Albspirit

Media/News/Publishing

Keti Bazhdari: Falenderoj të parin, Ramën

U mbush një vit që unë po e jetoj intensivisht në cdo frymëmarrje e frymënxjerrje të saj, reformën. Si një qytetare që gëzon gjithë të drejtën e reagimit publik, jam munduar të ruaj sa më shumë paanshmërinë në argumentimet e mia, duke hezituar shpesh ta shpreh të plotë opinionin, nga dëshira për të mos ndikuar as edhe një cikë me retorikën time në prishjen e balancave të këtij procesi.

Jam përplasur për mbarëvajtjen e tij me maksimumin e qetësisë dhe këtu besoj s’jam e vetmja. Tani mendoj se kam akumuluar mjaftueshëm, për të shprehur lirisht opinionin tim pa dorashka dhe pa qenë nevoja të evitoj kurrëfarë lloj konflikti, që deri para 48 orësh, do ishte në dëm të procesit më të rëndësishëm në Shqipëri. që pas rënjes së komunizmit .

Megjithëse ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe i dhimbshëm, ku secili e përjeton sipas mënyrës së vet, mua më ka shërbyer shumë të rritem, të kuptoj kush jam, nga vij dhe pse-të e shumë qasjeve të caktuara me të cilat jam hasur në jetë. Ajo, të cilën s’mund ta negocioj më me askënd dhe asgjë, është bindja absolute që në Shqipëri, brenda të njëjtit gji shoqërie, politike, elite intelektuale, nëse mund ta përgjithësoj kështu këtë të fundit, ekzistojnë dy mentalitete të kithëta, pa asnjë pikëprerje. Ne jemi mësuar t’i etikitojmë, mendimi progresiv, europian, properindimore . . . etj, dhe ai regresiv, bizantin, otoman, komunist, fashist … etj, që fundja ekziston në cdo shoqëri. Por për mua këtu qëndron problemi; ne s’jemi si cdo shoqëri dhe një përcaktim kaq i përciptë jep një panoramë të cunguar që nuk përkon me realitetin dhe i bishtnon sërish të vërtetës.

As unë dhe askush s’mund të mohojë dëmet që sjellin pushtimet e diktaturat e gjata kudo ku ata ndodhin. Pasojat e tyre shtrihen në kohë dhe janë burim injorance e pamundësish, por e gjitha kjo, pa vecorinë tipike të dinakërisë së një pjese të shqiptarëve, që e projektojnë fajin apo të keqen personale jashtë vehtes, duke ua ngecur  të tjerëve kostot dhe refuzuar marrjen e cdo lloj përgjegjësie për aktet e veta, me një vullnet prej budallai dhe një shtirje të shndërrueshme per sekonda në arrogancë të pashoqe, do ishte vetëm një pjesë e rastit të Shqipërisë. Ky vullnet pat mahnitur për 500vjet dhe turqit aq sa kur donin të ekstremizonin një cilësi, tipi i kokëfortësisë psh, vendosnin nga pas epitetin arnaut, duke dashur të përmbledh nën këtë logjikë, një mentalitet regresiv tipik shqiptar dhe që lë mbresa për këdo që përballet me të, më rezulton shumë i saktë termi sharlatanizëm arnaut.

Sharlatanizmi arnaut nuk mund të jetë një ves, është një përmbledhje vesesh. Fenomen tipik i trojeve tona, që s’ka fe, origjinë, krahinë, bindje. Mund të jesh prift sharlatan arnaut ose hoxhe sharlatan arnaut, mirditor sharlatan arnaut ose konispolas sharlatan arnaut, “komunist” sharlatan arnaut (kushedi sa do kenë qenë) apo “demokrat” sharlatan arnaut(kushedi sa do jenë).

Është e pamundur por dhe e tepërt  të analizosh me përpikmëri tiparet e një shoqërie, shkaqet, pasojat etj, vetëm për të krijuar një opinion, kur gjithkush mund ta krijojë me shumë më pak. Besoj po të pyesim sot Z. Lu dhe Znj. Vlahutin, për panoramën politike, pse jo deri diku dhe sociale, jam e bindur që e kanë një opinion të përafërt me atë cfarë përmban sharlatanizmi arnaut. Kuptohet merita kryesore i takon asaj pjese të politikës shqiptare që na e ndriti faqen javë me rradhë, por pa anashkaluar edhe hallka të tjera të zinxhirit shoqëror që përmes gjoja indiferencës apo përtalljeve ndaj rëndësisë së procesit të reformës, shpresonin që të dështonte. Të gjithë e dimë që reforma nuk do bëjë magji. Ajo siguron mekanizmat e duhur për drenimin e mocalishtes së krimit e korrupsionit në Shqipëri dhe me logjikë s’kishte si ta donin apo ta mbështesnin shushunjat arnaute. Jam e bindur që një ditë, kur shoqëria shqiptare, edhe si pasojë e hapjes, të jetë purifikuar goxha nga sharlatanizmi arnaut në drejtim, ky fenomen do futet nëpër lëndët sociale e politike për studim, që nga origjina e deri në lulëzimin e tij këto 25vitet e fundit. Në këtë pikë besoj Berisha meriton të hyjë në histori si steriotipi i sharlatanit arnaut. Performanca e tij, sidomos e javëve të fundit në bashkëveprim me dishepujt e vet, doshërbente si një film me xhiro të shpejta, me një vlerë akademike të pashlyeshme, që do u shpjegonte studentëve si lind, si zhvillohet dhe si mund të zhbëhet një fenomen kaq i rezikshëm për shoqërinë.

Këto janë dhe arsyet pse unë them që falenderimi kryesor duhet t’i shkojë Edi Ramës pse shqiptarët e  kanë sot një reformë në drejtësi. S’do kishte president, as sekretar, as zevendesekretar të ndonjë shteti, sado i fuqishëm që të përballej i vetëm apo edhe në grup me këta dhe t’ia dilte. Vetëm një person si Edi Rama, që në rradhë të parë u njeh gjuhën sharlatanëve arnaut dhë disponon forcën e fjalës për t’i shurdhuar, që ka qtësinë dhe integritetin e duhur moral për t’iu kundërvënë pa frikë, zgjuarsinë dhe pushtetin e nevojshëm për t’iu zhbërë intrigat e njëpasnjëshme dhe mbi të gjitha vullnetin për të sakrifikuar gjithcka për një kauzë të drejtë, ia doli. Pa cënuar aspak rëndësinë mbështetjes së pacmuar të krejt faktorit ndërkombëtar, mes të cilëve zgjedh të falenderoj dy njerëz që kanë për te ngelur shumë gjatë në memorien e shqiptarëve si dy engjëjt mbrojtës të reformës në drejtësi; fisniken Romana Vlahutin dhe të paepurin Donald Lu.

Please follow and like us: