Albspirit

Media/News/Publishing

Reforma kaloi, por a do të kemi një Listë të Zezë amerikane të të korruptuarve?

 

Afrim Krasniqi

24 orët e fundit treguan se liderit politikë nuk e donin reformën, ata kalkulonin taktika elektorale me të dhe pas saj, dhe se vetëm presioni i paprecedent i qeverise amerikane dhe BE mundësoi kalimin e saj. Keta te fundit janë të vetmit që duhen përgëzuar sot. I shikuat sot live takimet e politikanëve në selitë e partive dhe në Kuvend? Makina luksi, veshje luksi, ligjërim militant komunikimi, njerëz që kanë humbur çdo kontakt e ndjesi me qytetarët dhe sfidat reale të shoqërisë; kërcënues në orët e para të ditës dhe kartona formalë në orët e vona të mbrëmjes, të pafuqishëm jo vetëm të thonë atë që mendojnë por edhe të pafuqishëm edhe për të menduar. Reforma u be ngrehina mbetet! Institucioni që duhej të ishte katalizator i zgjidhjes së krizave, – parlamenti, u kthye në mekanizëm formal, që pret të miratojë gjithçka u serviret nga selitë e partive.

Pas reformës, ai nuk ka më besim publik, koalicioni mazhoritar është i pabesueshëm në aftësinë e tij për të jetësuar reformën, opozita nuk ofron alternativë, media e shoqëria civile mbeten shtojca të partive, dhe kështu, republika ndodhet në krizë identiteti, – me sytë aty ku i kishim më 1991, tek flamuri amerikan apo Evropa! A do jetë reforma sukses? Është herët për të folur. Me siguri jetësimi i reformës do kërkojë kohë, energji, kriza, negociata dhe ndërhyrje ndërkombëtare të tjera.

Dita shihet në mëngjes dhe nga mëngjesi i reformës sot u lexua sesi do jetë periudha 1-3 vjeçare e jetësimit praktik të reformës. Sepse ajo, në thelbin e saj përveç pjesës pozitive në cilësinë e shtetit të së drejtës, fokusohet edhe në korrupsionin, abuzimit, kriminalitetin, dhe cilësi të tjera të shumë prej atyre që sot ndodhen në parlament, falë vendeve të blera në listat e mbyllura proporcionale të 3-4 partive parlamentare.

Ndaj ata dhe shefat e tyre rezistuan, ndaj ata dhe shefat e tyre vonuan procesin, ndaj ata dhe shefat e tyre na bënë qesharakë dhe shefat e tyre na shndërruan në kavie eksperimentale, ndaj ata dhe shefat e tyre kanë marrë peng partitë, – nuk ka zgjedhje, nuk ka votime, nuk ka mendim kritik dhe nuk lejojnë të krijojmë shtet e demokraci funksionale. Në bilancin final ka një “peng” të mbetur nga reforma e miratuar, – fituam reformën por humbëm shansin që ambasadori amerikan premtoi, – të deklarojë në emër të qeverisë së tij masat penalizuese për politikanët antireformë dhe të korruptuar.

Në emër të reformës dhe interesit publik ata e kuptuan frikën e pasojat, ndaj nxituan të bien dakord!

A do ketë listë amerikane?

A do ketë publikim dosjesh korruptive?

Please follow and like us: