Bllokimi i dosjeve të ish-Sigurimit, ngërç në emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm
Zbardhet procesverbali i mbledhjes së Komisionit të reformës në drejtësi. Xhafaj: Nuk mund të presim të hapim dosjet, për të emëruar kryeprokurorin
Herion Mesi
Bllokimi i vënies në zbatim të ligjit për hapjen dosjeve të Sigurimit, i quajtur ndryshe ligji për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, duket se do të krijojë probleme edhe për emërimet e krerëve të rinj në institucionet e drejtësisë që do të kryhen në kuadër të reformës në drejtësi. Kjo për shkak se deputetët socialistë të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi kanë hasur vështirësi në mbledhjen e 12 korrikut lidhur me emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Në procesvebarilin e zbardhur të mbledhjes, gjatë diskutimit të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, deputetja socialiste, njëherësh kryetare e komisionit parlamentar për ngritjen e autoritetit të hapjes së dosjeve s ëish-sigurimit, Vasilika Hysi, është shprehur se për sa kohë hapja e dosjeve është një process tashmë i bllokuar, edhe emërimi i kryeprokurorit të ri vihet në pikëpyetje, pasi siç thotë ajo, nuk ka një organ përgjegjës për të bërë verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatit për kryeprokuror. “ju keni parashikuar, me shumë të drejtë, që nuk duhet të ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ne kemi miratuar një ligj. Nga ana tjetër, në ligjin “Për qeverisjen e pushtetit gjyqësor” ju keni vënë afate qoftë për prokurorin e Përgjithshëm, qoftë edhe për anëtarët e tjerë, për të cilët verifikimi duhet bërë brenda shtatë ditëve. Në momentin kur ne nuk i kemi hapur ende dosjet si mund të arrihet verifikimi nëse personi ka qenë punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit ose i favorizuar prej tij, meqenëse ne…?”- iu drejtua Hysi ekspertëve në mbledhje.Në ndërhyrjen e tij, kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj thekson se nuk do të pritet që të vbëhet hapja e dosjeve për të emëruar kryeprokurorin. Ndaj ai propozon formulën ekzistuese për emërimin e tij. “Kur të hapen dosjet, do të bëjmë prokuror të Përgjithshëm në Shqipëri! Ja nuk hapen asnjëherë dosjet, si do të bëjmë?”- iu drtejtua Xhafaj, deputetes Vasilika Hysi.
Debatet në Komision
Fatmir Xhafaj – Fillojmë mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Si pikë të parë të rendit të ditës kemi shqyrtimin e projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Jemi në procesin e shqyrtimit nen për nen. Kemi përfunduar nenin 22, do të vazhdojmë me nenin 23, me ndihmën e relatorit, zotit Manja, dhe të ekspertëve, gjithashtu të gjithë ne të tjerët, për ta shqyrtuar hap pas hapi. Vazhdojmë me nenin 23. Po, zoti Manja.
Ulsi Manja – Në lidhje me nenin 23 nuk ka ndonjë gjë të veçantë, thjesht në paragrafin e parë, germa “a” ka riformulim sipas variantit që është në tabelë, por riformulim ka edhe me germën “c” për ta përshtatur. Këtu thuhet: “të plotësojë kërkesat e ligjit “Për dekriminalizimin””, në fakt, në germën “c” thuhet: “të plotësojë kërkesat e ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen…”, pra është përshtatur…
Fatmir Xhafaj – Emri i ligjit, po.
Ulsi Manja – …me terminologjinë ligjore. Nuk kam gjë tjetër për këtë nen.
Vasilika Hysi – Kryetar…
Fatmir Xhafaj – Po?
Vasilika Hysi – Faleminderit! Për paragrafin e parë kam një riformulim të fjalisë së dytë. Mendoj se është e tepërt të themi që “për efekt të integritetit moral dhe profesional, sipas nenit 145/a të Kushtetutës”. Kjo të hiqet, pasi në fjalinë e parë kemi thënë që kandidati për prokuror të Përgjithshëm duhet të përmbushë kushtet e parashikuara nga neni 148/a.
Fatmir Xhafaj – Po.
Vasilika Hysi – Në këto kushte, sugjeroj që paragrafi i parë të lexohet: “Kandidati për prokuror të Përgjithshëm duhet të përmbushë kushtet e parashikuara nga neni 148/a i Kushtetutës. Kandidati për prokuror të Përgjithshëm duhet të plotësojë kushtet ligjore si vijon…” dhe të fillojmë atë riformulim që ka bërë kolegu në vijimësi.
Fatmir Xhafaj – Në rregull.
Vasilika Hysi – Kam edhe pyetje për ekspertët. Ju keni thënë: “Personi nuk duhet të ketë qenë bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve sekrete dhe të huaja”, ndërkohë në ligjin “Për qeverisjen e pushtetit gjyqësor të sistemit të drejtësisë” ne kemi vënë dy kushte: përveç kushtit: të mos jetë, edhe të mos ketë qenë. Pra, në fakt, ka dy kushte, ndërsa këtu shoh vetëm njërin.
Pyetja e parë: përse është hequr?
Pyetja e dytë: ju keni parashikuar, me shumë të drejtë, që nuk duhet të ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ne kemi miratuar një ligj. Nga ana tjetër, në ligjin “Për qeverisjen e pushtetit gjyqësor” ju keni vënë afate qoftë për prokurorin e Përgjithshëm, qoftë edhe për anëtarët e tjerë, për të cilët verifikimi duhet bërë brenda shtatë ditëve. Në momentin kur ne nuk i kemi hapur ende dosjet si mund të arrihet verifikimi nëse personi ka qenë punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit ose i favorizuar prej tij, meqenëse ne…?
Fatmir Xhafaj – Po si ta bëjnë? Ke ndonjë zgjidhje si ta bëjnë…?
Vasilika Hysi – E dyta…
Fatmir Xhafaj – …se ata janë të huaj, ti je shqiptare. Si do ta bëjnë një gjë…?
Vasilika Hysi – Jo, e them për shqiptarët.
Fatmir Xhafaj – Ja, ti vetë si do ta bëje?
Vasilika Hysi – Unë nuk e di. Unë e kam parë si vështirësi.
Fatmir Xhafaj – Si e kemi bërë deri sot?
Vasilika Hysi – Zoti kryetar, unë e kam parë një vështirësi edhe te ligji “Për qeverisjen…” .
Fatmir Xhafaj – Dakord, por si e kemi bërë deri sot, se kjo ka qenë edhe sot për Prokurorin e Përgjithshëm? Siç e kemi bërë deri sot, atë të bëjmë.
Vasilika Hysi – Po nuk është…
(Pandeli Majko ndërhyn pa mikrofon.)
Jo, jo, shumë mirë që të mos jetë! Ato duhet të jenë, por si do të bëjnë verifikimin?
Fatmir Xhafaj – Kur të hapen dosjet, do të bëjmë prokuror të Përgjithshëm në Shqipëri! Ja nuk hapen asnjëherë dosjet, si do të bëjmë?
Vasilika Hysi – E pra, këtë them, për brenda shtatë ditëve që kemi vënë më pas afatin. Unë po i lidh të dyja ligjet.
Fatmir Xhafaj – Po pra, dakord. Ke të drejtë te pjesa që duhet të kenë të njëjtin standard, por te pjesa sesi do të bëhet kur nuk kemi hapur dosjet, nuk ke të drejtë!
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Do t’u drejtohen autoriteteve që kanë sot akses mbi to dhe do të kthejnë përgjigje. Në qoftë se ato kthejnë përgjigje: “Është në rregull”, atëherë në rregull. Më kupton? Se nuk do të presim ne sa të bëhet autoriteti. Kur të bëhet…, se nuk bëhet dot, zonja Hysi. Nëse e bën dot ti, na e thuaj, po të kesh një formulë.
Vasilika Hysi – Jo, jo, këto janë kushte shumë të drejta që janë vendosur në ligj, por të mos i lëmë të pamundura, të realizohen në praktikë.
Fatmir Xhafaj – Në rregull. Biem dakord me vërejtjet dhe sugjerimet që u bënë, si dhe me ndryshimin e propozuar për pikën 1 të këtij neni dhe propozimet e tjera të parashikuara? Dakord neni 23, me ndryshimet.