Albspirit

Media/News/Publishing

OSBE: Reforma, e vërtetë vetëm kur të ndihet nga qytetarët shqiptarë

osce

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka mirëpritur miratimin nga Kuvendi të paketës së ndryshimeve kushtetuese që synojnë reformimin e sektorit të drejtësisë. Një çështje kjo mjaft e diskutuar prej muajsh e cila u miratua mbrëmë pas një seance maratonë dhe falë mbështetjes së ndërkombëtarëve.

“Ne e përgëzojmë Kuvendin për këtë arritje thelbësore, e cila u mbështet qartë nga shumë ekspertë dhe diplomatë ndërkombëtarë. Kjo është një arritje e rëndësishme, që i hap rrugë zbatimit të reformës së njëmendtë në drejtësi. Ndryshimet e miratuara sot tani duhet të pasohen nga ligje dhe akte nënligjore, procedura dhe politika, për të tërë sistemin gjyqësor.

Reforma do të jetë e vërtetë vetëm kur të ndihet nga qytetarët shqiptarë, në jetën e tyre të përditshme, anembanë vendit. 

Mënyra se si do të zbatohet paketa e reformës është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe suksesin e procesit të reformës. Qëndrueshmëria dhe suksesi, gjithashtu, varen nga ndryshimi i sjelljes: nga vendosja e një kulture përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje, lufta kundër pandëshkueshmërisë dhe konsolidimi i respektimit të shtetit të së drejtës, në të gjitha shtresat e shoqërisë. 

Prezenca e OSBE-së ka qenë një kontribuese dhe partnere e përkushtuar e procesit të reformës dhe mbetet e gatshme të vijojë mbështetjen e saj aktive, në të gjitha nivelet,” thuhet në deklaratë.

Please follow and like us: