Albspirit

Media/News/Publishing

Ekspertët: 7 ligjet e paketës emergjente, të miratohen si paketa kushtetuese

Ekspertët e reformës në drejtësi të Partisë Demokratike kërkojnë që e njëjta frymë konsensuale si ajo e 21 korrikut duhet të jetë edhe për ndryshimet e 7 ligjeve që përbëjnë paketën kushtetuese të zbatimit të reformës.

I ftuar në studion e Ora News, Gazment Bardhi tha se versioni i 7 ligjeve që ka ardhur në tryezë duhet të reflektohej ndryshimet e fundit që janë bërë në amendamentet kushtetuese.

Bardhi tha se: “Ne besojmë që në versionin që na kanë ardhur ne, nuk kanë qenë gati për votim në Kuvendin e Shqipërisë. Sikundër, ato drafte nuk pasqyrojnë ndryshimet e fundit që i janë bërë amendamenteve kushtetuese, që kanë qenë edhe pjesë shqetësuese për shkak se binin ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Me reflektimin edhe të këtyre ndryshimeve, dhe sipas versionit të fundit të amendamenteve kushtetuese të miratuara më 21 korrik, unë jam i bindur se që me një punë të përbashkët intensive, ne do të arrijmë të ofrojmë ligje në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

Opozita, sipas Bardhit, luajti një rol kyç në hartimin  paketës për një drejtësi të pavarur e të pa kapur politikisht, ndaj edhe në ndërhyrjet në paketën ligjore, Partia Demokratike nuk duhet të qëndroj jashtë procesit.

Bardhi theksoi më tej: “Jam i bindur që i njëjti rol i opozitës do të luhet edhe në procesin e hartimit dhe të miratimit të legjislacionit zbatues. Duhet vetëm pala tjetër të ketë të njëjtën qasje, dhe të mos bëjë gjithçka për të provokuar dhe për ta lënë opozitën jashtë këtij procesi. Ne treguam që jemi pjesa më e rëndësishme dhe që garantojmë atë që qytetarët kërkojnë”.

I pyetur për rolin e ndërkombëtarëve sipas formulës së re në reformën në drejtësi, eksperti Bardhi tha se ai është monitorues dhe jo vendimmarrës dhe mbikëqyrja duhet shoqëruar me fakte dhe prova dhe jo me mendime.

 

Please follow and like us: