, në një mënyrë tejet arrogante dhe urdhëruese po kërkon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “kokën e Gylenit”, pra po kërkon bashkëfajtorë dhe bashkëpunëtorë. Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin në konsideratë kërkesën e Turqisë për të ekstraduar Fethullah Gylenin, kjo do të ishte një goditje e rëndë kundër vetë demokracisë.
Duke mbrojtur Gylenin nuk do të thotë që po mbrohen pikëpamjeve të tij, por është një mbrojtje e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut në Turqi. Në fakt, ajo është mbrojtja e demokracisë në vendet tona, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.
Shënim: Tentative e grushtit të shtetit në Turqi nxori në pah sërish një problem tejet serioz të Europës. Kampionët e “demokracisë joliberale” nuk u mjaftuan vetëm duke uruar Erdoganin, ata gjithashtu e konsideruan atë dhe si një mundësi për të zbuluar dhe lokalizuar “armikun”. Nga deklaratat që ata bënë vetëm pak orë pasi Europa mësoi më shumë në lidhje me grushtin e shtetit, u pranua që ata që u përpoqën që të rrëzonin regjimin e Erdoganit ishin terroristë.
Për arsyen e thjeshtë se hendeku ndërmjet asaj që “demokracitë joliberale” po bëjnë në vendet e tyre dhe ajo që ka ndodhur dhe po ndodh në Turqi nuk është shumë i madh, këto deklarata janë një arsye më shumë që Bashkimi Europian të jetë i shqetësuar.
*Kryeredaktor i “New Europe”