Jorida TABAKU: Reformat pa konsensus gjithmonë dështojnë!
Kur u miratua abuzivisht edhe pa konsensus Reforma Territoriale, kryeministri foli për çlirimin e qyteteve, foli si përherë për një revolucion që do i ndryshonte fytyrën qyteteve. Si përherë, foli gjatë dhe lodhshëm për të na mbushur mendjen për diçka që nuk do të bëhet asnjëherë.
Për gati një vit e pak kur kjo reformë që do të revolucionarizonte qytetet tona dhe do t’i bënte ato më të banueshme nuk ka prodhuar asgjë. Ligjet sa i takon funksioneve decentralizuese nuk po shihen gjëkundi, vepra të rëndësishme publike nga ana e bashkive nuk ka, zhurmën më të madhe në vend e bën Bashkia e Tiranës për prapësitë e saj në zhdukjen e gjelbërimit.
Por nuk është vetëm kaq. Paturpësisht qeveria aktuale po i trajton bashkitë e vendit në mënyrë të pabarabartë.
Në mbledhjen e fundit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve në 13 Korrik paturpësisht qeveria Rama i ka dhënë 97.5% të fondeve bashkive të majta ndërsa 2.5% të tyre i kanë kaluar bashkive të djathta. (http://www.qbz.gov.al/…/fletore_…/2016/PDF-2016/131-2016.pdf)
Kjo ngjarje e turpshme vetëm sa ri dëshmon atë çfarë z. Rama ka prodhuar përmes reformave të njëanshme; pushtet të pakufizuar për interesin e tij dhe më pas paratë e buxhetit të shkojnë atje ku shtrihen miqtë e tij.
E ashtuquajtura Reformë Territoriale, si të gjitha gjërat që ka bërë kjo qeveri thjesht është një dështim. Qytetarë më larg pushtetit vendor, asnjë investim dhe ndarje politike e fondeve. Nga 2.65 miliardë lekë ( 20 milionë euro ) fonde të buxhetit si grante për Bashkitë, 19 milione e 600 mije euro ju dhanë bashkive të majta dhe vetem 400 mije euro për ato të opozites. Kaq ishte interesi i reformës territoriale!
Dje 140 vota të deputetëve të kuvendit, votuan Reformën në Drejtësi, për t’i dhënë shqiptarëve më shumë drejtësi. Sot, këto deputetë duhet ta zbatojnë këtë reformë dhe të detyrojnë kryeministrin e Shqipërisë t’u rikthejë shqiptarëve atë të drejtë që kushtetuta ua rezervon. T’i kthejë bashkive të djathta atë që me pa të drejtë ia ka marrë për t’i dhënë fund kësaj kulture të turpshme që ka nisur të praktikojë. Duke i quajtur disa shqiptarë të nënës parti dhe disa të tjerë të njerkës rivale. Prandaj reformat pa konsensus gjithmonë dështojnë!