Albspirit

Media/News/Publishing

Akuza, pezullohet zbardhja e  vendimit për 40 hektarë tokë 

Me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme, është pezulluar zbardhja e vendimit të Gjykatës së Lartë, që i jepte mundësinë Eleni Linos dhe Ilia Çabirit për t’u bërë pronarë të 40 hektarëve tokë në zonën e Butrintit, afër Sarandës. Vendimi i dhënë një javë më parë nuk do të zbardhet me argumentat e tij, pasi, sipas prokurorisë, në këtë vendim nuk i lejohet të japë argumenta juridikë gjyqtares Majlinda Andrea, e cila ka qënë në trup gjykues dhe që tashmë akuzohet nga prokuroria se ka marrë 50 mijë euro nga Çabiri dhe Lino me qëllim mospranimin e rekursit, të depozituar në Gjykatën e Lartë nga Avokatura e Shtetit. Për momentin, gjyqtarja Andrea është e pezulluar nga detyra dhe administrata e Gjykatës së Lartë i ka hequr të drejtën e pagesës dhe të drejtën e përdorimit të makinës që e disponon nga institucioni.

Lino zbulon Andrean
Njëherësh Prokuroria e Përgjithshme ka marrë në pyetje shtetasen Eleni Lino, e cila tashmë ndodhet në “arrest shtëpie”. Lino ka treguar të gjithë skemën e korrupsionit në Gjykatën e Lartë, duke pohuar se kanë dashur këtë gjyq me qëllimin e vetëm që të regjistronin pronën e trashëguar në hipotekë. Lino ka rrëfyer se kishin hyrë në kontakt me shtetasin Petraq Dashi, pasi, nga bisedat që kishin zhvilluar me të, ai u kishte dhënë garanci se mund të bënte diçka, pasi kishte njohje me bashkëshortin e gjyqtares Majlinda Andrea, shtetasin Odhise Andrea. Lino ka shpjeguar më tej se Dashi i ka thënë fillimisht se, për të mbaruar punë, burri i gjyqatres kishte kërkuar 60 mijë euro, por pas disa ditësh kjo shifër u ul në 50 mijë euro. Lilo ka shpjeguar se sasinë e eurove Dashi dhe Odhise Andrea e kanë kërkuar në emër të Majlinda Andreas, e cila, me vendimin e saj, nuk do të pranonte kërkesën e Avokaturës së Shtetit për të gjykuar dosjen e pronës 40 hektarë në Butrint.

Filmimi i Odhise Andreas
Momenti kur 50 mijë euro paguhen nga sekseri Petraq Dashi tek bashkëshorti i gjyqtares Odhise Andrea, që rezulton të jetë dhe këshilltar i komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë, është filmuar nga strukturat policore me urdhër të kryeprokurorit Llalla. Vetëm pak ditë pas marjes së lekëve, kolegji civil i Gjykatës së Lartë është mbledhur për shqyrtim të kësaj çështje, duke vendosur ditën e martë të pranojë kërkesën e palës që kishte paguar 50 mijë euro, Ilia Çabiri dhe Eleni Lino. Mirëpo, menjëherë pas deklarimit të vendimit, në rrethana të paqarta gjyqtarja Andrea është vënë në dijeni të hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila tashmë kishte dokumentuar të gjitha veprimet korruptive të gjyqtares Majlinda Andrea dhe bashkëshortit të saj Odhise Andrea. Menjëherë pas kësaj Andrea së bashku me bashkëshortin e saj janë larguar nga vendi me qëllimin e vetëm për ti shpëtuar prangave të policisë.

Kërkesat
Prokuroria e Përgjithshme ka vepruar duke ju drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërksë për caktimin e masës së sigurisë “pezullim nga detyra” për gjyqtaren Andrea dhe “arrest në burg” për burrin e saj Odhise Andrea.

Eurot tek Andrea
Lilo ka shpjeguar se sasinë e eurove Dashi dhe Odhise Andrea, e kanë kërkuar në emër të Majlinda Andreas, e cila me vendimin e saj nuk do të pranonte kërkesën e Avokaturës së Shtetit për të gjykuar dosjen.

Operacioni/Tre të arrestuar, Andrea e pezulluar burri në kërkim
Një javë më parë janë arrestuar nga ana e Policisë së Shtetit, tre të dyshuarit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino. Këta tre shtetas dyshohet se i kanë paguar gjyqtares Majlinda Andrea 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre, në një proces njohjeje prone që ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Shuma e parave dyshohet se i është dhënë gjyqtares nëpërmjet bashkëshortit të saj, Odhise Andrea. Hetimi për këtë çështje ka nisur nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka kryer veprimet e nevojshme proceduriale. Pasi është konstatuar se në veprime të dyshimta korruptive rezulton e përfshirë edhe një gjyqtare e Gjykatës së Lartë, hetimet i vijoi Prokuroria e Përgjithshme, si struktura kompentente për hetimin e zyrtarëve të institucioneve kushtetuese.

Please follow and like us: