Basha, bisedë telefonike me Nuland: Suksesi reformës falë lidershipit dhe patriotizmit tuaj
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një bisedë telefonike me Ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, Viktoria Nuland e cila shprehu përgëzimet e saj për arritjen e marrëveshjes për reformën në drejtësi.
“Me qëndrimet dhe veprimet e tua ke dëshmuar se je një patriot për vendin dhe interesat e tij”, iu drejtua Nuland, Bashës. Ndihmessekretarja amerikane me tej theksoi se ky sukses nuk do të kishte qenë i mundur pa lidershipin e treguar nga Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën vendimtare të zonjës Nuland për arritjen e konsensusit dhe për vëmendjen dhe mbështetjen e palodhur e të jashtëzakonshme të treguar që në ditën e parë të këtij procesi e deri në finalizimin e tij.
Basha shprehu vlerësimin e jashtëzakonshëm dhe mirënjohjen për Ambasadorin Donald Lu i cili ka luajtur një rol kyç në këtë proces të gjatë, të mundimshëm dhe të vështirë.
Basha theksoi se ky proces historik u mbyll me sukses, dhe duke garantuar standardet më të larta pikërisht nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që edhe një herë iu gjenden në krah Shqipërisë dhe shqiptarëve, si në ngjarjet e tjera madhore që nga shtetformimi, anëtarësimi në NATO dhe pavarësia e Kosovës.
Sfida e ardhshme e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të kërkojë po kështu një angazhim dhe mbështetje të madhe të SHBA theksoi kryetari i opozitës. Zonja Nuland e garantoi zotin Basha për mbështetjen e SHBA për zgjedhje të lira dhe të ndershme.