Projekt i ri për Pazarin e Gjirokastrës, puna nis në vjeshtë
Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka shqyrtuar dhe miratuar projekt zbatimin për restaurimin e Pazarit të Gjirokastrës.
Me financim të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit AADF,dhe në bashkëpunim me Instituti i Monumenteve të Kulturës, ekspertet arkitektë të Dea Studio mbyllën punën e vështirë disamujore për studimin, analizimin dhe projektimin e restaurimit të Pazarit.
Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila thotë se vjeshta do të jetë stinë pune dhe kantieri në qytetin e gurtë që nuk do ta lëmë të bjerë, pasi i ka rezistuar luftrave, kohës dhe batërdisë njerëzore të 25 viteve të fundit.
“Gjirokastra dhe gjirokastritët meritojnë më shumë dhe miqtë e bashkepunëtorët nuk mungojnë”, deklaron Kumbaro.
Vetëm pak ditë më parë “Koncert në gur”, mblodhi gjirokastritët dhe turistë të shumtë në Qafën e Pazarit dhe në Kala për të shenjuar 11-vjetorin e hyrjes së qytetit të gurtë në UNESCO.
Si në rastin e Festivalit Folklorik dhe në të gjitha ngjarjet kulturore që organizojmë në skenën e hapur të perlës së Jugut, Gjirokastra tregon jo vetëm shpirtin e gjallë por edhe mundësinë e jashtëzakonshme për të turizëm dhe zhvillim.
Këtë theksoi edhe ministrja Mirela Kumbaro në takimin me mediat ku tregoi gjithashtu për projektet dhe investimet që nisin në vjeshtë në Gjirokastër për restaurimin e Pazarit.