Turqia, Erdogani dhe Guleni
Gjendja e jashtëzakonshme që ka shpallur presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i ka dhënë atij më shumë pushtet për të zgjeruar një fushatë spastrimi që ka çuar në arrestimin ose shkarkimin e gati 60 mijë njerëzve. Ky spastrim ka si objektiv kryesisht anëtarët e një lëvizje shpirtërore masive të drejtuar nga ish-imami Fethullah Gulen. Ai ka qenë një aleat politik i zotit Erdogan por udhëheqësi turk e akuzon se po përpiqet të krijojë një shtet paralel dhe se qëndronte prapa grushtit të dështuar ushtarak.
Fethullah Gulen nuk ka shkelur në tokën turke prej 17 vjetësh, por emri i tij ngjall emocione të forta mes përkrahësve të Erdoganit.
“Jemi këtu për të mbështetur Tayyip Erdoganin. Le ta marrin ëngjëjt nën krahët e tyre dhe të mallkohet Fethullah Guleni,” thotë ky mbështetës i Erdoganit.
Ata që i përkasin lëvizjes së Gulenit janë të rezervuar dhe nuk flasin këto ditë. Ndërtesa ku janë shtypur dhe shpërndarë librat e tij ka një flamur që mbulon emrin e dyqanit – një shenjë frike.
Lëvizja e Gulenit është e fuqishme dhe e fshehtë. Pak këtu e pranojnë se janë pjesë e saj por lëvizja ka një prani masive në arsim. Aanëtarët e saj mbajnë poste në ushtri, zbulim dhe drejtësi – sektorë që janë përfshirë nga spastrimi i Erdoganit.
Një gazetar në Stamboll e ka hetuar Gulenin për 16 vjet dhe në një rast u burgos nga një gjyqtar që ishte pasues i Gulenit:
“Përse iku? Kjo nuk ka të bëjë me aktivitetet e tij të biznesit. Fethullah Gulen ulet rehat në kolltukun e tij por do që ta ketë të gjithë vendin nën këmbët e tij.”
Erdogan dhe Gulen ishin dikur aleatë, që ndanin një vizion për islamizmin e butë. Më vonë u bë e qartë se Turqia nuk i mbante dot të dy:
“Ky pushtet me kalimin e kohës bëri që këta dy partnerë të kishin mosmarrëveshje pasi Erdogani nuk është nga ata që i pëlqen ta ndajë pushtetin.”
Spastrimet e Erdoganit janë përqëndruar në institucione ku Guleni besohet të ketë influencë përmes pasuesve të tij që zakonisht janë të arsimuar mirë dhe me pikëpamje perëndimore.
Lloji i islamizmit të tij është tërheqës për shumë njerëz që kërkojnë të jetojnë me besimin islam në një botë moderne.
Shtetet e Bashkuara e lejojnë atë në territorin e tyre, prandaj shumë turq shohin një lidhje – të vërtetë ose jo – mes Amerikës dhe grushtit të dështuar ushtarak që po ndryshon Turqinë.