Atdheu i Podrimjes
Ali Podrimja, poeti që sfidoi genocidin mbi shqiptarët, u nda nga jeta më 22 korrik në Lodë të Francës; në homazh risjellim librin e luftës së fundit në Kosovë, si dëshmi për atë që ndodhi në Gadishullin Ilirik, në mbyllje të mijëvjeçarit të dytë, në përballjen me të keqen që i është kërcënuar ekzistencës së shqiptarëve. Është përmbledhje poetike e viteve ’87-’92, e shkruar diku në Evropë gjatë derdhjes së ish-bashkësisë sllave.
Nga Violeta Murati
Kufijtë shpirtërorë të një poeti caktojnë dhe fatin e tij, si me vendin ku shkruan, ashtu dhe me lexuesin e botës. Nëse Ali Podrimja do kishte shkruar mbi hartën e Kosovës, poezitë e tij nuk do ishin veçse një teatër provincial, ku do të rrëfehej si në një pikturë burrat që vriten, fëmijët që ulërasin dhe theren, gra shtatzëna që ngjeshen mullarëve rrëzë shtëpisë për t’u pushkatuar, dhe plot imazhe të tjera të mjeshtërisë së krimit nga çmenduria kolektive serbe, që do të rrëqethnin nga fjalët. Këto i takojnë “fotografisë së verdhë”. Pikërisht fjala e lidhur ngushtësisht me shpirtin, ka qenë arsyeja e vetme pse poeti nga Kosova, Ali Podrimja, sot nuk lexohet si atdhe, si kufi, por si atDheu, si liria. Kjo e fundit e përgatitur qysh në ’87-ën, kur “Dëshmia” e poetit hap vëllimin “Libri mbi të qenit”, duke na ndërgjegjësuar qysh në krye me një të drejtë biblike – kohën e të drejtës për të jetuar. Podrimja ka krijuar poezi me lirikë të ashpër, gati të egër, sikur çdo varg që ka shkruar ishte i fundit në jetën e tij, ashtu siç ka ndodhur në pritje për lirinë e Kosovës. Një nxitim për të na treguar si dëshmi e gjallë për atë që ndodhi në Gadishullin Ilirik, në mbyllje të mijëvjeçarit të dytë. Këtë na e ka pohuar edhe vetë poeti, në të gjallë, kur ka folur pse u nxit të përmblidhte në këtë vëllim poezitë e shkruara në një hark kohor prej një dekade, para se Kosova të fitojë pavarësinë, ku një pjesë e tyre janë shkruar diku në Evropë gjatë derdhjes së ish-bashkësisë sllave. Ky është libri i luftës së fundit të shqiptarëve të Kosovës. Ka një identifikim organik të poetit me vendin e tij, që e ndjek si poezi në përballjen me të keqen që i është kërcënuar ekzistencës së shqiptarëve. Poeti e di lavdinë e poezisë, fuqinë luftarake që kanë vargjet, e shikon me dhembshuri poezinë fjalamane, duke pohuar se “kjo shqisë dallon nga të gjitha artet, që është një filigran, ku krijuesi nuk pran derisa bindet se më në fund atë mundet ta marrë dheun”.
Martin Camaj është gjurma që ndjek poetin, një rrëgjim prej nga mund të ndjejë ngushëllim për fjalën, për atdheun si një arkë. Është një përfytyrim biblik që na përplas qysh në hyrje poeti, për tokën. Nuk mund të imagjinosh se sa e dhimbshme ndihet tek poeti, nga fillimi deri në fund, për të kuptuar forcën që të jep atDheu. Ali Podrimja na përgatit në hyrjen e procesit të zhvendosjes në një të qenies me tokën. Ne kuptojmë se jemi në Evropë, se “damarët” që bashkon dhe bën të njëjtët atDheun me veten janë lumenjtë, si gjaku. Ka një psikozë, lidhjeje të çuditshme, për nga mënyra se si Podrimja ka ndërtuar këtë përmbledhje poetike.
Atdheu i mbërthyer në arkë, nuk është veçse një përfytyrim i shkruar në vitin ’91, ku nevoja drastike për të vdekur, i ngjan një dëshire të pavullnetshme të përmbysjes, ndryshimit, të ringjalljes. Podrimja na e përcjell këtë gjendje pa trajtë atdhetare, ndryshe nga ç’përsërit vazhdimisht në poezitë e tij, qëllimshëm, fjalën e shkruar ndryshe, atDheu.
Ky rilexim i ri i poezive të dekadës së kaluar, të shkruar nga poeti, t’i heq kufijtë e kohës. Aq më tepër kur kemi të mbartur një informacion të tmerrshëm të ngjarjeve në Kosovë. Prirjet patriotike të Podrimjes, detyrimisht, pa këtë kontekst historik nuk mund t’i shikojmë. Ajo që na çon në këtë drejtim është ngjyra e poezive, estetika gjuhësore. Ndërsa simbioza e brendshme, kuptimi letrar që i jep shqisës së gjashtë poeti, është një botë krejtësisht pa kufij, pa gjak, pa urrejtje, pa shquar as tokë, as horizont, ku lind dhe mbyllet dita. Është atDheu shpirtëror që na jep Podrimja të lexojmë, për të depërtuar në qenien, në ekzistencën tonë. Këtë e nis nga grupimi i poezive “Plagët e gjalla”, aty ku nis ngacmimi dhe dhimbja, kjo e fundit gjithnjë si shkak për të shkruar. Janë këngë-bisede të poetit me Zotin, atë që është shpirt dhe e keqe brenda dhe jashtë nesh. Në vitin ’92 poezitë e Podrimjes janë qëndrim i hapur, një mënyrë angazhimi për të kuptuar gjendjen se sa për të treguar “lodhjen”, “rraskapitjen”, “rrënimin” nga pritja për të qenë të lirë. “Në zgripc” është një shpërthim, prej liriku të egër, për të shfaqur kufirin e absurdit ku ka mbërritur ekzistenca e një vendi, e një njeriu, e një vepre. Sa tregon fatin e Kosovës në hartën e Evropës, poeti e përcjell gjendjen në gjakun, në atë që duhet të sakrifikohet, në lirinë, në dëshminë e gjallë, dhe në të paimagjinueshmen, në paralelizmin e Dantes se “…varr se varr/ më i sigurt i imi/ se ai i Dantes…”.
Është një denoncim poetik që bëhet për çfarë po ndodh, për një realitet që s’njeh të ngjashëm. Angazhimi i Podrimjes ka qenë krejtësisht i qartë, i dhënë me gjithë forcën e tij intelektuale si e vetmja mënyrë për t’u kuptuar, për t’u njohur e vërteta, si histori.
Nëse kemi njohur dhe së fundi po flitet për poetët kombëtarë, që sublimuan mbi talentin për poezinë, në një luftë vargjesh për atdheun, rasti i Podrimjes e ndan këtë kufi dukshëm. Nuk ka talent të shkuar “dëm” për hir të atdheut, kombit, si sakrificë patetike, apo emocionale.
Ka një shteg si gjithë poetët universalë për të identifikuar vetveten në një proces organik, ashtu si gjaku në trupin e njeriut, me jetën e atDheut.
Ali Podrimja na bën të shohim qartë se çfarë i përket termit komb, jetës së njeriut si qenie në një ngjashmëri me jetën atDheun. Të gjitha ndjeshmëritë e poetit sillen në këtë njëjtësi semiotike, të pandashme.
Podrimja nuk ka qenë rebel, në poezi është heretik, denoncues. E gjen mënyrën për t’i shprehur këto në të gjitha simbolet e mundshme, që gjitha janë moderne në gjuhën e poezisë. Elegjia është reprizë e pangjashme, ku poeti shpërthen në dhimbje thjesht për një humbje miku, në një kontekst historik, gjithnjë duke e kërkuar në rrënjë, atë që i është mohuar.
Koncentrimi i vargjeve, ngjeshja e mendimit në një filozofi poetike është karakteristika e poezisë së Podrimjes. Me grupimin e poezive “Rrënimi i përmendores së turpit” hyjmë në oborrin e të zezave që i kanë ndodhur poetit, atDheut të tij. Metafizika kthehet në një hije, në paranojën kolektive të një populli, të një vendi që prodhon dhunën. Podrimjen në këtë kapitull e kemi gati të pashpresë, por me një forcë të madhe për të denoncuar më fort të keqen, asaj që ndodh pas emrit të madh, të shpërbërë. Qoftëlargu, kuti e zezë, udha e dhelprës, satani, gjuha e qeni, diku në poezitë e mëmbrapme kemi Hadin, Troja, kasapi i sorranisë, mjeshtri i krimit… një gjuhë simbolike që padyshim ne kemi parasysh makinerinë e krimit serb.
Por poeti nuk bëhet aq “cinik”, ruan inatin e tij, duke e shndërruar e përdorur gjithë këtë histori, në një luftë fjalësh që ndodhin brenda së njëjtës fare, atë të qenies, asaj pjese të keqe që ndodh brenda njeriut. Rruga e poezisë së Podrimjes është si rruga e qumështit, drita që tregon ekzistencën, forca për të mposhtur rrënim, njohuri për të zbuluar. Ndërsa atdheu është kallëzim biblik.
“Ferri e humbi kuptimin” – “…na ruan atDheu, dashurinë / mike vjetër vdekja…”. Thonjëzat e para janë titull poezie, dhe fjalët në vazhdim janë vargjet e fundit të saj, që na fusin në një sintetizëm të pazakontë. Është nga titujt më entuziastë, nëse në perceptimin e njeriut ferri mbetet ende një mister, i frikshëm, i ftohtë, gërryes, zjarr, djegie, vetmi, kallkan. Është si diçka e marrë nga nëntoka, vendi ku jetojmë mbi dhe ku trupi do na hidhet. Është dhe e urryeshme, dëshpëruese, dhe tepër lakmuese kur të njëjtën gjë e gjejmë dhe mbi tokë. Por me një ndryshim- mbi tokë rrimë nga dashuria, dhe e keqja na çon në ferr. Në këtë përfytyrim duket se na rri poezia e Podrimjes, sa tronditëse, aq dhe dhimbshme. Por fortësia që të jep, e kalon përmasën e njerëzores. Duhet të kuptosh pikërisht raportin që krijon poeti mes njeriut dhe të keqes, mes tokës si ngjizje dashurie, si përbërje e jotja dhe parëndësisë që merr kufiri ndarës, kur gjithçka zbulohet prej një fryme vërtetësie. Imagjinata nuk hyn më në punë, përpara asaj çfarë poeti na zbulon shpirtërisht dhe në mentale. “Himni i gazit” është një poezi cinike, sa tregon se nuk mban më gjithë ky maraz shpirtëror, si e vetmja zgjidhje e çlirimit. Asaj të marrëzisë.
Ka një pesimizëm të dukshëm, saqë nuk shohim as Podrimjen pas vargjeve, por një lukuni burrash të padukshëm, si kokë e zezë. Është një vaj, që poeti e shkruan nga periferia e Kosovës, nga Ulpiana. Është një vendosje e shpeshtë e poetit në këtë vend, që mban pothuaj të gjitha mbishkrimet e tij, vitet kronologjike kur ka shkruar poezitë e kësaj përmbledhjeje. Arsyet mbajnë një lidhje sa historike, aq dhe ndjesore. Prej aty poeti ka shkruar dhe mallkimet, ka parë avionët, tanket, çizmet, ka dëgjuar lehjet, sharjet dhe rrahjet, ka ndjerë popullin e tij të këndojë dhe vajtojë. “Poesie forte” – ka më shumë elegji, epizëm në këto vargje. Këtu duket sikur është fundi i poetit, si burrë dhe si lirik. Po ashtu lufta është e qartë në vargjet e tij, mbijetesa nuk është më çështje përpjekjesh por çështje të gjendjes, të gjetjes së një vendi, të një cope toke për varr dhe një selvi bri tij. Është një pikë referimi e çuditshme me vendin, dhe me simbole që fëmijët e lidhin rritjen e tyre – në rast se janë djem, burrërinë – si lugetërit. Është një parapërgatitje që bën poeti në këtë sfidë simbolike, duke shkuar deri në fund të vëllimit poetik me përpjekje të tilla alegorike, ku e keqja ka gjithfarë lloj gjuhësh për t’iu afruar qenies, njeriut, për ta rrënuar, zhdukur.
Ndonëse varret dhe vdekja ngasin, pothuaj, gjithë poezitë- ajo që çliron energjinë e shqisës së gjashtë, është goditja në ndërgjegje. Nganjëherë përdorja metaforike, në vend të së keqes, mbush përfytyrimet e poetit nga më e zakonshmja deri në një frikë të vërtetë hiperbolizimi. Askush, nëse nuk njeh historinë politike të vendit prej nga vjen poeti, po ashtu dhe veten e poetit, nuk mund të kuptojë pse zënë vend aq shumë në poetikën e tij “madhështia” e djallit, satanait, hadit. Harta e poezisë së Podrimjes është një skemë e mekanizmit se si është kryer mjeshtëria e krimit, si kanë flirtuar të gjitha simbolet e mësipërme në duart e poetit, duke u shkërmoqur në një ëndërr të vetme, nga dëshira e nxehtë, e parezitueshme, siç është liria.
Fjala e Podrimjes e bën këtë. Herë në mënyrë të egër, si prej gjuhe burri, dhe herë i dorëzuar, duke treguar se vaji ishte e vetmja shpresë, që ua mbante shpirtin të lirë, për t’u ripërtërirë në pamjen e “armikut”. Krijimtaria e viteve ’80, është ironi, sarkazëm, duke kujtuar poezitë “Histori e qenit”, “Perënditë dhe minjtë”, “Bir i bushtrës” etj. Podrimja ngre alegori të pamëshirshme mbi jetën ku jeton. Ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë, deri në misticizëm, po krijon edhe legjendën e vajtimit. “Dua të jetoj” – të trondit për vargjet e fundit “…se vendi lëvizte si varr”. Përfytyrimi dhe imagjinata mbi të keqen, nuk ka më trajtë poetike, por një të vërtetë, një poezi gati natyrale të dhimbjes. Ndërsa poetin vazhdon ta shqetësojë njeriu, dhe e keqja nga i vjen atij. “…gjakësin mos e ndiq/ e zë gjaku i vet”- është “Pastrim shpirtëror”- instinkti rrënues i vetes nga e keqja.
Është metafora klasike midis së mirës dhe së keqes. Duket se poeti zgjon hapur një lloj vetëdije – se e gjithë kjo luftë mbinjerëzore nuk i takon më kësaj epoke parabiblike. Por është qenia, njeriu, që ndeshet me të keqen. Vitet ’90-’92 tek poezia e Podrimjes kërkojnë vetëdijen. “…derisa të na harrojnë të vdekurit”, një zgjim epitaf i poetit për të kuptuar më qartë se çfarë fshihet brenda një bote siç është vetja, në një kohë kur pesimizmi, dhe gjithçka lidhet me frymën e gjallë, jetën. Asnjëherë nuk e gjejmë poetin në befasinë e një përgjumjeje fjalësh. Ai duket sikur çdo fjalë është rrekje për të mbajtur zgjuar vetëdijen, për të treguar kuptimin e jetës së tij, në shumësin e vendit nga vjen, e për të cilin flet. Nuk është e përcaktuar gjeografia. Kosova aty nuk është konvencion. Kosova nuk është as si vend. Podrimja na jep një botë, siç është e vetja, e vetja si vend, si tokë, si frymë, si një shpirt metafizik. Mbi veten. Në vitin 1992, vit ku zënë të shkruhen të gjitha poezitë e këtij vëllimi të Podrimjes, shkruan poezinë “Liria e tmerrshme”. Është si një letër e shkruar me mundim, mbi një postulat që shquan pritjen e pafund. Detyrimisht dhe tepër lirshëm, fati i kësaj poezie na çon në brengat që ka mbrapa vetes poeti, atë të Kosovës, lirinë.
Është si kohë përgatitjeje e gjithë vëllimit (për atë që do të ndodhte këtë vit, 2008), ardhjen e lirisë. Për këtë arsye quhen krejtësisht të justifikuara lirikat e ashpra të poetit mbi pritjen e lirisë. “Liria e tmerrshme / në shpinë të breshkës”… ky kontekst në sytë e sotëm të vështrimit letrar largojnë tani nga ajo që është dëshiruar këtu e 15 vjet më parë. Por poeti i shpëton atij rrethi emocional, kurthi që të fut koha kur shkruan.
Ky në fakt është fati i të gjitha poezive që Podrimja ka shkruar, që përmban dhe ky vëllim. Kthimi i tyre në një optikë kur është fituar autonomia është rasti me i diskutueshëm tek të gjithë poetët e Kosovës. Kjo ndoshta do të bëjë dhe rezymenë e asaj letërsie çfarë është shkruar para pavarësisë së Kosovës, duke e ndjekur si poezi e angazhuar, apo emocionale, ndryshe të lokalizuar në “pushtimin kombëtar”. “Liria e tmerrshme” – nga dy vargjet e fundit duket se do të na lidhë përgjithmonë me këtë poet për natyrën filozofike, për të kuptuar vetveten në një kontekst të procesit të brendshëm drejt një besimi të lirë, të lirë si qenie. Çfarë do të ndodhë pas kësaj lufte? Loja e gjuhës prej poetit është një tipologji që rrallë e ndeshim në përshkrime psikologjike, që nuk lë rrënjë e filigran shpirtëror pa perceptuar në kohën e “dhuruar”, apo vendin me të cilin janë lidhur fatet tona. Përcaktimi se poezia e këtij poeti është e angazhuar, tani nuk ka më diskutim. Podrimja është nga ata personalitete që gjakun e ka atdhe, dhe nuk dihet kurrë kufiri i këtyre të dyjave. Arketipi i këtij njeriu – vjen krejtësisht e qartë, pa lëmshe filozofike, apo sensacionale. Edhe elegjitë, edhe epika, burrëria, liria, toka, vendi, malet, vdekja, dashuria – realizojnë një proces që rrallë poetë do ta arrijnë – zbulimin e të vërtetës, çfarë ndodh në një pikë ujë, deri në vërshimin e tij, si një lumë – në mbërritjen përfundimtare, finale, atë të zmbrapsjes në pafundësi, në liri. Ky është deti i poetit, mbinjeri.
Në homazh
Podrimja shkonte të takonte Lumin
Ku shkonte poeti atë natë,
në pyjet e Lodevës, në Herault?
Ku shkonte i vetëm mes atij qielli të yllëzuar?
Zemrën poeti e kishte të rëndë,
shkonte drejt buronjës së qumështit,
të takonte Lum lumin,
shuar vite të shkuara,
qarë në ditë vdekjesh e festash,
qarë në poemat e gjata të tij
pasi ishte Lumi, ylli i tij,
ylli që i tregonte se ç’ishte bota dhe njeriu.
Atë natë, poeti vetëm shkonte
me gojën e tij të tharë në jerm,
mes korrikut që digjej,
shkonte me vdekjen e të birit të tij mbi shpinë,
veshur me rroben e zisë,
binte dhe ngrihej sërrish,
me Lumin e tij në rraskapitjen e madhe
në kërkim të buronjës së qumështit.
Ju kujtohet si thoshte poeti?
«Ai larg në hapësirë, jam unë Lumi»,
por ai s’kishte nevojë të thoshte sërish të njëjtën gjë
po shkonte te Lumi edhe pse larg Kosovës së tij,
këndej nga metropoli i poezisë së Europës
nga vendi që e çmonin si një princ të poezisë.
Ali Podrimja dhe frymën e tij,
donte t’ia falte qiellit,
këngën e la në mes, aty, mes lulesh,
që zogjtë ta vazhdonin të nesërmen,
tokës i fali eshtrat e tij,
popullit, vargjet e tij,
që t’i hidhnin ato në themelet e kombit,
që të ndërtonin me ato kopshte të reja fëmijësh
dhe streha të dashuruarish,
të ndërtonin ura për brigjet e fshatrave,
një çezmë për udhëtarët e etur, të vonuar,
dhe një portë varrezash për poetët e Dardanisë,
e pastaj, të ngrinin me ato
flamuj të mëdhenj paqeje e dashurie.
Luan Rama