Kuvendi i Shqipërisë miraton reformën në drejtësi me 140 vota pro
Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh në seancë plenare për miratimin e projektligjit“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar si dhe të disa projektligjeve të tjera.
Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Fatmir Xhafaj tha se sot është një ditë e veçantë, ndërsa vlerësoi punën e realizuar nga ekspertët vendas dhe të huaj që punuar për këtë projekt.
“Sot është një ditë e veçantë në historinë e konstitucionalizmit. Që nga momenti i marrjes së angazhimit për reformën në drejtësi, sot rezultatet janë më të prekshme se kurrë. Sot qytetarët, miqtë, partnerët dhe skeptikët gjejnë hapin e parë. Sot do të miratojmë bazën kushtetuese mbi të cilën do reformohet sistemi i drejtësisë për të qenë një drejtësi më e besueshme për shqiptarët. Ky proces është nga proceset më të mira nga metodologjia, angazhimi i burimeve zyrtare. Reforma ka në fokus ndryshime në shtetin e së drejtës. Rregullat kushtetuese të reja dhe paketa e ligjeve nuk bëhen për individë apo mandate të caktuara por për riorganizuar institucionet e drejtësisë”, deklaroi z. Xhafaj.
Deputeti i PR-së, z. Fatmir Mediu , vlerësoi arritjen e konsensusit për Reformën në Drejtësi. “Konsensusi rruga e vetme. Politika ka qenë fajtore ndër vite për mohimin e një pjesë të të drejtave të qytetarëve -“një pjesë të të drejtave të qytetarëve, ua kemi mohuar ne, politika”, tha z. Mediu.
Deputetja e PDIU-së, znj. Mesila Doda tha se sot të gjithë deputetët do të kenë mundësi që të nisin ndryshimin . “Kjo reformë në drejtësi do të jetë hapi i parë për të ngritur një sistem që pretendon drejtësi për të gjithë, por që do të hasë gjatë ndërtimit të tij rezistencën më të fortë, të atyre që ngritën sistemin e vjetër, të cilët e volën me kaq makutëri. Kjo rezistencë do të jetë e ashpër, e paepur, sepse pretendojmë të shkallmojmë atë që Migjeni e quante “mali që s’bëzan”.
Të paktën, ne që kërkojmë të mos futemi tek ai thes, ku na kanë vizatuar të gjithë të zezat e botës, ne mos të rezistojmë, sot duhet të votojmë”, tha znj. Doda.
Nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Oerd Bylykbashi vlerësoi rolin e opozitës, ndërsa shtoi se ka ende shumë punë për t’iu dhënë shqiptarëve drejtësi më të mirë.
“Sot, ne miratojmë një ndryshim që nuk ndryshon thjesht kushtetutën, por ndoshta do të çojë drejt një republike tjetër. Shpresa është se këto ndryshimet e sotme të na çojnë drejt një Shqipërie, një shteti që të jetë më i mirë. Sot, kjo është shpresë. Të ishte për këtë mazhorancë do kishim votuar draftin e shtatorit të kaluar. Por falë opozitës, ne sot të vijmë në një draft ndryshimi kushtetues që është shumë herë më i mirë se sa ai që kjo mazhorancë miratoi në shtatorin e kaluar. Shpresa është e madhe që më këtë punë të jashtëzakonshme të bërë sot dhe mundin e derdhur nga parlament, që me këtë draft do t’i japim shqiptarëve një drejtësi më të mirë. Sigurisht që do të ketë shumë punë. Besoj se kemi kontribuuar për ta bërë drejtësinë më të mirë për shqiptarët”, tha z. Bylykbashi.
Kryeministri Edi Rama, nw fjalwn e tij tha se vota e sotme do të çelë tiparin e një revolucioni të shumëpritur në drejtësi. “Nëse do të vendosja një ditë të shkruaja një libër për historinë e këtij procesi dhe të rreshtoja ç’më kanë parë sytë dhe veshët, në shqip dhe anglisht jam i bindur se nuk do gjendje një lexues i vetëm që t’i besonte. Por nuk besoj se do e shkruaj ndonjëherë sepse do sëkëlldiseshin disa përfaqësues të popullit në këtë sallë. Pa këta miq që po na ndjekin nga ballkonet e parlamentit, kjo ditë e sotme për votimin konsensual nuk do kishte ardhur kurrë, para se të shuhej fara e një politike të mbrapshtë me 7 koka. Një politikë që e bëri drejtësinë shesh. Reforma do të nxjerrë tymin e zi nga pallati i padrejtësisë. Falënderim dhe një ndjesë për çdo mik ndërkombëtar të Shqipërisë. Jam i bindur se shqiptarët që ndjekin fundin e kësaj odiseje të gjatë, që nuk besonin se reforma në drejtësi do të bëhej, do t’u jenë gjithnjë mirënjohës miqve tanë të mëdhenj. Vota e sotme do të çelë tiparin e një revolucioni të shumëpritur në drejtësi. Ky proces nuk do të ketë asnjë hap më të lehtë se sa ky që hodhëm sot. Gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar do t’i fshijë nga sistemi i drejtësisë fshesa e vettingut”, deklaroi z. Rama.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, e ndryshuar” u miratua me 140 vota pro.
Kuvendi miratoi dhe projektligjin “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e
kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Development Limited”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike”.
Kuvendi miratoi dhe projektvendimin “Për ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 55/2014 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimin e pozicioneve të punës të Inspektoriatit të
Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Në seancë plenare u votua dhe projektvendimet për plotësimin e katër vendeve vakant në Autoritetin e Mediave Audiovizive për anëtarët: z. Zylyftar Bregu, z. Sami Nezaj, znj. Suela Musta dhe z. Agron Gjekmarkaj.
Projektvendimi “Për zgjedhjen e z. Arben Malaj anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë” u miratua me 107 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kuvendi miratoi dhe projektvendimin “Për miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për
rivlerësimin e pasurive të paluajtshme” si dhe u miratua projektkalendari 1-javor i punimeve të Kuvendit për periudhën 25 – 29 korrik 2016.
Seanca i mbylli punimet rreth orës 00:54 të datës 22 korrik 2016.