Policia pranon incidentin me kunatin e Tahirit: Nuk i kemi shkarkuar 7 policët
Policia e shtetit reagoi ndaj akuzave të PD, se 7 efektivë të njësisë “Shqiponja” u shkarkuan nga detyra për shkak se ndaluan kunatin e Ministrit të Brendshëm, Tahiri. Policia thotë se deklarata e PD për shkarkimin e tyre është e pavërtetë, por nuk shpjegon se ç’masë ka patur ndaj efektivëve. Të dhënat flasin për pezullim të tyre për një afat të pacaktuar nga detyra, çka ndryshon nga shkarkimi. Nga ana tjetër policia pranon ngjarjen e denoncuar 3 ditë më parë nga ish –kryeministri Berisha, duke pranuar njëkohësisht se e ka mbajtur atë të fshehtë, pavarërisht kërkesave të vazhdueshme të gazetarëve për të patur një sqarim.
DEKLARATA E POLICISË
Referuar deklaratës së subjektit politik PD lidhur me shkarkimin e 7 punonjësve të policisë, Policia e Shtetit bën me dije se ky fakt është tërësisht i pavërtetë.
Në asnjërën prej ngjarjeve të cituara në deklaratë, nuk është shkarkuar asnjë punonjës policie, ndaj pretendimet dhe akuzat e bëra publike, janë thjesht fakte të pavërteta.
Siç parashikon kuadri ligjor, për të dyja rastet është kryer procedura ligjore e verifikimit të përgjegjësive, procedurë standard që ndodh sa herë që një qytetar ka ankesë për veprimet e policisë.
Policia e Shtetit thekson edhe njëherë përkushtimin maksimal ndaj detyrës dhe ligjit për të zbatuar ligjin ndaj çdo individi.