Genc Ruli në udhëkryq
Genc Ruli do të ishte një politikan jo nuhatës po të mos pikaste se shqiptarët, do të vijonin të kishin të njëjtin besim te politika dhe politikanët, siç po ndodh me britanikët që votuan për daljen nga BE-ja, amerikanët që mbështesin Donald Trump apo Pesë Yjet që fituan Romën. Ish-pedagogu, që në opinionin publik mban famën e politikanit që nuk ia ha qeni shkopin dhe ekonomistit liberal, sot 25 vite pas rënies së diktaturës, nuk e ka të lehtë të përkufizojë se cila është e ardhmja e tij në politikë dhe aq më pak e politikës tradicionale. Mbijetues pas largimit nga PD-ja në ’97-ën, i kthyer në 2005, Ruli nuk e ka batutën e zakonshme kur të thotë se: “Politika shqiptare ndodhet sot në një udhëkryq fatal. Nuk ka as forcë e as besim të bëjë zgjedhjen e shtegut që do t’i duhet të marrë. Mos prit të ta them unë se cilin shteg do të marrë se vërtet nuk e kuptoj e pra nuk e di…”.
Nga Nevila Përndoj, Revista Mapo
Në dhjetorin e vitit ‘90 sigurisht që Genc Ruli nuk ishte aspak i lëkundur dhe reflektiv për kohën dhe të ardhmen e vendit. Asokohe politika për të ishte thirrje e kohës. Jo prej fenomenit të disidentit, por prej anti- konformizmit me regjimin. Kujton se marrja e një roli, në kohë ndryshimesh historike, nuk qe ende një firmosje në borderonë e politikanit profesionist.
“U ndjemë të ishte bërë fakt i kryer që ne tashmë quheshim e ishim politikanë”, – shprehet ai.
Kjo lloj ndjesie e gjeti atë në kohën e rropullimës qeveritare. Ishte firmosur ngritja e Qeverisë së Stabilitetit. Ndodhej në Pragë.
Një telefonatë nga kryesia e PD-së e njofton se ishte propozuar ministër i Financave. Më vonë, ia tha i ndjeri Gramoz Pashko, mandej Sali Berisha. Ai ishte propozuar zyrtarisht nga PD-ja. Ajo bisedë ndryshonte nga roli i fituar. Ishte pjesë e ngritjes së PD-së, por edhe sfidant në parlamentin e parë. Megjithatë, të veshurit e kostumit të politikanit profesionist dhe për më tepër të ministrit në një moshë relativisht të re (32-33 vjeç) e befasoi. Ishte pedagog i vlerësuar me gradën “Doktor i Shkencave në Ekonomi”.
Por, Genc Ruli nuk ishte një njeri që mirëfilltazi kishte studiuar për ekonomi tregu, për kapitalizmin. Kujton se përpos dijeve të vjedhura dhe indirekte, ajo kohë e gjeti pa asnjë bazë tjetër njohurie.
“…Vinim nga një inspirim dhe një ngjizje revolucionare dhe petku i revolucionarit ka pak të bëjë me atë të ministrit apo politikanit. Kisha në vetvete një lloj ngurimi dhe pyetje në vetvete se, ‘A e bëj dot unë ministrin?”, – kujton Ruli.
Ai ishte ministri i fundit i Qeverisë së Stabilitetit që bëri betimin zyrtar, rreth një muaj më pas. Sot, ndjen një farë cinizmi apo nënqeshje ndaj vetes së tij për mënyrën si e përballoi atë detyrë. Asokohe, atë e ndihmoi spontaniteti intuitiv apo edhe novacioni në shumë raste.
Ruli e përballi sfidën.
“Fati apo dhe besimi i madh te vetvetja, na bëri të aftë për t’u përballur me Ferrin”, – shprehet ai edhe pse vështirësitë e atij momenti ishin të paimagjinueshme sot.
Boll faktit, që në ministrinë e asaj kohe dy veta e gjysmë flisnin anglisht. Gjysma ishte ai vetë. Kjo pasi frëngjishtja ishte gjuha bazë me të cilën ishte formuar.
***
Ruli është ministri më jetëgjatë në etapa të ndryshme të epokës së tranzicionit. Fillimisht, ministër i Financave.
Më pas u zgjerua edhe me drejtimin e Ekonomisë. Për t’u kthyer në vitin 2005 sërish si anëtar i qeverisë. Dhe nuk ndenji pak. Deri në vitin 2013. Politika e drejtpërdrejtë, ajo e menaxhimit e ka përplasur atë në disa kënde në shoqëri.
Në këtë skajim, është e pamundur për të që të quhesh një politikan i suksesshëm. Ka pasur veprime ku thotë se ka mësuar.
Megjithatë, për të, rëndësi ka që të tërhiqesh në kohën e duhur.
“Kokëfortësia dhe fanatizmi në politikëbërje është vetëm i dëmshëm. Unë nuk besoj që këto dy kategori t’i kem pasur pjesë të mendësisë sime…”, – shprehet ai.
Por a e ka bërë politika Rulin një ekonomist “të keq”?
“…Padyshim që ka pasur raste. Por nuk kanë mbizotëruar. Në finale, unë gjithmonë i mbetem mirënjohës (Sali) Berishës që ka respektuar mendimin tim, qoftë kur ai qe propozues qoftë kur ai ishte kontestues…”, – përgjigjet Ruli.
Jeta dhe formimi i tij e kanë bërë atë një individ racional, por edhe me vetëbesim. Kësisoj, e humbet modestinë formale, teksa e pyes nëse ka ndjerë dështime të dukshme në detyrën e tij si ministër jetëgjatë ndër vite.
“Nuk jam i pandjeshëm ndaj gjykimit të të tjerëve, por nuk jam rob i tij. Në finale rëndësi ka gjykimi e reflektimi që bëj unë vetë mbi veten e veprimet e mia. Unë nuk dua ta njoh dështimin në asnjë punë timen. Ndonëse në politikë realizimi i ideve apo vendimeve të një individi varen ndjeshëm edhe nga kushtëzimet e kohës ambientit apo të partnerëve të tu”,– nënvizon Genc Ruli.
***
Në kapërcyell të vitit ’95, ai pati përplasjen e parë publike me Sali Berishën, asokohe President i Republikës. Kjo lidhej me të ashtuquajturën aferë korruptive të drurit të arrës. Por ai e fitoi betejën e parë.
Në Kuvend nuk u miratua kërkesa për heqjen e imunitetit të tij, si deputet. Dy vite më pas, ai u bë pjesë e promemories me Dashamir Shehin në një mbledhje të trazuar të Këshillit Kombëtar.
Nga kjo kohë, Ruli u largua, për t’u rikthyer në PD vetëm në vitin 2005. Pas 8 vitesh, Sali Berisha ishte sërish kryetar i partisë.
Nga kjo marrëdhënie e gjatë dhe e komplikuar (në dukje) mes tyre, Genc Ruli ka mësuar se në jetën politike lipset të mësosh artin e marrëveshjes. Sipas tij, individët politikë janë mjaft të ndryshëm nga karakteri, mentaliteti apo dhe për nga motivimi.
Dhe pa parimin e marrëveshjes, Ruli vëren se, në politikë do të kishim veç një betejë pa fund të kujtdo ndaj cilitdo, që është i ndryshëm prej tij. Parë në këtë prizëm, Ruli jep një përgjigje interesante në mbijetesën e marrëdhënies së tij me Sali Berishën, të cilit në krye të herës ai nuk ia dha mbështetjen në votimin e parë për kryetar të partisë.
“Berisha nuk u zgjodh rastësisht as në krye të PD-së, as si President e as si kryeministër. Ndërmjet plejadës së nismëtarëve të themelimit të PD-së ai kishte të zhvilluar me dukshëm portretin dhe karizmën e liderit politik. Që nga momenti që shumica zgjodhi atë në gjithsecilin funksion politik, unë e kam njohur e respektuar atë si kryetarin, Presidentin apo Kryeministrin e vendit. Dhe ky është një standard i natyrshëm i mentalitetit tim. Unë si qytetar e politikan kam për detyrë të respektoj mbi të gjitha institucionin që përfaqësohet nga një individ i zgjedhur në atë funksion…”, – shprehet ai.
Kinse, Ruli vëren se në politikë nuk ndodh rrallë që individualitetet e forta e të pavarura të jenë bela për liderin. Por ky është problem zgjedhjeje e preference për liderin e asnjëherë për të personalisht.
“E them me sinqeritet të plotë që rikthimi im në PD në 2005, e më tej pjesëmarrja në kabinetin qeveritar, ishte një marrëveshje e drejtë politike, pa asnjë preferencë për secilën palë, mes Berishës dhe meje. Unë do të duhej të kontribuoja në fitoren elektorale të PD-së, çka besoj se e përmbusha me sukses duke siguruar një fitore simbolike të PD-së në Gjirokastër, e konsideruar si një ‘bastion’ i së majtës. Berisha më ofroi pas fitores pjesëmarrjen në qeverinë e krijuar prej tij. Sigurisht, ai vazhdoi të ishte Sali Berisha dhe unë vazhdova të mbetesha Genc Ruli dhe pas kësaj marrëveshjeje. Më duhet ta rikonfirmoj se kjo marrëveshje si dhe bashkëpunimi politik i bazuar mbi të, është respektuar me vullnet e dinjitet nga gjithsecili prej nesh përgjatë të 8 vjetëve të qeverisjes së djathtë…”, – rrëfen ai.
***
Por, çfarë pozicioni mban Ruli për xhepat e shqiptarëve nisur nga pritshmëritë e mëdha të viteve ‘90? Thotë se, ato ishin profeci idealiste të pamundura që të arriheshin në kaq pak kohë.
Optimizmi i tij është i frenuar.
Po pse? Kjo shoqëri, sipas neoliberalistit të fundit, ka nevojë që të ketë transformime të thella në kulturën dhe në mentalitetin e saj. Vlerëson se kombet pasurohen jo thjesht nga pasuritë natyrore apo nga rastësia, por nga lloji i kulturës dhe besimit, që kanë krijuar në një moment të caktuar historik.
“Të kërkosh të kesh kapërcyer trashëgiminë tonë kulturore gati 6 shekullore vetëm në 25 vjet, është si të përpiqesh të fusësh trupin e një ariu në lëkurën e një lepuri. Jo se nuk është transformuar mentaliteti e kultura jonë në këto vite. Por, kemi pësuar njëkohësisht edhe transformime negative, që kanë ndodhur në kulturën tonë qytetare, sociale, apo edhe politike”, –analizon Ruli.
Rol në këtë drejtim ka edhe vetë klasa politike si drejtuese e shoqërisë.
Kjo klasë, në këndvështrimin e tij, supozohet të jetë produkti më i mirë dhe më elitar i asaj shoqërie. Thotë se janë ata që kultivojnë ide dhe besime të reja, që duhet të marrin edhe rol drejtues në shoqëri. Pra, për të, njerëzit e politikës e të pushtetit janë enzima që katalizon progresin.
Dhe, këtë rol katalizator, në kënvështrimin e tij, politika shqiptare e këtij çerek shekulli, e ka luajtur me defiçite të mëdha.
“Shumë gjëra do të ishin ndryshe dhe mjaft më mirë nëse do të ishte një elitë më qytetare, më e maturuar, më e përgjegjshme, më e fortë brenda vetes. Por realisht nuk e tregoi veten të tillë deri më sot…”, – rrëfen Ruli.
Por kush është fajtori dhe kush viktima?
“Këto janë konkluzione, që nxirren pas shumë e shumë dekadash…”, – të përgjigjet ai.
***
Biznesi privat është fenomeni dominues sot në ekonominë kombëtare.
Megjithatë, ashtu si në jetën politike edhe në atë ekonomike, për Rulin faktori frenues e kufizues në shpejtësinë e progresit të vetë biznesit, mbetet trashëgimia kulturore që kemi nën lëkurën tonë.
Biznesi shqiptar, sipas tij, nuk po arrin ende të dalë nga guacka e fazës së ngjizjes dhe krijimit, duke iu përgjigjur pa shumë energji e kurajo nevojës për modernizim.
“…Nuk e teproj po ta them se mjaft nga bizneset e mëdha të sotme do të pushojnë së jetuari shumë shpejt nëqoftëse ata nuk përpiqen që sot të adaptojnë standardet moderne të kapitalizmit perëndimor. Sa më tepër që ekonomia shqiptare bëhet pjesë e tregut global, aq më parë ata duhet të jenë të aftë të dalin nga ‘kazani alla shqiptar’ ku ata u krijuan e u pasuruan deri më sot. Këmbana ka kohë që ka rënë, por janë ende pak ata që e kanë dëgjuar tingullin e saj…,”-nënvizon Ruli.
Megjithatë, kjo inerci ndaj primitives që vërehet edhe sot në biznesin shqiptar, në analizën e ish- ministrit, e ka shpjegimin tek vetë historia e krijimit të tij.
Eshtë deri diku i veçantë dhe dallues edhe ndaj zhvillimit të biznesit privat në vendet e tjera ish- komuniste.
Ndryshe nga ato, Ruli shpjegon se, klasa e re e biznesit që u shfaq në fillim të ‘90 kishte shumë pak apo aspak individë që vinin nga drejtues të ndërmarrjeve shtetërore.
Përkundrazi, kategoria e porsa shfaqur e biznesmenit, sipas tij, erdhi nga disa aktorë më pak “elitare”, por që dhe gjatë komunizmit kishin akses më shumë se të tjerët tek paraja.
Kjo, në argumentin e Rulit, iu jepte mundësinë atyre që të kishin atë pak kapital fillestar për të filluar një biznes privat.
“Këta individë erdhën nga profesione të tilla si magazinierë, kapterrë të ushtrisë, faturino autobuzi, shoferë eksporti apo dhe kontrabandistë. Madje dhe një pjesë e biznesit VIP të sotëm e ka prejardhjen pikërisht nga kjo kategori”, – tregon Ruli.
Por pavarësisht prejardhjes aspak elitare të tyre, analizon se ishin këta individë, që pa asnjë pengesë kulturore apo morale guxuan, dhe rrezikuan për të fituar me çdo kusht.
“Shteti asokohe vetëm sanksionoi liritë e mohuara barbarisht për gjysëm shekulli, por nuk ishte ende i fuqishëm për të vendosur rregulla e standarde në bërjen e biznesit. Dhe biznesmenët e parë s’kishin kohë për të humbur. Në mungesë të plotë të një kulture kapitaliste e të rregullave ligjore ata krijuan rregullat e standardet e tyre…”, – kujton ai.
Asokohe, vendi ishte ende i papërgatitur për të aplikuar rregullat e detyrimet e një shoqërie europiane. Por, çfarë ndodh sot?
Sipas Genc Rulit, dy nga deficitet më të mëdha të biznesit janë: Kultura e mosbesimit tek institucionet e ligji, dhe njohja apo jo e fenomenit të falimentimit.
“Nuk besoj se e teproj po të them se jo më pak se 1/3 e të ashtuquajturave biznese VIP sot janë të falimentuara që prej disa vitesh. Ligji dhe politika ende janë të verbëra ndaj këtij fenomeni kanceroz në ekonomi… Me keqardhje shikoj që gjithë energjia e bizneseve kryesore sot është më tepër një përpjekje për të ruajtur ‘territoret’ e pushtuara deri më sot sesa të përballen me sfidat e pashmangshme të modernizimit”, – të thotë jo pa alarm.
Ruli nuk mund ta ndajë reflektimin e tij pa marrëdhënien e krijuar mes pushtetit ekonomik me atë politik.
Edhe pse rrëfen se marrëdhënia e këtij binomi është transformuar tërësisht në fillimet e dekadës së dytë të tranzicionit, mendësia dhe kultura, pavarësisht pasurisë së akumuluar, ka mbetur e njëjtë.
Kësisoj, thotë se, biznesi po shikon kapjen e pushtetit politik si të vetmen garanci për të mos prishur rendin ekzistues, që i dha atij mundësinë fillestare për t’u pasuruar.
“Krijimin e kësaj aleance me politikën, biznesmeni e realizoi si nëpërmjet joshjes e korruptimit të saj, por dhe nëpërmjet shantazhit”, – të thotë ai, teksa ndez një tjetër cigare.
Madje me një instinkt dinak, vijon mendimin, se biznesi, filloi të blejë apo të krijojë edhe mediat. Sot, Ruli sheh ndarje të re të pushtetit mes atyre që kanë marrë votat dhe dy aktorëve të rinj, biznesit ekonomik dhe medias.
Por jo vetëm.
“Politika e sotme, sidomos kjo e ‘Rilindjes’, ka vetëm një shtirje arrogante sikur ajo është tepër e fuqishme. Por në fakt është pushtetmbajtësi më spurdhjak i këtyre dy dekadave. Kjo pasi haptazi e me një servilizëm pervers e ka deleguar pushtetin politik jo më vetëm te baronët e biznesit e të medias, por dhe te grupe mjaft të rrezikshme të krimit të organizuar”, – vëzhgon Ruli.
***
Udhëkryqet e tij politike nuk janë të parat e kësaj vere.
I lidhur pashmangshmërisht me profesionin e parë, atë të ekonomistit, zgjedhjet e tij në politikë, në asnjë kohë nuk ndanë njërën nga tjetra.
Ishte fundi i vitit ’93, një kohë jo e volitshme për Genc Rulin. I sapo dorëhequr si ministër i Ekonomisë dhe Financave, atij i vjen një propozim nga shefja e misionit të FMN-së e asaj kohe.
Ajo i ofroi që të niste një kapitull të ri në SHBA. Dhe jo më kot, Genc Ruli kishte njohuri konkrete në reformat e tranzicionit. Asokohe, në universitetet amerikane ishte e preferuar tema e vendeve të Lindjes post-komuniste.
Dhe, në arsyetimin e shefes së FMN-së, Ruli, që kishte eksperiencë të drejtpërdrejtë në reformat transformuese, ishte zgjedhja e duhur. Si fillim, iu tha se do të punësohej për një vit si visiting professor në Pomona University.
Ai reflektoi jo pak me veten mbi këtë propozim. Fillimisht nuk e ndau me askënd, por e refuzoi vetëm pas një muaji gjatë një telefonate me përfaqësuesen e lartë të FMN-së. Në atë kohë, ai ishte në një moment zhgënjimi e distancimit të vetëdijshëm nga politika.
Megjithatë, ndjesia se kishte ende një rol dhe një mision në Shqipëri nuk kishte shteruar brenda tij. Thotë se, kjo ishte një nga arsyet e refuzimit.
Por sot, pas më shumë se dy dekadash, Ruli vëren se ka momente ku ndihet pak ”i huaj” dhe i paadoptueshëm me mendësinë dhe veprimin e sotëm të politikës.
“Këto vitet e fundit të duket sikur politika ka ndryshuar ‘kodet’ e saj dhe ti i dëgjon zërin, por nuk arrin ta kuptosh se çfarë do të thotë e ku synon të shkojë. Këto lloj ndryshimesh janë tashmë një realitet, por në vetvete nuk është se mund t’i pranoj si ndryshime normale e pozitive të saj. Përkundrazi, aktorët dominues të politikës shqiptare sot sigurisht që e kanë rafinuar së tepërmi sjelljen e tyre publike. Ata njohin sot më mirë se sa 25 vjet më parë artin e manipulimit të mendjes së elektoratit, artin e marrjes së pushtetit apo të mbajtjes së tij”, – reflekton ai.
Sot më shumë se kurrë në këtë çerek shekulli, për Rulin kemi një mosbesim të dukshëm të njerëzve tek politika dhe politikanët.
Gjykon se, politika shqiptare ndodhet sot në një udhëkryq fatal. Nuk ka as forcë e as besim të bëjë zgjedhjen e shtegut, që do t’i duhet të marrë.
“Mos prit të ta them unë se cilin shteg do të marrë se vërtet nuk e kuptoj e pra nuk e di”, – të thotë jo pa ironi.
I gjendur në këtë fazë të reflektimit për politikën, apo edhe ekonominë, është e pashmangshme që të mos e pyesësh se ku do të jetë ai në vitin 2017.
“Sigurisht që kam qënë gjithmone i vendosur dhe i aftë për të ruajtur brenda vetes lirinë e gjykimit e të reflektimit. Por do të gaboja në çdo lloj deklarimi që do të bëja që sot për zgjedhjen që do marr në 2017-ën”.