Klosi: Lufta e vërtetë politike do jetë gjatë miratimit të 40 ligjeve, SHBA-BE nuk do lejohen të ndërhyjnë
Qytetarët shqiptarë fituan vetëm betejën e parë me miratimin e draftit për reformën në drejtësi. Por, a ka përfunduar këtu lufta politike dhe a do të zbatohet reforma në drejtësi për të pastruar gjyqësorin nga gjyqtarë të paaftë dhe të korruptuar? Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një prononcim për mediat, ka analizuar atë çka pritet të ndodhë edhe pas miratimit të 40 ligjeve, që janë paketë e draftit për reformën në drejtësi.
Fatos Klosi beson se zbatimi i reformës në drejtësi do të jetë e vështirë, e nëse kjo do të realizohet me sukses, atëherë ka fituar e drejta e qytetarëve shqiptarë. Ish-kreu i SHISH deklaron se lufta politike do të zhvillohet akoma edhe më e ashpër për emërimet në institucionet e gjyqësorit. Fatos Klosi thotë se gjatë miratimit të 40 ligjeve, forcat politike do ta kenë vështirë të lidhin marrëveshje për të gjetur dakordësinë mes tyre, ndërsa SHBA-BE nuk do të lejohen të ndërhyjnë në këto procese, gjë që do të vështirësohet akoma edhe më tepër gjetja e konsensusit mes palëve.
“Praktikisht, reforma në drejtësi nuk është bërë ende, pasi u aprovuan vetëm disa ndryshime kushtetuese. Probleme të mëdha do lindin gjatë diskutimit për ligjet konkrete, ku do të dalin aktet nënligjore për zbatimin e tyre. Megjithatë, shinat janë vënë tashmë me miratimin e draftit në Kuvend. Lufta më e madhe do të bëhet kur të vijë puna për të gjetur emra konkretë, do të jetë e vështirë por jo e pamundur. Përplasja e vërtetë do jetë aty; do jetë e vështirë që dhe të huajt të ndërhyjnë sa ç’ndërdyn për pjesën e ndryshimeve kushtetuese. Do jetë thjesht parimore ndërhyrja, nuk do jetë kaq e madhe sa ç’ishte. Unë nuk kam shumë besim që do ketë mirëkuptim mes palëve, do vazhdojë lufta për çdo emër konkret. Por kjo nuk do ndikojë në prishjen e marrëdhënieve me SHBA, pasi ato janë marrëdhënie strategjike. Edhe populli i konsideron SHBA faktor besimi, dhe politika nga ana e saj nuk mund të bëjë ndryshe”, u shpreh Klosi.