Sa kushton të shkollohesh jashtë?
A ia vlen që prindërit të shpenzojnë mijëra euro për fëmijët e tyre për të pasur një diplomë perëndimore. Monitor sjell një guidë mbi tarifat e shkollave jashtë vendit dhe raportit kosto-përfitime
Nga Ledina Loga
Laura Metaliu, pas përfundimit të gjimnazit, ishte në dilemë se ku do të ndiqte studimet universitare. E prirë drejt shkencave ekzakte, disa herë fituese e olimpiadave të matematikës dhe informatikës, ajo vendosi që t’i bashkohej grupit të studentëve shqiptarë që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë, edhe pse pati privilegjin e ofrimit të një burse të plotë këtu. Ajo sot studion në Universitetin Teknik të Mynihut, për informatikë.
Një diplomë e lëshuar nga një vend i Bashkimit Europian është nxitësi kryesor për studentët si Laura, për të zgjedhur këtë rrugë.
Por, asgjë nuk është e lehtë, kur mendon vështirësitë që hasin studentët që nga akomodimi, vështirësia me gjuhën e huaj, shokun kulturor, malli për familjen dhe deri te përballimi financiarisht i studimeve jashtë.
Sigurimi i një diplome në vendet e BE-së dhe jo vetëm, përpos vlerës së shtuar që i jep atij që e posedon, shoqërohet me vështirësi për të siguruar një standard jetese në mos të ngjashëm, të paktën të përafërt me atë të studentëve vendas.
Janë kosto që llogariten që nga akomodimi, transporti, komunikimi (internet + telefon) dhe çdo gjë tjetër që një i ri ka nevojë. “Në muajt e parë ke vështirësi financiare deri sa të kuptosh se cilat gjëra janë vërtet të rëndësishme dhe cilat jo. Nuk është habi që të ngelesh pa para në fund të muajit”,- thotë ajo. Shpenzimet mesatare mujore për qiranë dhe ushqimin për të janë rreth 700 euro në muaj, ndërsa shkolla është pa pagesë.
Pyetja që lind është: A do të mund të kthehet ky investim mbrapsht?
Pjesa më e madhe e studentëve shqiptarë zgjedhin të studiojnë në vende si Italia, Gjermania, Anglia, por edhe jashtë kontinentit, si për shembull në ShBA. Fatkeqësisht, kthimi në atdhe nuk është në planet e tyre të afërta.
Laura, që është një prej 424 studentëve që studiojnë dhe jetojnë në Gjermani, shprehet se në të ardhmen e afërt nuk e shikon si mundësi kthimin në vend. “Të përfundosh studimet në një nga universitetet më të mira të Europës dhe njëkohësisht të botës të mundëson perspektiva shumë të mira për të pasur një karrierë shumë të suksesshme”. Pavarësisht atdhedashurisë, Laura synon të integrohet në tregun europian të punës, pasi atje tregu ofron mundësi më të mira, si nga ana profesionale për t’u zhvilluar, ashtu edhe nga ana ekonomike, pasi pagat janë shumë më të larta.
Nëse do të kthehej të punonte në Shqipëri, paga fillestare mund të varionte 300-500 euro dhe do t’i duhej të punonte me vite të tëra për të kthyer mbrapsh vlerën e investimit në shkollimin jashtë vendit.
Italia, preferenca e parë e studentëve shqiptarë
Sipas statistikave të UNESCO-s mbi arsimimin, të publikuara në shkurt 2016, se vendin e parë për numrin më të lartë të studentëve shqiptarë e mban Italia me 11,637 studentë, rreth 49% e totalit të studentëve që jetojnë jashtë. Në vend të dytë është Greqia me 8,209 studentë, 34% e totalit.
Në Shtetet e Bashkura të Amerikës, që njihet që ka ndër shkollat më të mira në botë, ka rreth 750 studentë, duke u renditur e treta dhe më e preferuara e studentëve me ambicie, por edhe që kanë mundësi ekonomike të përballojnë një shkollim në tokën e ëndrrave. Në Angli, që konkurron me SHBA-të për nga cilësia e shkolla ka vetëm rreth 250 studentë, sipas raportimeve nga UNESCO. Numri total i studentëve shqiptarë në botë është 24,147.
Nuk janë vetëm studentët shqiptarë që duan të shkollohen jashtë. Ka dhe të huaj që zgjedhin Shqipërinë për të marrë një diplomë. Po sipas Institutit të Statistikave të UNESCO-s, vendin e parë për numrin më të lartë të studentëve e mban Italia, me 550 studentë. Më pas, ajo pasohet nga vendet e rajonit si Mali i Zi (450), Turqia (385), Serbia (334) dhe Maqedonia (252). Në të dhënat e UNESCO nuk janë përfshirë studentët nga Kosova, që vlerësohet se zënë vendin e parë për nga numri i studentëve të huaj në Shqipëri.
Nga vrojtimi i të dy grafikëve, shikojmë se shkëmbimi i studentëve nuk është në raport të njëjtë, numri i studentëve shqiptarë që shkojnë për studime jashtë është shumë më i madh se sa ata që vijnë në Shqipëri.
SHBA-të dhe Anglia, të preferuara e studentëve nga gjithë bota
Në të gjitha renditjet kryesore për shkollat më të mira në botë mbizotërojnë ato angleze dhe sidomos amerikane. Stanford Graduate School of Business, University of Pennsylvania, Ëharton në SHBA, apo London Business School në britani hasen rëndon në renditjet e përvitshme.
Ndaj nuk është rastësi që të dhënat e UNESCO-s tregojnë se në rang global, 2 destinacionet kryesore ku vërshojnë studentët nga e gjithë bota janë janë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, të ndjekura nga Australia, Franca, Gjermania etj.
- ShBA (19% e totalit të studentëve)
- Mbretëria e Bashkuar (10%)
- Australia (6%)
- Franca (6)
- Gjermania (5%)
- Rusia (3%)
- Japonia (3%)
- Kanadaja (3%)
- Kina (2%)
- Italia (2%)
Destinacionet në vendet europiane zënë 50% të totalit dhe kjo shpjegohet me traditën që kanë këto vende në arsimim. Forumi Ekonomik Botëror ka listuar 10 universitetet më të mira në Europë, ku kryeson ai i Oksfordit dhe ka një dominacë totale të shkollës britanike, me 7 shkolla.
10 universitetet më të mira Në Europë:
- Universiteti i Oksfordit, Mbretëri e Bashkuar
- Universiteti i Kembrixhit, Mbretëri e Bashkuar
- Kolegji Imperial i Londrës, Mbretëri e Bashkuar
- Instituti Federal i Zvicrës, Zvicër
- Kolegji Universitar i Londrës, Mbretëri e Bashkuar
- Shkolla e Shkencave Politike dhe Ekonomike, Londër
- Universiteti i Edinburgut, Mbretëri e Bashkuar
- Kolegji i Mbretërve, Mbretëri e Bashkuar
- Instituti Karolinska, Suedi
- Universiteti Ludwig Maximilian i Mynihut, Gjermani
Ndërsa janë më të mirat në Europë janë dhe më të shtrenjtat.Tarifat mesatare të shkollimit në Angli janë rreth 10-20 mijë paund në vit (në varësi të shkollës), ndërsa kostot mesatare të jetesës përllogariten rreth 700-800 paund në muaj.
Nga shkollat me tarifa zero, tek mbi 20 mijë euro në vit
Tarifat e shkollimit në vendet e Europës janë të ndryshme. Ato luhaten në nivelet nga 250 euro në Francë deri në 16,000 euro në Danimarkë apo 20 mijë paund Angli (24 mijë euro), por ka dhe vende si Gjermania apo Norvegjia, ku tarifat e shkollimit janë zero. Kostot e jetesës nuk kanë ndryshime të mëdha midis vendeve që janë pjesë e BE-së, luhatje më të mëdha ka në ato vende që nuk janë pjesë, si për shembull Zvicra, ku kostoja mesatare vjetore fillon nga 17,250 euro deri në 27,600 euro, që e përkthyer në kosto mujore do të përllogaritej diku tek 1,500 euro deri 2500 euro.
Prandaj, shumë prej studentëve, duke u nisur nga kostot e larta vendosin që të punojnë në kohën e lirë për të siguruar disa të ardhura më shumë. Në Gjermani, pagesa për orë pune është një nga më të lartat në BE, por studentët janë të detyruar të punojnë me orë të limituara.
Pagesa për orë pune fillon nga 12 deri 25 euro, por atyre nuk ju lejohet të punojnë me orar të plotë. Një student i lejohet të punojë 4 orë në ditë për 240 ditë të vitit kalendarik ose 8 orë në ditë për 180 ditë. E përkthyer në pagë mujore, do të ishte 960 euro deri në 2000 euro, gjithsesi studentët e pyetur nga “Monitor” kanë pohuar se dhe atje është e vështirë gjetja e një pune pa pasur kontakte.
Shqetësues mbetet fakti, se në përfundim të studimeve, shumë prej studentëve nuk e shikojnë në planet e afërta kthimin përsëri në Shqipëri. Shumë prej tyre argumentojnë se investimi aq i madh që ata bëjnë nuk do t’ju kthehet nëse punojnë në Shqipëri, ku pagat janë shumë herë më të ulëta se në vendet ku studiojnë. Ata e përforcojnë argumentimin e tyre, me faktin se mësohen me një standard jetese, të cilin nuk do ta gjejnë në vendlindje nëse kthehen.