Antuen Skënderi: Taksa e padrejtë qeveritare
Pak ditë më parë, pa shumë bujë dhe vëmendje në media kaloi një lajm se Ministria e Financave ka vendosur tashmë që kufiri i pataksueshëm për blerjet online të ulet nga 150 euro në 45 euro, ku sipas financave ky është dhe kufiri i lejuar i vendeve të Bashkimit Europian. Për të shuar kuriozitetin, bëra një kërkim dhe rezulton se kufiri i taksës nga Bashkimi Europian është 150 euro në rastet kur blihet nga vendet jashtë Bashkimit Europian sepse brenda unionit nuk aplikohen taksa. Ky vendim nuk i shërben konsumatorit të thjeshtë, i cili në pamundësi për të blerë me çmimet abuzive të tregtarëve vendas i drejtohet një tregu më të gjerë. Është absurde që për të njëjtin produkt në SHBA apo në vendet e BE çmimi është 2-3 herë më i lirë. Nëse merr në konsideratë edhe pagat e qytetarëve shqiptarë bëhet e qartë se kjo nuk është një përpjekje për të shtrembëruar tregun nga konsumatori nga ku paska dalë edhe nevoja për masa proteksioniste nga qeveria ndaj tregtarëve. Për qytetarin, kjo është një përpjekje për të plotësuar nevojat jetike në nivel individual kur politika e rishikimit të pagave është lënë në harresë. Nëse qytetarët nuk blejnë produktet në tregun vendas, problemi është i tregtarëve dhe jo i qytetarëve. Ata duhet të rishikojnë raportin e fitimit të tyre dhe çmimit që ofrojnë. Pyetja ime është: Cili ka nevojë për mbrojtje në këtë rast dhe kë po mbron qeveria? Lehtësia për të ndryshuar rregullat me VKM në dëm të qytetarëve, duhet të aplikohet dhe për t’i korrigjuar ato.