Ansa/ Shqipëria, revolucion në drejtësi
Parlamenti shqiptar votoi njëzëri, me 140 vota pro nga 140 deputetë, një nga reformat më të thella dhe më të rëndësishme të ndërmarra ndonjëherë gjatë këtyre 26 viteve demokraci, atë të sistemit të drejtësisë, shkruan sot agjencia italiane e lajmeve, ANSA.
”Duke modifikuar rreth gjysmën e Kushtetutës së saj, Shqipëria i hap rrugën një ndryshimi radikal të arkitekturës së brendshme të magjistraturës, që do të shembet për të ndërtuar një sistem të ri”, thekson ANSA.
”Përveç institucioneve të reja është parashikuar një proces ‘pastrimi’ në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët do të jenë nën një verfikim të imët dhe nën një kontroll të pasurive dhe të aktiviteteve profesionale. Një operacion që i është besuar një grupi ekspertësh ndërkombëtarë, evropianë dhe amerikanë”, shton ajo.
”Miratimi i reformës ishte frut i një presioni të madh ndërkombëtar nga nivelet më të larta institucionale të Brukselit dhe Uashingtonit, që sponsorizuan gjithë procesin përgjatë 20 muajve.
“Sot hapëm kapitullin e revolucionit të sistemit gjyqësor që do të fshijë gjyqtarët e korruptuar”, deklaroi në sallën e parlamentit kryeministri socialist Edi Rama.
“Kjo është një fitore e qytetarëve shqiptarë për një drejtësi që të jetë në shërbim të tyre”, tha lideri i opozitës së qendrës së djathtë Lulzim Basha, i cili gjatë javëve të fundit ka qenë shumë herë në qendër të kritikave të ndërkombëtarëve, pas kundërshtimeve të përsëritura, ndërkohë që procesi i miratimit të reformës i afrohej fundit.
Me miratimin e reformës, Tirana shpreson të marrë vjeshtën e ardhshme rekomandimin nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave të anëtarësimit.